E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermierët në protestë: Duan të na largojnë nga puna

Infermierët e spitalit të Shkodrës të përkrahur nga BSPSH kundërshtojnë vendimin e Ministrisë për largimin e infermierëve me shkollë të mesme

Shkodër

Infermierët e spitalit të Shkodrës kanë protestuar dje kundër vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për të larguar nga puna infermierët pa shkollë të lartë, edhe pse ato kanë kurse një e dyvjçare dhe eksperiencë pune të gjatë.


Infermierët janë përkrahur nga Bashkimi i Pavarur të Sindikatave të Shqipërisë, dega Shkodër, të cilat kanë theksuar se bluzat e bardha nuk duhet të jenë nën presionin e pushimit nga puna, pasi ata kanë përvojë profesionale. Infermierët nuk kundërshtojnë arsimin e lartë, por kërkojnë disa kushte për arsimimin e tyre.


Protesta


Bluzat e bardha kanë nisur protestat në qytetin e Shkodrës, pasi nuk janë dakord me vendimet që merr dikasteri i Shëndetësisë, sipas të cilit do të ketë largime nga puna për infermierët me shkollë të mesme. Sipas Sindikatave të Pavarura, ky vendim duhet rishikuar, pasi të diskutohet në një tryezë të përbashkët edhe me lëvizjen sindikaliste, por edhe me vetë infermierët.


Sindikalistët dhe infermierët kanë kërkuar që të gjenden zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Sipas kreut të BSPSH, dega Shkodër, Albert Tukaj, ky urdhër është absurd, pasi këta infermierë kanë mbi 20 vjet që e ushtrojnë këtë profesion dhe gjatë këtyre viteve kanë marrë dhe njohuri teorike në drejtim të formimit të tyre profesional.


"Është e drejtë që në politikat punësimit të shihen me përparësi studentët që kanë përfunduar shkollën e lartë për Infermieri, por kjo nuk do thotë që të largohen nga puna infermierët e vjetër dhe me përvojë të gjatë në profesion.


Në kushtet e një krize ekonomike, ku janë rritur së tepërmi çmimet e produkteve jetike, çmimi i energjisë elektrike etj., t'u kërkosh këtyre infermierëve të regjistrohen nëpër shkollat e larta private, me degë Infermierie dhe me faturë financiare të lartë, është e pamundur", ka theksuar Tukaj.


Arsimimi

Vetë infermierët nuk kundërshtojnë arsimimin e lartë, por kërkojnë që në universitetet publike dega Infermieri, ato të hyjnë pa konkurs dhe në sistemin Part-Time ose pa shkëputje nga puna, në mënyrë që të mos përfundojnë në rrugë, por dhe kostoja e studimeve universitare të jetë e përballueshme për ekonominë dhe pagat e tyre.


Infermierët, të cilët kanë marrë pjesë në këtë protestë të shkurtër, në oborrin e spitalit rajonal të Shkodrës, kanë theksuar se kanë qenë kushtet ekonomike ato që nuk i kanë lejuar të vazhdojnë studimet e larta për Infermieri, degë kjo që ka pak vite që është hapur në Universitetin e Shkodrës, ndërsa në universitetet private e kanë të pamundur për shkak të tarifave të larta që kanë ato.


Nga sindikalistët e shëndetësisë në Shkodër, vendimi për arsimimin e lartë të detyrueshëm të infermierëve është cilësuar si arbitrar dhe që favorizon arsimin e lartë jopublik, i cili krahas çmimeve tepër të larta, nuk ka ende akreditimin nga shteti dhe Ministria e Arsimit. Sipas të dhënave që ofrojnë sindikatat e pavarura, por dhe shërbimi shëndetësor publik, rreth 70 % e infermierëve nuk kanë arsimin universitar për Infermieri.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›