E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat e Topit perballe gares per kreun e ri te shtetit

E deklaron veten si lojtar mesfushe, kur nuk resht së dëshiruari sulmin. Kjo sjellje e Presidentit të Republikës i shkon për shtat fabulës së famshme “Dhelpra dhe Rrushtë”. Kjo sepse Topi nuk ka asnjë hapësirë në fushë për të luajtur sulmuesin, ndërsa nuk ia ka dalë të luajë as rolin e arbitrit mes palëve, atë që Kushtetuta ia kërkon.
Veçanërisht këtë fundvit, Topi është shfaqur konfuz në deklaratat e tij. Në pritjen e fundvitit deklaroi se nuk do të jetë President vitin e ardhshëm, sepse mbështet rotacionet e natyrshme. Por nga ana tjetër, në rrethanat kur asnjë nga forcat politike nuk ka shans ta kandidojnë, Topi ka filluar të sfidojë jashtë fushës dhe rregullave kushtetuese të lojës, kur flet për zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Kjo do të thotë që Topi e mbështet atë që e quan rotacion të natyrshëm të mandateve presidenciale kur kuadri ligjor nuk i lë asnjë mundësi tjetër. Përkundrazi nëse gara për kreun e shtetit do të bëhej në popull, Topi do ta dëshironte edhe një mandat të dytë dhe prirja për rotacionin nuk qëndron.
Kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës kanë folur për garën e ardhshme presidenciale, dhe zoti Topi nuk është pjesë e parashikimeve te tyre.
Rama ka kërkuar nisjen e një procesi dialogu për President konsesual, ndërsa kryeministri Berisha ka deklaruar se kreu i ardhshëm i shtetit do të jetë një nga drejtuesit e selisë blu.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›