Si u përgjuan të dyshuarit e Remzi Hoxhës

TIRANË - Rihetimi i dosjes mbi zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, është pasuruar me fakte të reja. Për afro dy vjet, tre prokurorët e çështjes dhe oficerët e Policisë Gjyqësore veç fakteve tashmë të njohura, kanë bërë pjesë të dosjes edhe fashikuj të tëra përgjimesh të realizuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror në bashkëpunim më Prokurorinë e Përgjithshme. Pas rihapjes së dosjes me urdhër të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku në muajin prill të vitit 2006, hetuesit që morën në dorë çështjen, paralelisht me mbledhjen e fakteve ekzistuese, nuk lanë pas dore as metodat speciale të hetimit, si përgjime telefonike apo ambientale ndaj katër të dyshuarve, pa përjashtuar dhe Ilir Kumbaron, ish-kryetar Dege në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë, deri në vitin 1996, i cili rezulton të jetë në Angli. Në kohë të ndryshme përgjatë dy viteve, ish-kryeprokurori Sollaku dhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kanë firmosur vendime për lejimin e përgjimeve telefonike dhe ambientale ndaj Arben Sefgjinit, ish-drejtori i SHIK-ut Tiranë, Avni Koldashit ish-shef i Bazës së Vëzhgimit nr. 10 në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë dhe ish-inspektorit Budion Meçe dhe Ilir Kumbaros. Mësohet se një pjesë e përgjimeve të realizuara në kohë të ndryshme për llogari të hetimit, do të përdoren në gjykatë në favor të akuzës, pasi burime të sigurta thonë se në interceptimet telefonike ka detaje të vlefshme që mund t’i shërbejnë vërtetimit të akuzës ndaj të pandehurve të kësaj dosjeje. E ndërsa tre nga të pandehurit ndodhen në Shqipëri dhe mund të jenë pjesë e procesit gjyqësor, të paktën fizikisht, për të pandehurin e katërt, Ilir Kumbaron, ende nuk ka një përgjigje. Me rihapjen e hetimeve të kësaj çështjeje, prokuroria e cila ka identifikuar vendndodhjen e Kumbaros me anë të strukturave që veprojnë jashtë vendit, e ka thirrur disa herë për t’u paraqitur, por ende nuk ka një përgjigje pozitive. Por lëvizjet e njeriut që pa për herë të fundit gjallë Remzi Hoxhën, nuk janë kaq misterioze për zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror. Njëri prej tyre i tha dje “Korrierit”, se Ilir Kumbaro është parë në Tiranë rreth tre vite më parë, pak kohë pasi përfitoi nga amnistia. Këto informacione mund t’i jenë dhënë edhe grupit hetimor që investigoi për herë të dytë ngjarjen e 13 vjetëve të shkuara, pasi edhe pak kohë para mbylljes së hetimit, prokuroria është përpjekur të kontaktojë sërish me Ilir Kumbaron, i cili cilësohet si një nga njerëzit që di diçka më shumë se të tjerët për fatin e Remzi Hoxhës. Sipas informacioneve të administruara nga prokuroria, rezulton se ish-kryetari i Degës në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë, ishte personi i fundit që pa të gjallë Remzi Hoxhën. Kumbaro nuk është përballur asnjëherë me drejtësinë për çështjen “Hoxha”, pasi nga viti 1996 rezulton të jetë larguar nga Shqipëria.
Gazidede për Kumbaron
“Ilir Kumbaro ka qenë efektiv i Shërbimit Informativ Kombëtar. Ai ka qenë ish-oficer i sigurimit, me një stazh të gjatë pune. Ka punuar disa kohë me Shërbimin Informativ Kombëtar dhe pas njëfarë kohe ka dalë në lirim. I nxirrnim ne zakonisht në lirim ish-oficerët e Sigurimit, me një farë rroge, dhe merrnin ato me rekord dy vjet a tre vjet, me një rrogë të krahasueshme me atë të mësuesve të asaj kohe dhe kaq”.