Inflacioni i lartë, Banka e Shqipërisë nuk e ndryshon interesin bazë
Banka e Shqipërisë mbajti të pandryshuar interesin referencë për lekun dje, duke paralajmëruar se pret të shohë ecurinë e inflacionit para se të veprojë në këtë drejtim. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi se “vendimet e saj do të faktorizojnë mbajtjen e pritjeve inflacioniste të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin”. Banka e Shqipërisë ritheksoi se sipas mendimit të saj, rritja e inflacionit gjatë muajve janar dhe shkurt, është një fenomen kalimtar. “Aktiviteti ekonomik vlerësohet të ketë regjistruar një ngadalësim progresiv të ritmit të rritjes këto gjashtë muajt e fundit”, u shpreh Fullani.
Interesi bazë Repo në Shqipëri përcakton interesin me të cilin bankat e nivelit të dytë marrin hua apo vendosin depozita te Banka Qendrore. Duke qenë se Banka Qendrore është operatori më i madh bankar në vend, ky interes ndikon indirekt edhe interesat e kredive e depozitave në lekë, si dhe interesat e borxhit të qeverisë.
Indeksi i çmimeve të Konsumit u rrit në 4.4 për qind në muajin shkurt, si pasojë e rritjes së çmimeve të mallrave të importuara, rritjes së çmimit të energjisë elektrike, zhvlerësimit të lekut dhe politikës fiskale të qeverisë që po mban referenca doganore artificialisht të larta.
#