Informaliteti, Bashkia e Tiranës shkarkon 51 inspektorë të Tatim-Taksave
Bashkia e Tiranës: Inspektorët e Tatim-Taksave kanë neglizhuar kontrollet, duke lejuar informalitetin dhe shtuar borxhet. Reagojnë të liruarit: Motivet janë politike
TIRANË Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës vendosi dje lirimin nga detyra të 51 inspektorëve. Sipas njoftimit për shtyp të Bashkisë së Tiranës, motivacioni i shkarkimit lidhet me performancën e ulët dhe favorizimin e informalitetit. “Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave ka analizuar punën 7-mujore të secilit prej inspektorëve dhe ka konstatuar se të liruarit nga detyra nuk kanë kryer detyrën”,- thuhet në njoftimin për shtyp të Bashkisë. Sipas burimeve zyrtare, të liruarit nga detyra nuk kanë kryer detyrën e tyre, duke mos bërë kontrolle sipas ligjit. Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës shton se duke neglizhuar kontrollet, ata kanë lejuar informalitetin në Tiranë, deri në rritje të borxhit ndaj Bashkisë. Vendimi për lirimin nga detyra të 51 inspektorëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave erdhi pas analizës së punës së tyre gjatë 7-muajve të fundit, që sipas Bashkisë, kanë rezultuar me shumë shkelje nga ana e tyre. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i vetë punonjësve të liruar nga detyra. Në intervistat e dhëna për mediat, disa prej tyre i kanë cilësuar shkarkimet si të motivuara politikisht. “Në momentin që erdhi drejtori i ri me drejtoreshën operacionale, na është kërkuar realizimi i kontratave. Gjatë kësaj periudhe u realizuan të gjitha kontratat dhe i dorëzuam. Ndërkohë na thanë sot se ndërprisni marrëdhëniet. Nuk i dimë shkaqet e vërteta, por mendojmë se janë ato politike. Ne do të vazhdojmë procedurat në prokurori”,- është shprehur Ferdinand Banushi, përgjegjës i Zyrës së Parkimeve për mediat. Një tjetër punonjës i liruar nga detyra ka pranuar se ka qenë anëtar KZAZ-je në zgjedhjet e 8 majit, duke nxjerrë këtë si shkak të lirimit nga detyra. Përmes njoftimit zyrtar, Bashkia e Tiranës ka hedhur poshtë këto pretendime, duke pohuar se motivi i vetëm është mosrealizimi i detyrave nga ana e 51 inspektorëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, që janë liruar dje nga detyra.