Grabitet kazinoja, punonjësit mbyllen në tualet
Persona të panjohur hynë në të gdhirë në një kazino në kryeqytet dhe morën që andej 300 mijë lekë nga xhiroja e realizuar
Autorët e krimit, për të shmangur lajmërimin e policisë, mbyllën punonjësit në banjon e lokalit të lojërave të fatit
TIRANE- Grabitet nga dy persona me armë kazinoja në kryeqytet, autorët marrin paratë dhe fusin në banjo personelin me qëllim që ata të mos lajmëronin policinë, pas grabitjes së kryer nga dy personat e maskuar të pajisur dhe me armë. Ngjarja ndodhi mëngjesin gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme në kryeqytet, në rrugën "Qemal Stafa", pa mbërritur në kryqëzimin e saj me unazën.
Autorët mësohet se kanë marrë nga arka e kazinosë thuajse të gjithë xhiron e realizuar gjatë mbrëmjes dhe gjatë natës prej turnit. Burimet e policisë pohuan se dyshohej se shuma e vjedhur në këtë rast ishte afërsisht rreth 300 mijë lekë, ndërsa ngjarja është realizuar nëpërmjet kërcënimit të armëve që mbanin dy personat që hynë në kazino për të kryer grabitjen.
Pas mbërritjes së bluve në vendin e ngjarjes nga eksperiencat e mëparshme të ngjarjeve të tilla, dyshimet e para të policisë janë drejtuar tek njerëz lojtarë të zakonshëm të kazinosë apo njerëz që mund të kenë humbur paratë e tyre në kazino kohët e fundit si dhe mbi persona të kësaj kategorie që në fakt mund të kishin kohë që nuk vizitonin kazinonë. Ndërkaq në Sauk....................................................
Grabitja
Rreth orës 4:30, kur kishin mbetur edhe pak orë nga koha kur në kazinonë që ndodhet në rrugën "Qemal Stafa", do të ndërrohej turni, dy persona fare qetësisht hynë njëri pas tjetrit në objektin e lojrave të fatit.
Ata kanë mundur t'i shmangen rojes së sigurisë, i cili qëndron në hyrje të objektit. Burimet e policisë thanë dje për "Shekullin", se autorët dyshohet se kanë hyrë si lojtarë, pasi në momentin e futjes së tyre nuk është vënë re arma, si dhe ata nuk kanë përdorur atë për të kërcënuar rojen.
Sapo kanë hyrë brenda ata nuk kanë ndenjur shumë por janë drejtuar menjëherë tek punonjësit që mbanin arkën e kazinosë duke i kërcënuar ata me grykën e pistoletës. Kjo ka detyryar punonjësit që të hapnin "thesin" dhe të derdhnin në të gjithë ç' kishin mundur të grumbullonin gjatë punës në turnin e tyre.
Ndërsa një prej tyre ndiqte punonjësit e kazinosë që hidhnin paratë në një çantë të ofruar nga autorët, personi tjetër kujdesej që ndonjë prej tyre të mos gabonte për të lajmëruar policinë, apo persona të tjerë që mund t"í pengonin ata në krim.
Kjo situatë, sipas burimeve të policisë, ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi autorët morën çantën me aq para sa ishin mbledhur. Para se të largoheshin me shpejtësi, ata nuk harruan të bllokojnë punonjësit e kazinosë me qëllim që ata të mos lajmëronin policinë.
Për këtë qëllim ata i kanë mbyllur të gjithë në banjon e kazinosë. Pak kohë më vonë, ata kanë mundur të hapin derën dhe të lajmërojnë policinë, e cila ka nisur hetimet për ngjarjen.Pas lajmërimit të grabitjes me finalizimin e çuditshëm, oficerët e policisë së kryeqytetit nisën hetimin e tyre mbi ngjarjen e ndodhur ndaj të gdhirë në kryeqytet.
Fillimisht hetuesit morën deklarimet e punonjësve të kazinosë të cilët i dhanë specialistëve një përshkrim mbi veshjen e autorëve, dialektin që ata kanë përdorur gjatë komunikimit me ta si dhe elementë fizikë të tyre, si gjatësia dhe paraqitja e jashmte. Sipas dëshmitarëve, ishin të maskuar me kapele me strehë që iu lejonte atyre një maskim.
Ndërkaq ekspertët kanë administruar disa elementë në vendin e ngjarjes në cilësinë e provës materiale, por këto kanë qenë të pamjaftueshme sipas specialistëve për të kryer një identifikim të mundshëm të autorëve nëpërmjet gjurmëve.
Një javë më parë u grabit banka
Një javë më parë, rreth orës 10:30, dy persona të armatosur hynë në një bankë të nivelit të dytë që ndodhet në autostradë. Në një hark të shkurtër kohor autorët morën nga sportelet e bankës një shumë prej afërsisht 400 mijë lekësh. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes ndërsa më parë grupi i gatshëm i policisë private që kryente sigurimin e bankës kishte tentuar pa sukses të bllokonte autorët e krimit.
Në të kundërt, ata mundën të largohen më shpejt, falë shkathtësisë së tyre pasi në një kohë shumë të shkurtër arritën të merrnin paratë nga sporteli dhe të largoheshin. Pas ngjarjes policia shoqëroi disa persona të dyshuar të cilët pas verifikimeve u lanë të lirë nga policia pasi nuk kishin lidhje me ngjarjen.