E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i dyfishtë i ish-policit

Trafikimi i municioneve drejt Kosovës u zbulua nga hetimet për trafikun e klandestinëve ku është i përfshirë Naim Dungu. Kontroll në magazinat e ushtrisë

TIRANË - Përgjohej dhe hetohej prej disa kohësh për trafik qeniesh njerëzore, por dy ditë më parë Naim Dungu u arrestua për trafik armësh. Nëse telefoni i tij nuk do të ishte vënë në përgjim për të zbuluar linjën e një rrjeti trafiku njerëzish Shqipëri-Kosovë-Mal i Zi, mbase nuk do të ishte zbuluar dot se 42-vjeçari Naim Dungu, i arrestuar dy ditë më parë në Burrel, merrej dhe me trafikun e armëve që kishin destinacion Kosovën. Burime të rezervuara policore pranë gazetës “Korrieri” bëjnë të ditur se bashkë me Dungun, po hetohet edhe në lidhje me tre persona nga qyteti i Kavajës, emrat e të cilëve nuk mund të bëhen publikë për arsye hetimi. Ndërkohë që edhe disa persona të tjerë dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e municioneve në drejtim të Kosovës. Ministria e Mbrojtjes ka dërguar dje në Repartin Ushtarak 1810, në Kodrën e Palit në Burrel, specialistë të saj, për të ushtruar kontroll në të gjitha depot ushtarake. “Po kryhet inventarizimi i plotë i magazinave. Jo vetëm i magazinës ushtarake që kishte në ngarkim Shaban Sulmeta, por edhe i magazinat e tjera. Ministria e Mbrojtjes dhe Reparti Ushtarak janë të interesuar të zbardhin plotësisht ngjarjen, duke faktuar nëse municionet që iu gjetën dy kosovarëve janë marrë nga magazinat e ushtrisë apo diku gjetkë”, pohojnë burime të sigurta pranë repartit. Mësohet se specialistët e dikasterit të mbrojtjes kanë kërkuar ndihmën e organit të akuzës, që prokurorë të çështjes të jenë të pranishëm gjatë inventarizimit të municioneve luftarake. Nëse emrat e katër të arrestuarve të tjerë, magazinierit të ushtrisë, Shaban Sulmetës, Behar Dungut, Ali Pecit dhe Arben Bekës nuk kanë qenë të njohur më parë për policinë, përkundrazi, gjatë muajve të fundit emri i Naim Dungut ka qarkulluar sa në hetimin e një komisariati policie në tjetrin. Tre numrat e tij të telefonit kanë qenë në përgjim dhe kjo ka sjellë edhe lokalizimin e trafikut të dytë të paligjshëm me të cilin merrej ish-punonjësi i policisë së grupit të gatshëm të policisë së Burrelit. Përveç përgjimeve të bisedave, burimet thonë se një punë e madhe për hetimin e mirëfilltë është bërë edhe me filmime dhe vëzhgime të hollësishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›