E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laze: Ristani të penalizohet para riformatimit të KQZ-së

Anëtari i KQZ-së, Artan Laze, tha se pavarësisht përbërjes së re të KQZ-së, e rëndësishme është që të ndalet njëherë e mirë praktika e moszbatimit të ligjit.

TIRANË Një prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Artan Laze, kërkon

që ky institucion të nxjerrë përgjegjësitë për qëndrimin kritik, që raporti i fundit i OSBE/ODIHR-it mbajti për zgjedhjet lokale. Më pas, sipas tij, duhet të fillojnë diskutimet për riformatim të tij. Në një intervistë televizive, Laze shigjetoi kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani, teksa tha se zgjedhjet e kontestuara në Shqipëri do të marrin fund vetëm në rast se para drejtësisë do të çohen administratorët e lartë të zgjedhjeve, që shkelin ligjin. “Ata që janë të ngarkuar të zbatojnë këtë ligj organik nëse e zbatojnë keq, me të meta duhet të mbajë secili përgjegjësi ligjore dhe administrative për shkeljet e ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme të këtij ligji. Dhe më pas mund të diskutojmë nëse në Shqipëri do të bëhen apo jo zgjedhje të padiskutueshme”, - tha Laze. Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve jep edhe vlerësimin e tij sesi duhet të riformatohet ky institucion zgjedhor. “Unë jam partizan i modelit që kryetari i KQZ-së të jetë kryetari i Gjykatës së Lartë ose një gjyqtar i ndonjë kolegji të kësaj gjykate, apo gjithë KQZ të jetë pjesë e gjyqësorit. Ka modele nga më të ndryshmet, ndoshta ka formula që një propozim të jetë i Presidentit të Republikës, propozime të ketë nga KLD-ja, por thashë çdo lloj formule, çdo lloj riformatimi i KQZ-së, nëse komisioni i ri që do të zgjidhet do të vazhdojë traditën e keqe të mos zbatimit të ligjit apo zbatimit me disa standarde të tij, përsëri do të vijmë në pikën që në zgjedhjet e tjera sërish do të themi: “A do të ketë nevojë për riformatim të komisionit?” Kjo lojë duhet të marrë fund njëherë e mirë në Shqipëri”,- tha ai. Anëtari i KQZ-së theksoi gjithashtu se përtej një formule të re të KQZ-së, kërkohet edhe vullnet politik për të emëruar njerëz me përvojë dhe integritet. Në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it thuhet se KQZ-ja i përmbushi përgatitjet teknike përgjithësisht në mënyrë transparente. Megjithatë, sipas këtij raporti, zhvillimet politike ndikuan te disa vendimmarrje, ndërsa pati debat se a duhet të merreshin me shumicën e thjeshtë apo me shumicën e cilësuar prej pesë votash. “Mbledhjet e KQZ-së zhvilloheshin direkt dhe kishin mbulim të madh të medias, por jo gjithmonë pasqyrohej online axhenda siç përcakton ligji. Anëtarët e propozuar nga opozita pohonin se nuk merrnin gjithnjë materialet para mbledhjes. Anëtarët e opozitës braktisën pjesëmarrjen nga 12 janari më 8 prill, pas mosmarrëveshjeve për mënyrën e votimit me shumicë të thjeshtë apo të cilësuar. Kjo mungesë ndikoi në vonesa dhe probleme në përgatitjen e zgjedhjeve. Diskutimet në KQZ ishin të natyrës politike dhe therëse, në disa raste me shkëmbim akuzash dhe sulmesh personale. Mbledhjet e KQZ-së shpesh u përdorën si betejë përplasjeje politike mes përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së. Për çështjet ku PS-ja dhe PD-ja kishin dallime, KQZ-ja votoi në mënyrë partiake, çka bëri të vështirë veprimin në mënyrë kolegjiale”, thuhet në raportin e OSBE/ODIHR-it.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›