E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infeksionet nga plazhi, të paktën 50 të prekur në ditë

“Nënë Tereza” pret fluks pacientësh në pavijonin e dermatologjisë dhe infektivit, pas fundjavës së kaluar në plazh

Stina e verës nuk ka sjellë mbipopullim vetëm në shërbimet e urgjencave ku trajtohen virozat e stinës. Ndryshe nga stinët e tjera, për shkak të plazhit, çdo ditë paraqiten për ndihmë të specializuar të paktën 50 pacientë, për shkak të infeksioneve të plazhit. Të dhënat janë statistika vetëm nga qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”. Të tjera raste priten për trajtim në qendrat shëndetësore apo poliklinikat në kryeqytet. Pacientët janë kryesisht të prekur nga infeksionet e ujit dhe paraqiten për t’u trajtuar nga problemet e lëkurës në përgjithësi, problemet me aparatin e dëgjimit, si dhe për infeksione të syve. Sipas mjekëve, fluksi më i lartë i pacientëve është gjatë dy ditëve të para të javës, të hënës dhe të martës, menjëherë pas kthimit nga plazhi.

Infeksionet e plazhit

“Zakonisht janë 10-15 pacientë që paraqiten me infeksione, por kujdesi më i madh duhet të jetë për fëmijët. Problemet e tyre janë edhe më të komplikuara për shkak sepse lëkura e tyre nuk është rezistonte njësoj si te një i rritur. Fluksin më të madh të rasteve e ka spitali i Durrësit, por rastet specifike trajtohen në Tiranë”, tha Ermira Veseli, shefe e shërbimit të dermatologjisë pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Sipas saj, menjëherë pas konstatimit të problemeve me lëkurën këshillohet vizita te mjeku. Kjo për të kapur në kohë problemin dhe për ta trajtuar në mënyrën e duhur.

Pranë shërbimit të dermatologjisë, në godinën fqinje ndodhet edhe ORL-ja njohur ndryshe si “spitali francez”. Aty ku paraqiten çdo ditë për ndihmë nga 10-30 persona, të prekur nga infeksionet e syve dhe të veshëve. Sipas mjekëve specialistë të këtij shërbimi, të prekurit nga infeksionet e aparatit të dëgjimit janë ata të cilët qëndrojnë për një kohë të gjatë në ujë, hidhen nga lartësi dhe dëmtojnë gjatë qëndrimit në pishinë apo në det veshin, duke marrë edhe infeksione të ndryshme. Një pjesë e mirë e pacientëve që paraqiten me probleme për shkak të ujit të ndotur janë edhe pushuesit të cilët kanë marrë infeksione në sy. Sipas okulistëve, kjo ndodh për shkak të ujit të papastër, por edhe për shkak të virozës së syve, e cila është infektive dhe mund të merret edhe vetëm nga kontakti me duar. Sakaq, të sëmurë të tjerë me probleme gastrointestinale për shkak të motit, ushqimit, por edhe ujit paraqiten për vizitë në shërbimin e infektivit.

Virozat

Qindra fëmijë dhe të rritur janë prekur këto ditë nga virozat e stinës dhe helmimet. Në urgjencën e pediatrisë, por edhe tek infektivi, paraqiten çdo ditë rreth 90 persona me të vjella dhe diarre. “Ashtu si dhe në korrik, edhe gushti ka të njëjtin fluks, rreth 90 të shtruar në ditë. 1/3 e rasteve janë helmime nga ushqimi. “Kujdesi duhet të jetë te uji i pijshëm dhe ushqimet, që nuk duhet të konsumohen pasi kanë qëndruar 8 orë në diell, por duhet të konsumohen të freskëta”, sqaroi mjekja infeksioniste, Ermira Cuko.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›