E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Ekonomia shqiptare thyen ato europiane, për vitin 2010-të rritja parashikohet në 4.1%

13-12-2010 / Gazeta 55

“Rritja ekonomike pozitive ishte një lajm po ashtu pozitiv për ekonominë shqiptare në opinionin ndërkombëtar dhe aq më tepër me ritme të tilla kaq të larta duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes ekonomike në Europë dhe në rajon”


Fjala e ministrit të Financave, Ridvan Bode, në aktivitetin e sotëm të Bankës Botërore, ku u prezantua memorandumi: “Axhenda e re e rritjes ekonomike për Shqipërinë”


"Së pari dëshiroj të falënderoj misionin e Bankës Botërore, prezencën në Shqipëri, këtë organizëm prestigjioz ndërkombëtar për kontributin që jep në kohën e duhur rreth zhvillimeve ekonomike në Shqipëri. Raporti, memorandumi ekonomik për Shqipërinë rreth Axhendës së re të rritjes ekonomike na krijon edhe një herë mundësinë për të analizuar zhvillimet në ekonominë shqiptare për gjatë viteve të fundit dhe njëkohësisht për të përvijuar tërësinë e reformave dhe masave, politikave dhe instrumenteve të cilat do të ishin të nevojshme për të mbështetur ekonominë shqiptare në sfidat e saj për rritje të lartë ekonomike dhe për një pozicion gjithnjë e më evident në ekonominë rajonale dhe atë globale. Gjatë dekadës së fundit, e veçanërisht gjatë 3 – 4 viteve të fundit, vendi ynë ka shënuar rezultate mjaft pozitive sa i takon performancës dhe zhvillimit të tij ekonomik. Një rritje ekonomike me mesatarisht mbi 6 për qind në vit, (nga më të lartat në Europë); thuajse tre-fishimi i të ardhurave për frymë në harkun e disa viteve dhe klasifikimi i vendit nga një vend i varfër në një vend me të ardhura mesatare; rezultate të tjera pozitive ekonomike të konfirmuara tashmë nga institucione të ndryshme ndërkombëtare mes të cilave dhe BB—ja, për rezultate pozitive në ambientin makroekonomik të vendit të stabilizuar, për një sasi reformash strukturore, reforma që kanë të bëjnë me përmirësimin e ambientit për biznesin, janë një dëshmi e fortë jo vetëm për progresin ekonomik të bërë gjatë viteve të shkuara, por krijojnë gjithashtu një mundësi dhe japin një perspektivë  pozitive optimiste edhe për të ardhmen e vendit tonë. Kjo dinamikë e progresit ekonomik manifeston një trend të qartë të Shqipërisë drejt konvergimit në nivelet e mirëqenies të vendeve të zhvilluara dhe të unionit ku ne aspirojmë të integrohemi në procesin e integrimit evropian. Axhenda e rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit, sigurisht që u afektua nga zhvillimet në ekonominë rajonale dhe atë botërore e filluar me krizën e sistemit financiar dhe pastaj me krizën ekonomike globale, ndikuan në ritmet e zhvillimit të rritjes ekonomike duke kaluar nga rritje prej 8 % në vitin 2008 në 3.3 % në vitin 2009 dhe pritet që për vitin 2010 të shkojnë në 4.1 %. Sidoqoftë, rritja ekonomike pozitive ishte një lajm po ashtu pozitiv për ekonominë shqiptare në opinionin ndërkombëtar dhe aq më tepër me ritme të tilla kaq të larta duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes ekonomike në Europë dhe në rajon. Pra mbetemi me dinamizmin më të madh ekonomik edhe përgjatë periudhës së krizës. Progresi i qenësishëm i arritur nga ekonomia shqiptare gjatë viteve të shkuara, sigurisht që është një kapitull tepër pozitiv i historisë ekonomike të Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë është një kapitull që nxjerr në pah sfidat e mëdha të së ardhmes. Zhvillimet e dekadës së fundit dëshmojnë qartë se tashmë vendi është në një trend të  mbarë ekonomik, ekonomia ka një dinamizëm të saj pozitiv dhe kjo sigurisht është tepër e rëndësishme, por nga ana tjetër ruajtja e këtij trendi rritës, të lartë, konsolidimi i mëtejshëm i tij është akoma më thelbësor dhe përbën sfidën e qeverisjes dhe gjithë faktorëve ekonomikë në të ardhmen. Në këto kushte pra, kur bota ekonomike ndodhet përballë transformimeve të mëdha, sfidave të mëdha për t’ju rikthyer ritmeve pozitive të rritjes, të cilat edhe pse pritet të fillojnë gjatë vitit 2011 në mënyrë të qëndrueshme, do të duhet kohë për të rikuperuar rënien ekonomike të periudhës së krizës, mbase disa vite, natyrshëm ka lindur dhe ka hapur debatin dhe diskutimin rreth rritjes ekonomike, edhe në ekonominë shqiptare. Duhet thënë se dinamizmi dhe rritja e ekonomisë shqiptare pikërisht ka përballë suksesin, modelin tonë ekonomik i cili bazohet në një qëndrim tërësisht liberal ndaj biznesit dhe në një politikë mbështetëse në raport me të. Nuk ka pasur modele të përqendruara, të financuara dhe të subvencionuara nga ana e shtetit, nuk ka pasur modele të bazuara mbi financime jo të qëndrueshme të sistemit financiar mbi ato flluska, apo tullumbace që u vërejtën në ekonomitë e tjera. Dhe kjo na bën të besojmë se edhe në të ardhmen e nesërme ekonomia shqiptare do të vijojë të performojë siç performoi përgjatë krizës  në mënyrën më pozitive. Përtej debateve dhe diskutimeve pasionante që bëhen nga qarqe të ndryshme të politikës apo të botës akademike edhe një herë, qeveria rikonfirmon qëndrimin e saj për modelin e rritjes ekonomike në Shqipëri, i cili nuk do të jetë një model i organizuar, i përqendruar, i planifikuar, i drejtuar, por do të jetë një model i cili do të mbështetet në disa parime të dëshmuara, të suksesshme për të gjithë periudhën e tranzicionit për ekonominë shqiptare. Në rradhë të parë qeveria mendon se si bazë për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme ka shërbyer dhe do të shërbejë stabiliteti makroekonomik i vendit, angazhimi i saj thelbësor edhe për gjatë periudhës së krizës dhe presioneve të krizës globale në ekonominë shqiptare për të mos denatyruar treguesit kryesorë që përbëjnë bazën e ekonomisë shqiptare të tilla si niveli i borxhit publik, i deficitit, i inflacionit, i papunësisë, i kursit të këmbimit, i raporteve të ekonomisë shqiptare me ekonominë rajonale dhe atë ndërkombëtare. Të gjitha këto kanë qenë dhe mbeten në vëmendje të qeverisë shqiptare për të krijuar shtratin mbi të cilin duhet të ndërtohen strategjitë e biznesit në planin mikroekonomik. Pra vijimi dhe përqendrimi në një qëndrueshmëri të treguesve kryesorë makroekonomikë të vendit, do të vijojë të mbetet në perspektivë, një nga prioritetet kryesore të qeverisë. Së dyti, në vijim të idesë së krijuar, për t’u lënë protagonizmin e zgjedhjes së modelit e shpërndarjes dhe rishpërndarjes së kapitaleve njerëzore dhe financiare, qeveria synon që të mbajë një ambient të përshtatshëm në planin mikroekonomik për biznesin. Politika e taksave të ulëta, përbën jo një zgjidhje konjukturale por një strategji të qëndrueshme në programin zhvillimor të qeverisë. Përgjysmuam nivelin e taksave në harkun e tre viteve, të taksave të drejtpërdrejta, sepse ne besojmë se protagonizmi për zgjidhjen e problemeve të mëdha dhe sfidave që ka vendi ynë, drejt përafrimit me standardet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, është dhe duhet të mbetet në duart e iniciativës së lirë, në duart e biznesit. Duhet t’i besojmë gjenisë krijuese të komunitetit të biznesit modelet e zhvillimi të ekonomisë së vendit, qeveria me politikat e saj duhet të mbështesë strategjitë e biznesit, duhet të jetë mbështetëse dhe përkrahëse. Mendoj që politika e taksave të ulëta të drejtpërdrejta mbi biznesin, e dëshmuar gjatë viteve të fundit, afrimi i raporteve mes taksave të drejtpërdrejta dhe atyre jo të drejtpërdrejta drejt ekonomive më dinamike të botës, përbën ritmin më të mirë të politikave tona fiskale. Dhe realisht ne mundësuam që taksat e drejtpërdrejta nga 55 % të të ardhurave në buxhet që zinin vite më parë, të zbresin nën 50 % të buxhetit. Pjesa dërmuese e të ardhurave nuk duhet të vijë prej taksimit të drejtpërdrejtë të biznesit, prej denatyrimit të strategjive investuese që ka komuniteti i biznesit. Do vijojmë me reformat për liberalizimin dhe rregullimin. Qeveria në harkun e tre-katër viteve të fundit ka mundësuar mënjanimin e një numri të madh të licencave dhe patentave. Përmirësimi i shërbimeve në raport me biznesin përmes modernizimit të tij në disa sportele unike për kryerjen e një numri të madh procedurash, ulja e kostos për hyrjen dhe daljen nga tregu, uljen e kostos për përfitimin e lejeve dhe licencave përbën një nga elementët të cilët kanë mundësuar dhe kanë lehtësuar biznesin në ndërtimin e strategjive investuese dhe rishpërndarjen e aktiviteteve të tyre në një kohë sa më të shkurtër. Sigurisht që ne jemi të bindur se sistemi financiar, sistemi bankar në rradhë të parë i cili përbën rreth 90 % të sistemit tonë financiar, do të vijojë të jetë partneri kryesor në krijimin e kushteve më lehtësuese në strategjitë investuese të kompanive. Problemet e krijuara në dy vitet e fundit dhe që lidhen me rritjen do të thoja hiperbolike të nivelit të kreditimit të ekonomisë reale në harkun e tre viteve, ku nga viti në vit kemi dyfishuar dhe trefishuar vëllimin e kredive dhënë biznesit privat duke rritur nga 7.5 % në vitin 2005 në rreth 38 % në fundin e vitit të kaluar, sigurisht krijon një problematikë dhe unë do të ftoja sistemin financiar, bankat që pikërisht në situatën e krijuar si rezultat i krizës ekonomike globale por dhe nevojës për të rishpërndarë bizneset dhe për t’i orientuar drejt aktiviteteve që janë në përputhje me kërkesën e tregut të brendshëm dhe tregut rajonal, i cili është ndikuar dhe ka ndryshuar përgjatë krizës globale, t’i rikthehet partneritetit me biznesin dhe të shikojë me kujdes e të ndihmojë, të krijojë kushtet maksimale për të ndihmuar bizneset në ekonominë reale që të rishpërndajnë, të riformulojnë strategjitë e tyre. Është e thjeshtë vënia përballë falimentimit dhe kjo do të ndodhë dhe duhet të ndodhë, sepse ka biznese të cilat nuk mund t’i përshtaten botës së re ekonomike në rajon dhe më gjerë , por nga ana tjetër është absolutisht i domosdoshëm një qëndrim dashamirës dhe bazuar në përllogaritje ekzakte për të mundësuar që bizneset të rishpërndajnë kapitalet e tyre drejt aktiviteteve më të qenësishme dhe më me perspektivë. Do të vijmë të mbetemi në politikat buxhetore, me politika të qëndrueshme që janë në kahun e rritjes së ekonomisë së vendit në mënyrë të qëndrueshme. Një qeverisje e vogël ka qenë dhe do të mbetet platforma e qeverisë shqiptare dhe mendoj se edhe në perspektivë ky model tashmë duhet pranuar gjerësisht. Kjo do të thotë që objektivat afatmesme që ka vendosur qeveria dhe që janë se jo më shumë se 1/3 , jo më shumë se 31 % e PBB-së duhet të administrohet nga qeveria dhe mbi 2/3 duhet të jenë objekt i strategjive, i zgjedhjeve që bën bota e biznesit, që bën nisma e lirë. Nëse do të vijojmë që të rrisim pjesën e të ardhurave dhe PBB-së që destinohen në duart e qeverisë do të ulë efektivitetin dhe ritmet e rritjes perspektive të ekonomisë së vendit. Qeverisja e vogël, bazuar në prioritete të cilat po ashtu synojnë mbështetjen e ekonomisë përbën një zgjedhje të gjetur të qeverisë. Mbështetja tek investimet publike, ku rreth 1/3 e buxhetit destinohet për investime publike mendoj se përbën një zgjedhje favorshme perspektivën e rritjes së favorshme të ekonomisë së vendit, sepse realisht ekonomia ka nevojë për infrastrukturë e cila mungon në një pjesë të mirë të vendit dhe integrimi i brendshëm ekonomik është emergjent për të arritur një rritje perspektive të balancuar, të shpërndarë në të gjithë territorin e vendit dhe të qëndrueshme. Ndërkohë, reformat strukturore të qeverisë, axhenda e tyre duhet të vijojë të përshpejtohet për krijuar të gjithë ambientin e domosdoshëm për një rritje pozitive dhe të lartë të ekonomisë shqiptare përballë sfidave që na presin. Një kontekst të tillë të debatit ekonomik, rreth modelit dhe ritmeve të zhvillimit të ekonomisë së vendit, ideve të ndryshme për të rregulluar rritjen perspektive ekonomike të vendit, apo për ndërhyrje dhe përqendrim të instrumenteve të zhvillimit ekonomik të vendit, mendoj që raporti i sotëm, memorandumi ekonomik për axhendën e re të rritjes ekonomike të Shqipërisë, përbën një dokument tepër të vlefshëm për të adresuar problematikën që ne kemi identifikuar. Ky memorandum i hartuar me profesionalizëm të lartë nga ekspertët e BB-së, ku përmblidhen kapacitete nga më të mirët e institucioneve ndërkombëtare për të analizuar dhe orientuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendeve të veçanta, do të jetë një dokument bazë për politikat dhe programin e masave që qeveria do të ndërmarrë në periudhat në vijim. Edhe një herë duke shprehur vlerësimet më të larta dhe falënderimet për punën e bërë nga ana e BB-së, për instancat më të larta të këtij institucioni për dashamirësinë dhe përkushtimin që kanë pasur për përgatitjen e një analize të tillë kaq të detajuar, do të ftoja të gjithë aktorët ekonomikë që çdo ditë e më shumë të kontribuojnë në riorientimin e shpejtë të zhvillimit ekonomik të vendit në përputhje me rrethanat e krijuara në ambientin e ekonomisë rajonale dhe asaj globale".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›