E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama kërcënon me përjashtim nga partia të gjithë zërat kundër

23-11-2011 / Gazeta 55

Dje është shqiptuar ultimatumi i përjashtimit automatik të të gjithë deputetëve që dalin kundër vendimeve politike. Pas votës “pro” Fullanit të Blushit e Malajt, fshesa po kërcënon edhe Islamin e Harasanin, të cilët janë përjashtuar nga lista e propozimeve për kryesinë e re

Edi Rama ka kërcënuar dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, deputetët, që në seancat e Kuvendit do të votojnë kundër vendimit politik të PS-së.
Sipas ultimatumit të kreut të kësaj partie, mësohet se, vendimet politike të grupit parlamentar të PS-së duhet të zbatohen në unanimitet nga të gjithë ligjvënësit socialistë. Nisur nga eksperiencat e fundit në seancat parlamentare, ku është votuar në kundërshtim me vendimin politik të PS-së, lidershipi socialist preferoi që t’u bëjë me dije së në rast përsëritjeje do të zbatohet rregullorja e grupit dhe statuti i PS-së.
Kërcënimi i djeshëm i Edi Ramës, ndërsa bëhet në prag të zgjedhjeve të anëtarëve të kryesisë së re të kësaj partie, shihet dhe lexohet edhe si një paralajmërim, për përjashtimin e zërave kundër.
Lista e kandidatëve për anëtarë të kryesisë së PS-së, që qarkullon në mediat e Edi Ramës, ndërsa zbulon përjashtimin nga ky kandisim të zërave kundër, bashkë edhe me paralajmërimin e djeshëm në mbledhjen e grupit parlamentar, është një mesazh se zërat kundër në parti, janë vetëm një hap larg, nga flakja nga ky formacion politik.
Ndërkohë në mbledhjen e djeshme të deputetëve socialistë, Edi rama u ndal edhe në komentet dhe qëndrimet për situatën politike në vend.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, qëndrimin kundër projekt buxhetit të vitit 2012, në pretekstin se kriza ekonomike ka prekur palcën e ekonomisë kombëtare dhe familjare.
Duke iu referuar këtij debati të rëndësishëm parlamentar për projekt-buxhetin 2012, Rama tha se, kambanat e PS-së për krizën, megjithëse ranë në kohën e duhur dhe kur kishte ende kohë për ta ndalur inercinë e krizës, nuk u dëgjuan.
Sipas tij, “projekti për heqjen e TVSH-së për disa ushqime bazë  e lehtëson barrën e krizës për familjet shqiptare. Duhet të këmbëngulim që zëri i arsyes në hartimin e buxhetit të vitit të ardhshëm të dëgjohet sa më shumë”.
Rama gjithashtu theksoi se “PS kundërshton nxjerrjen për privatizim të 4 hidrocentraleve që së fundi janë shkëputur dhe nga bilanci i KESH për të krijuar një kompani të re”.
Edi Rama, deklaroi gjithashtu, se deputetet e opozitës nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të lartë të shtetit. Sipas Ramës, Partia Socialiste do të mbështesë një figurë jo politike në krye të KLSH-së,  e propozuara nga kjo forcë politike në paktin prej 10 pikash.
Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Rama tha se,”duam si Avokat të popullit, një figurë të denjë në shërbim të Kushtetutës dhe popullit shqiptar, jo një të emëruar për interesa partiake apo vetjake”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›