E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inflacioni, kompensohen buxhetorët

Rritja e çmimeve, miratohet indeksimi i pagave ne masen 3,1 perqind për të zbutur efektet e varfërisë

Kriza e çmimeve në produktet ushqimore ka sjellë që qeveria të kompensojë buxhetorët me indeksimin e pagave mbi bazën e inflacionit vjetor. Qeveria miratoi dje vendimin për indeksimin e pagave në masën 3.1 për qind. Nga ky vendim do të përfitojnë të gjithë punonjësit buxhetorë. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, i kontaktuar nga gazeta “Korrieri”, ka shpjeguar se indeksimi i pagave do të jetë unik dhe do të përfshijë të gjitha kategoritë e punonjësve shtetërore. Sipas Shehut, indeksimi i pagave bëhet për të kompensuar efektin e tanishëm të inflacionit, në masën e inflacionit vjetor të publikuar nga INSTAT-i, i cili është 3.1 për qind. Po ashtu, sipas numrit dy të Ministrisë së Financave, indeksimit do t’i shtohet edhe rritja e pagave, duke filluar me dyfishim të pagave të ulëta dhe rritjes së lartë të punonjësve të shëndetësisë dhe arsimit. Pra, qëllimi i vendimit është përcaktimi i masës së indeksimit të pagave mbështetur në inflacionin vjetor të llogaritur mbi një shportë të reduktuar mallrash, sipas metodologjisë së miratuar nga grupi i punës për studimin e ndarjes së indeksit nga rritja e pagave, në të cilin pjesëmarrja ishte trepalëshe: punëdhënës, punëmarrës dhe shtet. Nga përllogaritja ka rezultuar se efekti financiar i miratimit të këtij vendimi për institucionet buxhetore do të jetë 175 milionë lekë në muaj, nga të cilat 147 milionë lekë do të përdoren për pagat dhe 28 milionë lekë në muaj do të përdoren për sigurimet shoqërore. Në vendimin e qeverisë është parashikuar që efektet financiare për ministritë dhe institucionet e tjera buxhetore të përballohet nga fondet buxhetore të miratuar për çdo institucion për vitin 2008, në ligjin për buxhetin e shtetit. Për organet e qeverisjes vendore do të përballohet nga fondet e akorduara për pagat për vitin 2008. Për ndërmarrjet shtetërore me kapital 100 për qind shtetëror do të përballohet nga vetë ndërmarrjet, ndërsa ato ndërmarrje të cilat në fund të vitit 2007 kanë rezultuar me humbje, do të merret më parë miratimi i fondit të pagave nga ministritë e linjës, pasi të ketë paraqitur programin e zhvillimit për vitin 2008. Ndërkohë, rritja e pagave do të vazhdojë të jetë e përqendruar në sektorët prioritarë: arsimi dhe shëndetësia, ku rritja do të jetë në nivelet 15 deri në 25 për qind. Nga ana e qeverisë, e njëjta skemë do të ndiqet edhe në rritjen e pensioneve, ku rritjen më të lartë do të kenë pensionet e ulëta. Përveç këtyre dy sektorëve që janë të deklaruar si prioritarë, edhe pagat e tjera të nivelit të mesëm do të kenë një rritje nga 5 deri në 15 për qind. Kurse pagat e nivelit të lartë do të kenë një indeksim që parashikohet të jetë 5 për qind. Ndërsa për pensionet do të ndiqet e njëjta strategji si vitin e kaluar, ku jo më pak se 10 për qind do të jetë rritja e pensioneve të fshatit, për shkak se synohet të arrihet niveli i afërt i dyfishimit, pasi është 5 mijë lekë përfitimin minimal i pensionistëve të fshatit. Për sa i përket rritjes së pensionit për pensionistët e qytetit, ata do të ketë rritje në masën 5 për qind për pensionet e larta, kurse grupet e tjera, duke ruajtur një përshkallëzim, do të përfitojnë rritje nga 5 deri në 12 për qind. Në sektorin e pensioneve ekziston një problem, ku nga rritja e pensioneve minimale mbi 10 mijë lekë është ngushtuar diferenca mes pensionistëve dhe qeveria kërkon të ruajë një hierarki, duke shtuar se përfundimisht, rritja minimale do të jetë 5 për qind për nivelet më të larta të pagave dhe pensioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›