E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burri im është vrasës

Rrëfehet gruaja që shpëtoi dy herë nga kthetrat e vdekjes që i shoqi kishte përgatitur për të. Herën e parë ai donte tia priste kokën në shkëmb me sëpatë, ndërsa të martën tentoi ta vriste me armë në gjumë

ELBASAN - Duket e çuditshme, por është e vërtetë. Një bashkëshort xheloz tenton të vrasë gruan dy herë, por që të dy rastet herët del huq. Veli Zeqiri, 61 vjeç, flinte me të shoqen, Shefikat Zeqirin prej 40 vjetësh, kishin edhe 6 fëmijë, por ai kishte tentuar ta vriste në mënyrë makabre edhe 16 vjet më parë. Atëherë kishte mprehur mirë sëpatën dhe i kishte kërkuar gruas që ta vinte kokën në shkëmb. Kishte menduar që ta therte si kasap, por kur ajo nuk i ishte bindur, ai e kishte qëlluar jo pak, por katër herë në kokë. Shefikati shpëtoi për mrekulli, ndonëse edhe sot i duken gjurmë të thella në kokë e shpatull. Asokohe, policia ndaloi Veliun për ta dënuar sipas ligjit, por Shefikati, tanimë 56-vjeçare, vuri dorën në zemër dhe e fali burrin dhe babanë e fëmijëve. Gjatë këtyre viteve, çifti që banon në lagjen “5 Maji” në Elbasan ka pasur grindje të vazhdueshme, e megjithatë Shefikati thotë se është munduar t’i fshehë, derisa më në fund mbërriti ora e vrasjes së parapërgatitur.
Ngjarja
“Të martën kisha vajzën bashkë me dhëndrin në shtëpi. Në mbrëmje hëngrëm darkë, si përherë. Pas bukës pimë edhe nga një kafe. Veliu e kishte zakon të pinte edhe një teke raki. U bë vonë dhe e lodhur vendosa të shkoj në shtrat. I thashë edhe Veliut, por ai nuk erdhi. Më tha se do të shikonte një film”, tregon gruaja, që tashmë ndodhet në spitalin e Elbasanit. Atë e zuri një gjumë i lehtë, u ngrit sërish, ftoi të shoqin në shtrat, por ai nuk pranoi. “Shkova prapë në krevat. Kaluan disa minuta dhe ai hyri në derë. Ndezi dritën dhe e fiku prapë, u sigurua se isha në shtrat. Më pas dëgjova një zhurmë të fortë dhe mendova se mos bëri ndonjë tel elektrik masë. Nuk më shkoi mëndja tek arma”, tregon e shokuar e mes lotësh Shefikati. Ajo u tremb shumë nga zhurma, pasi e dëgjoi edhe një tjetër. Ngriti duart për të mbrojtur kokën e nisi të bërtasë me të madhe. “Në krah ndjeva një pickim të fortë. Plumbi më përshkoi krahun e majtë, më pas edhe të djathtin. Iu luta të mos më vriste, por atij i kishin mbaruar fishekët, ndaj nisi të më qëllojë në kokë me tytën e armës, duke më kërcënuar me vdekje”, shprehet Shefikati. Ajo u ngrit nga krevati, u përlesh me të shoqin dhe bëri të dalë nga dera, ndërsa ai e ndiqte nga pas. Ajo vraponte duke kërkuar ndihmë, derisa mbërriti tek spitali psikiatrik, ku kërkoi ndihmën e rojës. “Ai më tha se nuk isha për në këtë spital dhe më mbylli derën. Nuk dija ç’të bëja. Pashë një djalë me makinë dhe i thashë që të njoftonte policinë. Pas pak erdhi policia. Ndalova dhe u tregova se çfarë kishte ngjarë”, thotë 56-vjeçarja, e cila shton se ishin policët, ata që e dërguan në spital, ku ajo ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
“Le ta dënojnë pa më vrarë”
“Burri im nuk është i sëmurë mendor apo njeri depresiv. Ai thjesht ka fiksime dhe është xheloz”, thotë për gazetën Shefikati, ndërsa edhe fëmijët e dënojnë aktin e të atit të tyre, duke kërkuar që ai të dënohet sipas ligjit. Tanimë, gruaja nuk ka më ndërmend ta falë të shoqin. “Ia fala njëherë, tani nuk ia fal më. Le të shkojë në burg, të dënohet sipas ligjit. Po ia fala, ai do të më vrasë”, deklaron nëna e dëshpëruar, mbi kokën e së cilës qëndrojnë fëmijët. Veli Zeqiri akuzohet për tentativë vrasjeje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale edhe një armë zjarri, tip pushkë, model 63 dhe 30 fishekë. Sipas policisë, 61-vjeçari rezulton të ketë qenë i dënuar më parë me tre vjet burg për plagosje të rëndë. Prokuroria po punon për të zbardhur të vërtetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›