Skandali i Omonia-s, prokuroria ngre akuzat
Nisja e hetimeve ndaj zyrës së “Omonia”-s në qytetin e Korçës ka përfshirë mbi të gjitha kreun e kësaj organizate dhe veprimtarinë e kryer prej tij gjatë muajve të fundit. Dosja hetimore që ka mbërritur pranë organit të akuzës ditën e martë, bashkë me materialet që janë vënë në dispozicion nga ana e policisë, është plotësuar edhe nga të tjera materiale, që këtë herë akuzojnë direkt kreun e “Omonia”-s. Ndërsa hetimet nisën kryesisht ndaj zyrës së kësaj organizate. Për shkak të lakimit të personave të ndryshëm që u bënë pjesë e një konflikti në ambientet e zyrave pak ditë më parë, hetimet janë përqendruar tashmë në çështjen e vizave greke. Kanë qenë disa pretendime të ardhura nga një grup personash për abuzimet e kryera nga ana e kryetarit të kësaj organizate, të cilat kanë bërë që me nisjen e hetimeve paralelisht të çohet për ndjekje penale edhe kryetari i shumëpërfolur për një sërë abuzimesh në emër të organizatës “Omonia”. Kreu i “Omonia”-s, Spiro Lici, është çuar për ndjekje penale me akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike. Me këtë akuzë dhe atë për shpërdorim detyre, Lici po merret në pyetje, duke qenë në dispozicion të prokurorisë. Kryetari i “Omonia”-s është çuar për ndjekje penale nga ana e policisë, që ka nisur veprimet duke ia lënë në dorë prokurorisë zbardhjen e mëtejshme dhe verifikimin e të gjitha shkeljeve dhe abuzimeve që pretendohen se janë kryer nga ana e tij në emër të “Omonia”-s dhe të konsullatës greke. Akuza për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike u referohet pikërisht veprimeve që ka kryer Spiro Lici, duke përdorur emrin e organizatës për anëtarësime të parregullta dhe të konsullatës greke për vizat. Burime nga prokuroria thonë se mes materialeve të tjera është depozituar edhe shkresa e lëshuar në datën 11.03.2010 nga ana e konsullatës, ku sugjerohet largimi i Licit nga detyra për një sërë abuzimesh. Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare nga policia e Korçës, mësohet se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Spiro Licit, pasi në bazë të informacioneve të siguruara nga policia gjatë hetimeve dhe marrjes në pyetje të personave, rezulton se ai ka abuzuar me detyrën e tij si kryetar i organizatës “Omonia”. Sipas grupit hetimor, nga marrja në pyetje e personave, abuzimi i referohet faktit se kreu i “Omonia”-s në Korçë u ka nxjerrë viza greke personave që nuk janë anëtarë të kësaj organizate. Po ashtu, policia thotë se dokumentet janë mbajtur duke mos prerë fatura për lekët që paguheshin për vizat. Edhe pse Lici i ka kërkuar paratë për organizatën, këto shuma nuk janë depozituar në llogarinë e “Omonia”-s dhe për to nuk është lëshuar asnjë mandat. Një ditë më parë, dhjetëra qytetarë ju drejtuan “Omonia”-s me ankesa për paratë e dhëna për vizat greke që nuk janë marrë, duke kërkuar kthimin e parave dhe të dokumenteve të paraqitura pranë kësaj zyre.
Ndërkohë, në një deklaratë të tij, konsulli grek, Theodhoros Ikonomu, tha se në një rast janë paraqitur 55 kërkesa për viza me dokumente false të anëtarësimit në organizatën e minoritetit grek. Në deklaratat e tij, konsulli grek ka përmendur disa abuzime të rënda mes të cilave edhe tentativat për të pajisur me viza si minoritarë persona të inkriminuar dhe të kërkuar nga Interpoli. Për të gjitha abuzimet që pretendohet se janë kryer nga ana e kryetarit të “Omonia”-s, Spiro Lici, ai do të merret në pyetje nga ana e prokurorisë.
#