“Kurban”-i i Ramës si citatet e Lej Fenit

Kujtimet-broshurë do të prezantohen sot në Shkodër, me detyrimin e anëtarësisë për të blerë një kopje, pasi “kush s’blen e s’lexon Kurbanin, s’është socialist”. Duke zëvendësuar detyrimin e pagesës së kuotave, Edi Rama po tregon se e trajton programin e partisë krejt si të panevojshëm, pasi vlera e anëtarëve do matet me mësimin e lejfenizmave të “Kurbanit”
Turi i Edi Ramës, për promovimin e librit të tij “Kurban”, pritet të mbërrijë sot në Shkodër.
Me një thes librash në kurriz, kreu i PS-së, do të konfirmojë sot, se përfundimisht ka hequr dorë nga zbërthimi i programit të miratuar dhe paralajmëruar në kongresin e 5 nëntorit, duke iu përkushtuar biznesit të shitjes së të ashtuquajtur libër, i cili i ngjan më shumë një broshure mbushur me citatet të tipit të Lej Fenit.
Ndërsa kreu i PS-së ka zgjedhur të bëjë një up-date llogarive të tij bankare (deri tani të trumbetuara në kufijtë e qesharakes, sa as vetë nuk u beson atyre shifrave” anëtarësia e PS-së në Shkodër, sikurse edhe në Fier e Durrës, do të kenë në xhepat e tyre nga nesër do të kenë më pak lekë, por pa dyshim do të ndjehen të privilegjuar se me kontributin e tyre financiar, duke blerë citatet e tipit Lei Fen, po bëjnë të mundur që kryetari i tyre “të zyrtarizojë” shifrat e pasurisë së tij.
Përpos shitjes së librave, turi i ri i kryetarit të PS-së, pritet të jetë zhgënjyes edhe për anëtarësinë e kësaj partie në Shkodër. Edi Rama ka zgjedhur në këtë tur të ri, të mos prezantojë e shpjegojë programin, sepse për atë, sikurse edhe më herët, një program i mundshëm i PS-së është gjëja më e parëndësishme dhe më e panevojshme.