Urdhri, 6000 studentë IT këtë vit
Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, i ka kushtuar një fjalim të tërë nevojës së dixhitalizimit të jetës shqiptare. Për këtë ai ka urdhëruar ministrin e Arsimit që këtë vit në universitetet shqiptare të pranohen 6000 të rinj që të studiojnë për Teknologji Informacioni (IT). Por problem mbeten kurrikulat, infrastruktura e pamjaftueshme universitare, si dhe profesorati. Vetëm Universiteti i Tiranës, më i madhi në vend, gjatë një viti akademik pranon pothuajse 6000 studentë në të tetë fakultetet e tij. Ndërsa numri aktual i pranimeve në një vit i studentëve IT arrin në 1900. Por pavarësisht vështirësive, kreu i qeverisë ka vijuar duke urdhëruar hartimin e një kurrikule të re nga ana e Ministrisë së Arsimit. “Ne duhet të angazhojmë ekspertët tanë më të mirë, por edhe ekspertë ndërkombëtarë. Viti i ri shkollor në degët e IT-së në universitetet tona publike apo private duhet të fillojë me një kurrikulë të re, të mirëstudiuar, të plotësuar në të gjitha boshllëqet e saj. Mund të kemi vështirësi për profesorë. Zoti ministër, të hapim me urgjencë konkursin dhe të marrim profesorë të huaj, kudo që të jetë e nevojshme, të autorizojmë rektorët dhe dekanatet që për të përballuar këtë përpjekje, të marrim edhe profesorë nga jashtë”, tha Berisha, duke iu drejtuar ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj. Ai propozoi gjithashtu krijimin e drejtorisë së IT-së në strukturën e çdo ministrie, dikasteri dhe agjencie.
Më tej, Kryeministri Berisha tha se po punohet për krijimin e një rrjeti kombëtar, ngritja e të cilit ka si qëllim internet me bandë të gjerë dhe super të gjerë në çdo familje, në të gjithë vendin, sikundër është në diskutim ngritja e Fondit Kombëtar, i domosdoshëm për ta mbështetur këtë proces. “Agjencia dhe ministria, tha Kryeministri, po punojnë për të përcaktuar të gjitha termat e referencës. Ky do të jetë një rrjet që do të ngrihet në kuadrin e partneritetit publik, privat, si praktika më e mirë, më e suksesshme deri më sot”. Lidhur me statistikat zyrtare të përhapjes të IT-së në Shqipëri, shefi i ekzekutivit informoi se “treguesi i këtij penetrimi është 32 për qind”. “Ndërkohë Europa e ka mesataren 45 për qind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi 70 për qind. Pra, starti i parë ishte i fuqishëm, por energji më të mëdha, investime shumë më të mëdha, përpjekje shumë më serioze, projekte shumë herë më të mëdha janë të domosdoshme, që të kapim dhe të tejkalojmë mesataren europiane. Dhe ky është një objektiv shumë ambicioz dhe i vështirë, për realizimin e të cilit ne do të duhet të ndërmarrim reforma të thella e të angazhojmë fonde të mëdha”, tha Berisha. Shefi i qeverisë ka pranuar se ne jemi të vonuar në këtë proces, por sipas tij kemi avantazhin se mund të ngrihemi me shpejtësi në lartësinë e kohës. “është e domosdoshme që të krijojmë zonat e lira për IT-në, me kushtet më të favorshme që mund të ekzistojnë. Të krijojmë Fondin Kombëtar, por kjo është çështje që do të diskutohet me Ministrinë e Financave dhe Agjencinë e IT-së dhe Inovacioneve. Por ne duhet të diskutojmë ngritjen e Fondit Kombëtar të Shqipërisë Dixhitale. Ky fond është i domosdoshëm për ta mbështetur këtë proces”, theksoi kryetari i Këshillit të Ministrave. Ai e mbylli fjalën e tij për këtë çështje, duke premtuar që “nuk po flas më për internet në çdo shkollë, por për internet në çdo shtëpi, internet me bandë të gjerë, super të shpejtë, nga 2 Mb/për sekondë do të shkojë në 100 Mb/për sekondë”.
#