Infeksionet spitalore, masa për 50 punonjës
Eglantina Bardhi
Infeksionet spitalore janë një ndër problemet më të madha që ndeshin pacientët. Në fakt jo rrallë herë këta të fundit kanë shkuar për tu shëruar për një sëmundje dhe kanë dalë nga spitali me dy sëmundje dhe kjo pikërisht për shkak të infeksioneve që kanë marrë në spitale sidomos në sallat e operacionit.
Problematikën e pohojnë vetë institucionet shtetërore të cilët theksojnë se inspektimet e fundit në qendrën më të madhe spitalore ne vend « Nënë Tereza » të dhënat janë alarmante sepse analizat për pastërtinë tregojnë se në mjediset spitalore dhe sallat e operacionit të kësaj qendre niveli i infeksioneve është i lartë.
Kështu thonë inspektorët e Drejtorisë së Shëndetit Publik të Tiranës, të cilët po monitorojnë QSUT-në në lidhje me infeksionet spitalore, nivelin e higjienës por dhe pajisjen me libreza të punonjësve. “Aktualisht janë rreth 50 masa administrative. Kemi konstatuar probleme të infeksioneve spitalore, persona që shkojnë me një dhe dalin me dy infeksione. Kjo nuk do të tolerohet nga ana jonë. Është e papranueshme që një mjek i cili vjen nga lokali dhe shkon futet direkt në sallën e operacionit”,- thotë Mëhill Gecaj, Drejt i Shëndetit Publik, Tiranë.
Gjoba janë vendosur edhe për sanitarët, kryeinfermierët dhe shefat e pavioneve, të cilët nuk janë kujdesur për higjienën në sallat e operacioneve. Më problematik është Spitali Nr.1 dhe sallat e operacionit në të, por dhe spitali i Sëmundjeve të Brendshme. Gjoba kanë marrë edhe mjekët, por edhe shefat e pavioneve, që nuk kanë qenë të pajisur me librezë shëndetësore. “Vetë punonjësit, mjekët, infermierët dhe gjithë personeli mjekësor duhet të ketë librezën shëndetësore të lëshuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Pra, ky person së pari duhet të jetë vetë i garantuar për problematikat të cilat kanë të bëjnë me shëndetin publik”,- thotë Gecaj.
Inspektimet në QSUT parashikohet të kryhen deri në fund të janarit. Menjëherë pas kësaj qendre spitalore, inspektorët e Drejtorisë së Higjienës do të kontrollojnë edhe dy Maternitetet e Tiranës. Ndërkohë një studim i Institutit të shëndetit publik e rendisin vendin tonë më problematikun në Evropë sa i takon infeksioneve spitalore. Ndërkohë specialistët pohojnë se infeksionet spitalorë mbeten problematikë jo vetëm për shqetësimet shëndetësore që shkaktojnë tek pacientët, por dhe për shkak të kostos së lartë në ekonominë familjare dhe atë kombëtare.
Sipas mjekëve, një të sëmuri të tillë i duhet të qëndrojë në spital mesatarisht edhe 5 apo 7 ditë më tepër se sa do të qëndronte në një situatë tjetër. Në fakt, që një vit më parë, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një urdhëresë për ngritjen e grupeve të punës me mjekë bakterologë, infeksionistë dhe infermierë që duhet të mbikëqyrin 12 spitale rajonale për këtë problem. Megjithëse infeksionet spitalore sipas mjekëve në shumë situata janë të pashmangshme, kushtet dhe higjiena mbeten dy faktorët kryesorë që diktojnë intensitetin e problemit që ato shfaqin jo vetëm për shëndetin e pacientëve, por dhe kostot e trajtimit të tyre.
