Berisha shkrin KQZ-në

Pa e fshehur ngazëllimin se ka arritur një reformë të përbashkët me opozitën, kryetari i qeverisë, Sali Berisha, hodhi “bombën” e radhës, që e përfshiu gjithashtu në kuadër të plotë të reformave në vend. Ai tha dje, se KQZ do të zhbëhej dhe se zgjedhjet do t’i organizonte Ministria e Brendshme. I njohur si ndikues i drejtpërdrejtë në dyshimet mbi manipulime të proceseve zgjedhorë ose së paku i pabesueshëm (26 maj 1996 dhe përpjekjet për vendoret e 18 shkurtit 2007), organizimi i zgjedhjeve nga Ministria e Brendshme mund të përkthehet “varje e mëlçive në qafë të ujkut”, por padyshim, pa paragjykuar kryeministrin, i cili e quajti KQZ-në “institucion të panevojshëm kushtetues”. “KQZ bie nga Kushtetuta dhe ecën gradualisht drejt asaj forme që e kanë të gjithë vendet perëndimore. Ky nuk është hapi përfundimtar, por është një arritje, pasi shumica dërrmuese e vendeve perëndimore e kanë KQZ-në të përfshirë në Ministrinë e Brendshme. Kur të krijohet besimi tek Ministria e Brendshme edhe ne bashkërisht do të biem dakord, por aktualisht Kodi Zgjedhor do të përcaktojë ndërtimin e këtij institucioni”, tha Berisha. Kryeministri i mbrojti në tërësi ndryshimet kushtetuese. Duke komentuar nenin që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit, i cili ishte edhe neni që u votua më pak, kryeministri Berisha tha se ndryshimi i këtij neni nxori nga kriza institucionin e presidentit. Duke hedhur poshtë ndryshimin e kompetencave të presidentit, Berisha tha se “nuk është prekur asnjë kompetencë, përkundrazi shtylla kryesore e stabilitetit të shtetit, Presidenti i Republikës, është vendosur në themele më të sigurta, siç e kanë shumë vende evropiane”. Ai e ka cilësuar ndryshimin e nenit për mënyrën e zgjedhjes së presidentit si një kontribut historik dhe të jashtëzakonshëm të klasës politike. “Ata që pretendojnë se janë prekur kompetencat e presidentit trillojnë, sepse nuk është prekur asnjë kompetencë e këtij institucioni. Përkundrazi, shtylla kryesore e stabilitetit të shtetit, Presidenca e Republikës, është vendosur në themelet më të sigurta”, tha kryeministri. Duke u ndalur tek nenet e miratuara për mocionin e besimit dhe mosbesimit të kryeministrit, Berisha tha se tashmë “ekzekutivi shqiptar merr tërësisht profilin e një ekzekutivi perëndimor”, ndërsa edhe në këtë pikë dha vlerësimet e tij. Duke folur për sistemin zgjedhor mazhoritar miks, që është përdorur deri në zgjedhjet e fundit, kreu i qeverisë e cilësoi atë si një sistem të shpërfytyruar. “Nëse ka një sistem zgjedhor më të shpërfytyruar, ishte sistemi i deritanishëm zgjedhor, ndërkohë që tani institucioni i zgjedhjeve kalon në një sistem modern, i cili aplikohet në më shumë se 4/5 e vendeve evropiane në variantin e tij proporcional. Ky sistem i jep vendit një qeveri të plotë për të qeverisur dhe një opozitë të fuqishme për të kontrolluar qeverinë dhe për të ushtruar pushtetin e saj moral, si dhe e ndan Shqipërinë nga ajo njollë e zezë që quhet “Dushk”, ka theksuar kryeministri Berisha. Sipas tij, ndryshimet në Kushtetutë të miratuara tashmë, sollën një risi për mënyrën e llogaritjes së votave.