E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet për lidershipin, ngrihen Basha dhe Olldashi

Në emërimin e sekretariatit dhe nënkryetarëve të partisë do të ketë një ndërthurje mes të rinjve dhe atyre që përfaqësojnë prej vitesh drejtimin e politikave të kësaj partie. Topalli dhe Patozi nuk lëvizin. Diskutohet shtimi i një nënkryetari të tretë. Kandidatët favorit Basha dhe Olldashi. Bode gati për t’u larguar nga Sekretar i Përgjithshëm, nëse ia kërkon Berisha

TIRANË Për vite me radhë, pas një kongresi të Partisë Demokratike, votimi i Këshillit Kombëtar për drejtuesit e selisë blu nuk ka sjellë surpriza sa i takon emrave që kanë marrë mandate. Pak a shumë ekipi ka qenë ai i njëjti. Këtë herë duket se do të vijë ndryshimi. Dy më të votuarit për anëtarë të kryesisë, Lulëzim Basha dhe Sokol Olldashi, diskutohen (ende jo zyrtarisht) të jenë pas Berishës në hierarkinë e PD-së. Ndryshimet e pritshme në muajin shtator do të përmbyllin edhe fazën e fundit të zgjedhjes së strukturave të larta të selisë blu, që do të gëzojnë vetëm gjysmë mandati. Kongresi i radhës i PD-së pritet të mbahet pas dy vitesh.

Emrat e rinj

Votimi i fundit i Këshillit Kombëtar për anëtarë të kryesisë solli një fakt të padiskutueshëm, që në këtë parti ka ardhur koha për më shumë kontribute. Një fakt ky që ndoshta për herë të parë do të merret në konsideratë edhe nga vetë kryetari i partisë, Sali Berisha, i cili me statutin e ri të PD-së ka kompetencën absolute për të përcaktuar edhe ekipin drejtues të partisë. Ajo çka do të vihet re në emërimin e sekretariatit dhe nënkryetarëve të partisë, do të jetë një ndërthurje mes të rinjve dhe atyre që tanimë përfaqësojnë prej vitesh drejtimin e politikave të kësaj partie. Burime pranë PD-së deklaruan dje për gazetën “Mapo” se ende në këtë parti nuk ka filluar një diskutim në nivel zyrtar mbi konfigurimin e ri që do të kenë strukturat e larta të partisë, por kjo nuk e ka penguar faktin që mes tyre të fillojnë diskutimet intensive, të cilat sa duket e kanë pikënisjen pikërisht te votat që gjithsecili ka marrë në votimin e fundit për kryesinë.

Ngritja e Olldashit dhe Bashës

Lulëzim Basha, aktualisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe Sokol Olldashi që drejton një post kyç ministror, po përfliten gjithnjë e më shumë si figura të konsoliduara për strukturat e larta drejtuese. Ajo çka flitet është një ndërthurje mes kontributit të mëtejshëm që këto dy figura mund të japin në PD dhe ruajtjes në anën tjetër të përfaqësimit të disa figurave qendrore të partisë. Burimet saktësojnë se Jozefina Topalli, aktualisht kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, do të vijojë të jetë një figurë e rëndësishme në PD, edhe pse për herë të parë Topalli pati një ulje në renditjen e votave që ajo mori për anëtare e kryesisë. Astrit Patozi do të vijojë të mbetet një tjetër shtyllë në parti, sa kohë që në bazë të statutit ai kryeson edhe grupin parlamentar të PD-së. Ajo çka në fakt po diskutohet jo pak është shtimi i një nënkryetari të tretë të partisë, që në rast se ndodh kandidaturat favorite janë pikërisht Lulëzim Basha dhe Sokol Olldashi.

Bode sërish sekretar?

Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode, një prej figurave më të rëndësishme në PD, është gati që të lërë një post të tillë në rast se kryeministri Sali Berisha do t’ia kërkojë pak para se të votohet për strukturat e larta të partisë. Gjithçka mbetet në dorën e kryetarit të partisë, sa kohë që vetë Ridvan Bode nuk do të shprehte kundërshti. Por tentativa për të spostuar Boden në këtë post kyç në PD është po kaq e vështirë sa edhe emri zëvendësues dhe këtu sërish hyjnë në lojë Basha dhe Olldashi. Për shkak të angazhimit në krye të Bashkisë, Basha do të kishte shanset më të pakta për t’u zgjedhur, sa kohë që edhe angazhimi i tij në PD nuk është i mjaftueshëm për të marrë përsipër një detyrë të tillë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Sokol Olldashin, i ngritur në strukturat drejtuese në mënyrë konstante, një figurë të cilën Berisha e ka angazhuar prej vitesh në zona të vështira për PD-në.

Sekretariati

Në Partinë Demokratike do të luhet jo pak nga anëtarët e kryesisë edhe për sekretariatin. Fusha mbetet e hapur për figura të tjera në PD që do të garojnë për postin e sekretarit për marrëdhëniet me publikun, sekretarin për çështjet ligjore, departamentin e ekonomisë si dhe posti për marrëdhëniet ndërkombëtare. Detyra e sekretarit organizativ të PD-së duket se do t’i mbetet sërish drejtimit nga Flamur Noka, votimi për të cilin në kryesinë e PD-së ka qenë më i larti nga çdo vit tjetër. Në listën e kandidaturave për sekretariatin përfliten edhe politikanet femra, si Mesila Doda apo Majlinda Bregu.

N.Perndoj

Votimi i fundit i këshillit kombëtar të PD-së për kandidatët për anëtar kryesie

LULZIM BASHA 116

SOKOL OLLDASHI 104

EDMOND SPAHO 103

ALDO BUMÇI 98

JOZEFINA TOPALLI 94

BUJAR NISHANI 94

ASTRIT PATOZI 93

FLAMUR NOKA 93

RIDVAN BODE 92

JEMIN GJANA 84

EDI PALOKA 79

FATOS BEJA 79

MESILA DODA 78

GENC RULI 76

KELTIS KRUJA 75

MAJLINDA BREGU 75

ADRIANA GJONI 72

ILIR RUSMAJLI 71

ARBEN QIRJAKO 69

EDUART HALIMI 68

MYQEREM TAFAJ 65

RAJMONDA BULKU 65

ARTA SAKJA 64

GENT STRAZIMIRI 64

ARBEN IMAMI 62

DHORI KULE 60

TRITAN SHEHU 60

ENKELEJD ALIBEAJ 58

ILIR PANO 58

LAJLA PERNASKA 58

JORIDA TABAKU 57

PAULINA HOTI 57

EDIT HARXHI 56

LEDINA ALIOLLI 53

MARK MARKU 51

ARENCA TRASHANI 50

GENC POLLO 49

ARDIAN TURKU 47

GAZMEND OKETA 45

SPIRO KSERA 43

ZANA TURKU 43

LEONARD DEMI 39

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›