Feudi i veriut
Kur Ahtisaari vendosi premisat e planit të tij në një Kosovë të pavarur, nuk kishte lënë pa përmendur faktin se gjërat e shkruara në letër janë pjesa më e lehtë e marrëveshjes, sepse dihej që një fund do të jetë i imponuar. Ndonëse jo optimist për pjesën tjetër pas pavarësisë së Kosovës, nuk kishte lenë pa shtruar pyetjen kryesore, kur konkludonte: “Cila është, atëherë, detyra e të gjithëve për një të ardhme të lirë të qytetarëve në një Kosovë të pavarur?”
Përgjigjja e tij në pyetjen e shtruar ishte e qartë: Problemi kryesor është implementimi i asaj që është shkruar në dokumentin ‘Ahtisaari’. Duke dëgjuar deklaratat për veriun nga opozita e munguar e Kosovës, kihet përshtypja se gjithçka që duhet të bëhet në veri është detyrë e shtetit të Kosovës.
Por dihet qartë se këtë problem nuk e rregullon as qeveria, as UNMIK e as EULEX me shpejtësinë që kërkohet në opinion. Këtë problem e rregullon koha dhe ekonomia. Kujtojeni se sa kohë është dashur të harxhohet për një Kosovë të pavarur. Nuk duhet harruar se me veriun ndodhi ajo që pritej dhe e deklaruar nga një lider serb, Jakshiç, ku qartas deklarohej për sistemin paralel në Kosovë duke lëvizur nga një pozicion i heshtur në deklaratë publike se “do të formohej parlamenti serb”. Pra, shihet qartë se gjëja kryesore që mbetet për sistemin politik dhe juridik në Kosovë është implementimi i asaj që është shkruar në letër nga Ahtisaari. Me gjithë mungesën e seriozitetit te një pjesë nacionaliste serbe, shihet qartë se “Ahtisaari” mund të përballet me problemin e tij kryesor: Entuziazmin serb për të rrënuar një projekt paqeje, ku premisë kryesore është përfitimi nga gjendja e kaosit që mund të krijohet.
Ndonëse nisma për implementimin e shtetit juridik në veri duhet të bëhet nga bashkësia ndërkombëtare, përmbajtja e ngatërresës që po ndodh përgjithësisht është e ndërtuar mbi kujtesën e asaj që shqiptarët ndërtuan gjatë viteve nëntëdhjetë. Sistemi paralel si fondament i refuzimit të pushtetit okupues gjatë viteve nëntëdhjetë ka qenë i ndërtuar përgjatë gjithë njëzet viteve të fundit. Arsyet tashmë janë të njohura për opinionin. Por ndërtimi i ngjashmërisë dhe përdorja e kodeve të njëjta, nga ana e serbëve, si model refuzues i një shteti dhe një formacioni evropian, që është garantues i paqes dhe implementimit të sigurisë për serbët, nuk mund të ketë mbështetje dhe as sukses. Nuk mund të vërë idenë refuzuese mbi konceptin e paqes dhe shtetit evropian. Ajo së cilës ne duhet t’i kundërvihemi është fakti i trishtueshëm se zhvillimet e tashme po ndërtohen mbi një kujtesë nga e kaluara që po ruan karakteristikat e dhunës, idesë së luftës, prishjes së sistemit dhe nacionalizmit që po funksionon dhe është i suksesshëm. Ky model joevropian po nxjerr gjithçka të fëlliqur, të shëmtuar dhe se egërsia shtazarake e nacionalizmit vazhdon të shfaqet si virtyt. Ndoshta kjo ka një datë, kur do të ndalet. Ndoshta, ka një njeri në Serbi që s’jep asnjë përkrahje dhe e ndal brutalitetin e gjuhës së luftës. Besoj se gjithkush duhet të ndjejë neveri nga kjo që po pritet të ndodhë ose, thënë më lehtë, është paralajmëruar të jetë e vështirë për institucionet e Kosovës. Sfiduese është kjo që po ndodh, sepse modeli i politikanit Koshtunica po vdes në serbi. Po vdes edhe fjalori i idesë së luftës. Vetëm disa javë më parë politika serbe me Koshtunicën në krye ishte fjalor me plot shkëndija frymëzuese për një ide destabilizimi që përmbajtjen e ka në modelin e bandave të veriut me në krye politikanin Jakshiç.
Kush mund t’i vërë fre këtij brutaliteti?
Besoj se të gjithë e dinë se institucionet e Kosovës duhet të tregohen vullnetmirë për të drejtuar shigjetat kah implementimi i planit ‘Ahtisaari’. Por janë të pafuqishme që të ndërhyjnë në një mjedis me serbët, ku gjithçka është si shkëndijë, ku gjithçka është plasëse dhe në pikën ku mund të luhatet paqja.
Bindja është se, kur gjithçka është e fëlliqur dhe i vjen era, nuk duhet lënë që të ngatërrohet me institucionet kosovare. Në këtë rast, me shqiptarët. Duhet që EULEX të bëjë punën kryesore. Nuk duhet lënë sistemi i veriut vetëm në dorën e ndonjë ministri që jetën politike, decentralizimin dhe idenë e Ahtisaarit e shohin si roman letërsie. Aq më keq, kur me probleme kaq serioze merret një grup që dijeninë për decentralizimin e kupton si imazh e jo si koncept. E kupton si harxhim kohe e jo si bartës të idesë.
Nuk duhet lënë në dorë as të atyre këshilltarëve që sistemin e decentralizimit e kuptojnë si formën e djathit të vrimëzuar zviceran; ku referencën e parë për decentralizimin e kanë të shkronjat e një dokumenti e jo të përmbajtja e kuptimit të asaj që quhet feud politik i enklavave. Ndërkombëtarizimi total i veriut mban peshën e paqes, por assesi nuk duhet lënë anash prekja ekonomike që duhet bërë me këtë pjesë të Kosovës që realisht nuk i ngjan as Kosovës dhe as Serbisë, por është një feud i sunduar nga kriminelët dhe grabitësit. Nuk ka më lehtë që t’i fusësh ata nga jeta e grabitqarit në jetën e vrasësve. Ata vetëm duan një strehim, ku ligji nuk funksionon.
Ditën kur ligji do shtrihet në veri, asgjë nuk mund të ndodhë andej. Deri atëherë gjithçka do të jetë e mundshme. Të gjithë kanë besimin se gjërat e rënda kanë kaluar dhe ato nuk mund të kthehen. Por një gjë është e sigurt, ato gjëra kthehen, sa më shumë që ata jetojnë në një feud të sunduar nga kriminelët.