Universitetet, çelen degë të reja

Hapet në Pogradec filiali i universitetit "Fan S. Noli" për programin "Cikël i ulët dhe anglisht në ciklin fillor"
Në vendime, terminologjia e vjetër. Titujt bachelor dhe master i shkencave, pas miratimit të ligjit për arsimin e lartë
Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme hapjen e disa degëve të studimeve në universitete publike të vendit. Duke mbajtur premtimin për rritjen e pranimeve të maturantëve në universitete, kryeministri Sali Berisha ka miratuar hapjen e disa degëve të reja në ciklin e parë të studimeve, por jo aty ku kërkesa është më e madhe, në kryeqytet, por kryesisht në universitetet rajonale të vendit.
Kështu, në tetor të këtij viti do të nisin për herë të parë në universitetin "Aleksandër Moisiu", në Durrës, programet e studimit të ciklit të parë "Juridik", "Shkenca Kompjuterike", "Sistemet e informacionit" dhe "Teknologji informacioni".
Në përfundim të programeve, të cilat zgjasin tre vite, studentët duhet të kenë plotësuar 180 kredite dhe do të pajisen me "Diploma të Nivelit të Parë", DNP, përkatësisht në drejtimet Drejtësi, Shkenca Kompjuterike, në Sistemet e Informacionit dhe Teknologji Informacioni.
Tiranë
Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të Universitetit Politeknik të Tiranës, do të çelet programit i studimeve, të ciklit të parë, "Inxhinieri Ekonomike". Në përfundim të këtij programi studimi lëshohet "Diplomë e nivelit të parë", DNP, në Inxhinieri Ekonomike. Programi i studimeve të ciklit të parë realizohet me 180 kredite, ECTS, dhe kohëzgjatja normale e tij është tre vite akademike.
Në Fakultetin e Infermierisë, të Universitetit të Tiranës, çelet programi i studimeve të ciklit të dytë, në "Teknik Imazheri", i cili realizohet me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është një vit akademik. Kuota e pranimit në këtë program studimi, për vitin akademik 2010-2011, është 60, ndërsa tarifa e shkollimit, për këtë program studimesh, të ciklit të dytë, është 60 mijë lekë.
Vlorë
Në universitetin "Ismail Qemali", do të hapen programet e studimit të ciklit të parë "Matematikë - Fizikë", "Shkenca Kompjuterike" dhe "Akuaristikë". Në përfundim të këtyre programeve të studimit lëshohen, përkatësisht, "Diplomë e Nivelit të Parë, DNP, në Matematikë - Fizikë", "Diplomë e Nivelit të Parë, DNP, në Shkencat kompjuterike" dhe "Diplomë e Nivelit të Parë, DNP, në Akuaristikë". Programet e studimit të ciklit të parë realizohen me 180 kredite, ECTS, dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike.
Elbasan
Në universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Fakultetin e Shkencave Humane, do të çelet programi i studimeve të ciklit të dytë, në degën "Gjuhësi". Ky program studimi, i cili e fillon veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2010 - 2011, do të realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij duhet të jetë dy vite akademike. Për vitin akademik që do të nisë në tetor, në këtë program do të pranohen 20 studentë. Tarifa e studimit është 60 mijë lekë.
Korçë
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë është vendosur gjithashtu hapja e programit të studimeve të ciklit të dytë, në "Filozofi Sociale", në Fakultetin e Mësuesisë, të universitetit "Fan S. Noli", Korçë. Programi i studimeve të ciklit të dytë realizohet me 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është dy vite akademike. Kuota e pranimit në këtë program studimesh, për vitin akademik 2010-2011, është vetëm 20.
Universiteti "Fan. S. Noli", Korçë, i jepet e drejta për të përcaktuar kriteret e pranimit të kandidatëve, të cilat duhet t'i bëjë publike paraprakisht. Tarifa e shkollimit për këtë program studimesh të ciklit të dytë, për vitin akademik 2010-2011, është 60 mijë lekë dhe studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Në këtë universitet është miratuar edhe hapja e programeve të studimit të ciklit të parë në "Biologji - Kimi" dhe "Histori - Gjeografi".
Gjithashtu, për herë të parë, këtë vit akademik do të çelet në qytetin e Pogradecit një filial i Universitetit "Fan S. Noli", të Korçës. Gjatë vitit 2010-2011, aty do të nisë programi i studimit të ciklit të parë "Cikël i ulët dhe anglisht në ciklin fillor". Programet e studimit realizohen me 180 kredite, ECTS, dhe kohëzgjatja normale e tyre është tre vite akademike.
Në vendimet e miratuara janë përdorur termat e ligjit aktual për arsimin e lartë, si DNP, DND, Master i niveli të parë etj. Në fakt, sipas Ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, të gjithë të diplomuarit e ciklit të parë të studimeve, duke filluar që nga ky vit nuk do të pajisen me diploma të nivelit të parë, por me diplomën e njohur ndërkombëtarisht si Bachelor.
Ndërsa, sipas ligjit të ri, në përfundim të programit Diplomë e Nivelit të Dytë, studentët pritet të pajisen më Master shkencor dhe jo sikundër janë cilësuar në vendimet e mësipërme DND. Deklaratën për ndryshimin e titujve të diplomave, ministri e ka bërë gjatë një dalje publike, ku ka shpjeguar risitë që sjell ligji i ri për arsimin e lartë që pritet të miratohet së shpejti.
Masteri shkencor në Arkeologji, 60 mijë lekë
Gjatë mbledhjes së djeshme të këshillit të Ministrave është miratuar edhe një ndryshim i vendimit për tarifat e shkollimit. Kështu kabineti ministror ka vendosur që tarifa e programit të ciklit të dytë të studimeve për Arkeologji, në Universitetin "Eqrem Çabej", në Gjirokastër të jetë 60 mijë lekë.
Në këtë mënyrë, çdo student që do të nisë programin e studimit të ciklit të dytë "Arkeologji dhe administrim të pasurive arkeologjike" do të duhet të shlyej këtë shumë. Ndryshime ka edhe në tarifën vjetore të shkollimit për programet e dyta të studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë, DND për profilin "Arkeologji dhe administrim të pasurive arkeologjike", e cila bëhet 200 000 lekë.