Inflacioni, ulen çmimet e bujqësisë rritet i sheqerit
Rritja e prodhimit bujqësor vendës ka ulur çmimet e prodhimeve dhe, si rrjedhojë, ka ndikuar në uljen me 0.7 për qind të inflacionit. INSTAT njoftoi dje se në korrik ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit është 3.6 për qind. Indeksi i grupit Ushqime dhe pije joalkoolike shënoi një ulje prej 1.7 për qind, krahasuar me muajin e mëparshëm. Brenda këtij grupi, ulja më e madhe prej 9.5 për qind vërehet në nëngrupin zarzavate përfshirë patatet. INSTAT në listën e re të prodhimeve që janë tregtuar më lirë përfshin edhe shumicën e produkteve të stinës, të cilat kanë pasur ulje të ndjeshme. Sidoqoftë, në uljen e çmimeve nuk ka ndikuar vetë prodhimi bujqësor, por edhe produktet e tjera. Indeksi i grupit Veshje dhe këpucë shënoi një ulje prej 0.3 për qind, ku mund të veçojmë uljen e çmimit të këpucëve për burra me 1.4 për qind, këpucëve për gra me 1.3 për qind, veshjeve për fëmijë 0.4 për qind etj. Ndikim në uljen e inflacionit vazhdojnë të kenë çmimet e qirave dhe energjisë. Edhe pse në nivele të vogla, sërish grupi Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji shënoi një ulje prej 0.1 për qind. Kjo ulje ka ardhur si rezultat i uljes së çmimit të lëndëve djegëse me 0.3 për qind. INSTAT njofton se si rrjedhojë e uljes së çmimit të naftës me 0.9% dhe të benzinës me 0.3% edhe çmimi i grupit Transport shënoi një ulje prej 0.3 për qind. Çuditërisht, i vetmi produkt me rritje të çmimit, pra që ka ndikuar në rritjen e inflacionit, ka qenë ai i ëmbëlsirave. Gjatë muajit korrik, çmimet në nëngrupin sheqer dhe ëmbëlsira shënuan një rritje prej 0.6 për qind.
Të dhënat
Inflacioni
+3.6 për qind
Ushqime dhe pije joalkoolike
-1.7 për qind
Zarzavate përfshirë patatet
-9.5 për qind
Fruta
-6.1 për qind
Sheqer dhe ëmbëlsira
+0.6 për qind
Veshje dhe këpucë
-0.3 për qind
Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji
-0.1 për qind
Transport
-0.3 për qind