E Diel, 1 Nëntor 2026

Inflacioni i shanseve të humbura

"Ngelëm tu humb shance mor burrë"! Kështu thoshte një qytetar i thjeshtë pranë një stacioni autobusi mëngjesin e të hënës në Tiranë. Qytetari i panjohur, me një nga gazetat më të lira në dorë, duket se e kishte fjalën për Shijakun dhe tërë ato që ndodhen në Zonën Zgjedhore 26 të dielën. Në gjithë këtë rrëmujë politike nuk ka sesi të mos të bjerë në sy sensibiliteti i njerëzve, të cilët shfaqen të zhgënjyer e të tmerruar nga "trimat" që përpiqën tju "ruajnë votën" (e vetëm këtë nuk e bëjnë). Shqipëria të dielën, u kthye sërish në kohën e kolerës politike, ku të djathtë e të majtë, janë të destinuar të mbeten përjetësisht fajtorë par ato që po i bëjnë kësaj shoqërie.

Ngjarjet në Shijak, ishin një vazhdë e atyre që ndodhen në Paskuqan, Mamurras e Ndoq! Në frymën e zhvillimeve më negative të zgjedhjeve vendore, palët e nisën aty ku e lanë. Opozita s`ka pikën e besimit tek mazhoranca, e mazhoranca s`ka pikën e dëshirës për tu afruar me opozitën. Kjo punë ngjan me ato çiftet e lodhura, që jetojnë nën një çati përherë në luftë për kontrollin e shtëpisë, tek të cilat s`ekziston besimi, respekti apo dashuria e ndërsjelltë. Ndoshta e para dhe e dyta, as që mendohet të kalojnë nga Tirana, por e dyta, respekti, duhet të jetë patjetër nëse palët duan që pas 3 ditësh të mos u shkulet veshi nga Olli Rehn, komsioneri për zgjerimin i BE-së. Dhe politikanët shqiptarë do përballen me pyetjen "i keni dhënë ujë gomarit..."? Puna është se i kanë dhënë, por si dhe çafrë uji, të ngrohtë a të ftohtë? Cila do qoftë përgjigjja, ne kemi ngelë në klasë, pasi po i humbim shanset një nga një. Dhe nuk mjafton veshtërheqja e Rehnit, po na duhet edhe dajaku i Barrosos, shkelmi i Sheferit, shpulla e Mesicit dhe pickimi i Erdoganit (këta të dy priten në Tiranë këtë javë).

Në një nga televizionet lokale dëgjoj emisionin e mëngjesit. Një qytetar telefonon: "Aman mor burrë i dheut, u bënë 16 vjet që të huajt po bëjnë reforma me ne, popullin. Kur do bëjnë reformë me politikanët e të na i ndërrojnë..."? Edhe ne këtë duam të dimë, pasi inflacioni i shanseve të humbura po rritet...

aulonmehdiu@yahoo.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›