14 prill 1916, Rey duhet të bëjë vaksinën e kolerës
“E premte, 22 prill. Në orën 10:00 të mëngjesit lë tumulus-in për të shkuar që të bëjë vaksinën në Selanik. Duke mbërritur në spital, takoj Pierre-in. Si zakonisht e pyes për të rejat. Fytyra e tij u ngrys dhe ai më futi në dhomën e tij. ‘Kam një lajm të trishtë për të dhënë. Më duket se keni një vëlla...’. Dhe ai më zgjati një telegram: “Të lajmërohet Rey për lajmin e dhimbshëm. Jean është plagosur për vdekje më datën 10 prill”. është një dhimbje e tmerrshme, shumë më e madhe se ajo e para një viti. Atë e kishin mjekuar mirë, e kishin përkëdhelur dhe ja, shkoi për t’u vrarë. Me vete kam fotografinë e tij. E shoh. Ku janë sytë e tij blu? A nuk më thoshte ai se pas lufte dhe unë do martohem si ti?! Por jo, duhej që të shkonte në luftë, të luftonte dhe të vritej. Në letrat e tij të fundit ai më fliste gjithnjë për Lilinë dhe me shumë dashuri. Po nëna? Nëna e shkretë që ka mbi supe këtë barrë të rëndë? Ajo nuk jetonte veç për të. Lodhej dhe gjithnjë kishte frikë. Padyshim, në shtëpi do të jetë një boshllëk i madh. Ai ishte i gëzuar dhe e mbushte zbrazëtinë e shtëpisë. Fërshëllente, këndonte, nuk e mbante vendi. Po udhëtimi ynë i këndshëm në Pouliguen, gjuetia dhe aventurat tona? I premtonim njëri-tjetrit që pas lufte do të qëndronim shumë me njëri-tjetrin. Por shërbimi i tij ushtarak na ndau disi. Në Rouen, dimrin e kaluar shkova ta takoja në Rue des Ours. Ishte i sëmurë. E shoqërova deri në kazermë, në atë kazermë që ishte e errët si të ishte një varr. Por në Bièvres, me miqtë tanë Bosnel, ai ishte shumë i gëzuar. E pashë tetorin e shkuar në spital, në Paris, me kokën e tij të fashuar. Shtrati i tij ishte pranë dritares. Pranë tij ishte një oficer i plagosur. Për shkakun e tij dhe rregullave të spitalit, ne nuk u pamë dhe aq shumë, aq sa do të doja. Hera e fundit ishte më 11 tetor, kur u ktheva me leje në Paris. Ishim bashkë me nënën te Potin, pastaj unë isha rreth Operës për të blerë një rrip dhe ja ku erdhi karroca që më mori dhe më çoi në spital ku gjeta dhe nënën. Qëndruam atje deri kur i sollën darkën... E lexova dhe e rilexova atë telegram. Jo s’ka dyshim, s’bëhet fjalë për ndonjë lajm të gabuar e megjithatë unë nuk arrij të besoj, shpresoj akoma. Këtë mëngjes, që pa aguar, më duket se ëndërroja. Ah sikur Lilinë, me butësinë e saj, ishte krah meje. Diçka është thyer në jetën time për shkak të këtyre dy vdekjeve dhe për shkak të dhimbjes së nënës dhe të Zoga-s.”
#