E Diel, 1 Nëntor 2026

PD ankimon Shalën, rezultati përfundimtar shpallet në shtator

Partia Demokratike paraqiti pranë KQZ-së kërkesën ankimore për pavlefshmëri në këtë komunë, ku pas numërimit të votave në KQZ, fitues u shpall me 2 vota më shumë kandidati socialist

TIRANË Rezultati përfundimtar për zgjedhjet vendore të 8 Majit do të shpallet vetëm në muajin shtator. Kanë qenë zgjedhjet në Komunën e Shalës në Shkodër që kanë shtyrë përfundimisht shpalljen e rezultatit përfundimtar, në një kohë që për këtë proces zgjedhor kanë folur edhe ndërkombëtarët përmes raportit të OSBE/ODIHR-it. Partia Demokratike paraqiti pranë KQZ-së kërkesën ankimore për pavlefshmëri në këtë komunë, ku pas numërimit të votave në KQZ, fitues u shpall me 2 vota më shumë kandidati socialist. Por KQZ-ja nuk arriti të shqyrtojë këtë kërkesë ankimore për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm prej katër votash, pasi në mbledhje ka munguar anëtari i KQZ-së, Osman Hysenaj. Ndërkohë, përfaqësues të PD-së kanë deklaruar pas mbledhjes së po shihet mundësia që kjo kërkesë të depozitohet për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor. Shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve mbeti peng e zgjedhjeve që u zhvilluan me 31 Korrik në tri komuna, ndërkohë që zgjedhjet në komunën tjetër, atë të Shalës, u zhvilluan vetëm pak ditë më pas. Në komunën Mollas të qarkut të Korçës, koalicioni “Aleanca për Qytetarin” fitoi rreth 320 vota më shumë se koalicioni “Aleanca për të ardhmen”. Koalicioni i drejtuar nga demokratët fitoi këshillin komunal edhe në komunën Pishaj, ku për shkak të gabimit në shpërndarjen e materialeve zgjedhore nuk ishte votuar më 8 Maj. Në këtë komunë të qarkut të Elbasanit, aleanca e majtë mori rreth 390 vota më pak se e djathta. Në këshillin komunal, PS-ja dhe aleatët kanë fituar gjashtë mandate, ndërsa PD-ja dhe aleatët 9 mandate. Njësia e tretë vendore ku u zhvilluan zgjedhje për këshillin komunal më 31 korrik ishte Shllaku në qarkun e Shkodrës, ku sërish fitoi koalicioni i djathtë. Vetëm në komunën Shalë, Partia Socialiste arriti që të fitonte me kandidatin e saj vetëm me dy vota më shumë kundrejt kandidatit tjetër të mazhorancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›