Inercia politike e të Majtës edviniste
Intensiteti i presionit arterial të Opozitës së bashkuar ndaj zemrës së shtetit, qeverisë “Berisha” ka pësuar një rënie të dukshme këto tre javët e fundit. Në ca momente, prania e saj publike thuajse zhduket, si kripa në ujë, pa lënë gjurmë në diskursin publik. Me forcë morale të diskutueshme për ndryshim në administrimin e Pushtetit (kujtojmë këtu se PS-ja drejton bashkitë e mëdha të vendit), si dhe investimi në kauza të stisura kanë çuar në reanimacion jo vetëm transparencën e kutive por edhe idenë e bërjes opozitë në këtë vend. Kundërthënia e vazhdueshme me parlamentin, d.m.th prani e kushtëzuar dhe e pakushtëzuar, votim dhe mos votim të ligjeve, ose braktisje të komisioneve parlamentare ka zbuluar agjendën pa kokë dhe pa këmbë të hartuar nga lidershipi socialist. Pa plan-veprimi të qartë politik inercia kundërshtuese e opozitës majtiste ka qenë aksioni më jo frytdhënës i punës së saj.
Afërmendsh pastaj ndodh si me protestat nëpër rrethe të cilat tkurrën shpejt, edhe si pasojë e Emergjencës Civile në veri-perëndim të vendit. Kreu i socialistëve në një moment të parë tentoi të luante në dy fronte: nga njëra anë ekskursione protestash në Lushnje dhe Pogradec dhe në anën tjetër fajësimi i kryeministrit Berisha për furinë e tërbimit të natyrës në veri të vendit. Ndonëse shpejt u kuptua se ishte e pamundur dhe cinike politizimi i situatës në vend të solidarizimit kapilar të politikës dhe shoqërisë. Njësoj si një vit më parë shirat janë zjarrfikësja e tentativa të njëpasnjëshme për të marrë Pushtetin. Përkundër lufta për të marrë sa më shumë besueshmëri dhe kapital politik në vështirësinë e qeverisë për drejtuar evakuimin e njerëzve, sistemimin në ambiente të pranueshme dhe manovrimin e ndihmës pas ngjarjes Opozita e Ramës dëfteu një papërgjegjshmëri dhe një cinizëm të paparë.
Në suazën e përgjithshme opozita e bashkuara ka ardhur duke u tkurrur në iniciativa politike që pas vendimit të 8 nëntori për Liberalizmin e vizave për qytetarët e Shqipërisë. Çdo ditë pas kësaj date ishte një ditë gjykimi ndaj sjelljes së Partisë Socialiste në lehtësimin e këtij procesi. Dhe të gjithë kanë kuptuar se puna e bërë nga shoqata opozitare ka qenë tentativa për të sekuestruar ose frenuar sa më shumë integrimin e vendit deri në një kohë të caktuar. Këtë agjendë apatride e ka imponuar dhe promovuar Edvin Rama. Me dërgatat e tij në Bruksel a Strasburg për të mbjellë dyshime, frikë dhe pakënaqësi kanë dështuar për turp. Duke ditur se vetëm pas dy ditës hapet drita jeshile ndaj lëvizjes së lirë, çka është meritë e pa diskutueshme e agjendës pro-europianë të Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj.
Sidoqoftë me datë 15 dhjetor festohet ëndrra e realizuar e shumë njerëzve që ka kanë harxhuar para, djersë, lot dhe frikë për një vizë kalimi Schengen. Premtimi i kryeministrit Berisha për lëvizje të lirë brenda vitit ët parë të mandatit të dytë është një realitet i pamohueshëm. Mbajtja e premtimit është shprehja e seriozitetit më të cilën është punuar, me plotësimin e kritereve teknike nga administrata shqiptare. Një punë që merr kuptim pas dy ditësh ku shqiptarët çlirohen përfundimisht nga barrierat jo natyralë.
E pritshmja ndaj qeverisë Berisha shumëfishohet me disa herë. Kërkesa për marrjes e statusit kandidat dhe hyrja në BE do të jenë tema të padiskutueshme të agjendës politike. Shumë gjëra do të ndryshojnë vitin e ardhshëm. Ndërkohë Partia Socialiste gjendet e papërgatitur ndaj sfidave të integrimit, si dhe e paqartë në planin afat mesëm të lojës politike.