Informaliteti i opozitës ka nevojë për legalizim ndërkombëtar
Dje gjatë një takimi informal në selinë rozë, kreu i Partisë Socialiste mblodhi kolegët e partive të opozitës së bashkuar për t’u thënë se do mblidhemi javën tjetër për të diskutuar reformën zgjedhore. Ky komunikim vjen pas gatishmërisë së maxhorancës për bashkëpunimin me opozitën në realizimin e reformës zgjedhore dhe adresimin e 52 rekomandimeve të të OSBE/ODIHR-it. Afërmendsh brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, për një reformë zgjedhore tërësisht transparente dhe konsensuale.
Megjithatë interesant është fakti që familja opozitare u mblodh në informalitet, pas disa mbledhjesh të cunguara, për qejfmbetje të ndryshme. Mesazhi për Ramën ka qenë i qartë: “jo më limona të shtrydhura” për limonadën e radhës. Me radhë, Gjinushi në fillim e Dule në fund i kanë bërë të ditur kreu të PS-së se s’ka pazare në kurriz të tyre, përndryshe të gjitha opsionet janë të hapura, çka do të thotë aleanca fluide. Prandaj Rama ka premtuar dhe ka marrë një javë kohë për të kuptuar nëse ka lojëra të tjera në mes, pas rikthimit të liderit historik Fatos Nano në opinionin publik. Ky i fundit i përkufizoi 10 pikat e Ramës, si një “truk” për t’u faktorizuar në sy të ndërkombëtarëve. Është thënë shumë herë se propozimet magjinare e Ramës janë një truk prestigjiatori për të thënë idenë e rreme se kryeministri Berisha është pengesa për realizimin e reformave. Mirëpo të gjithë e kanë lexuar agjendën konfliktuale të opozitës së Ramës me çadra dhe greva urie përballë kryeministrisë, dhe kur humbet kauzën morale (si hapja e kutive, çlirimi i vizave dhe ekonomisë) shpik një demonstratë të dhunshme, me pasojë të paparashikueshme. Një papërgjegjshmëri totale nga ana e kreu të opozitës, i cili për të shpëtuar fytyrën e tij nxiu imazhin e Shqipërisë. E njëjta logjikë është ndjekur deri më sot, dhe “kursi i ri” është thjeshtë një kamuflazh qëllimesh dhe veprimesh të pasinqerta. Prandaj edhe pse Partia Socialiste është kthyer në kuvend, ajo bojkoton ligjet me 3/5, aq të nevojshme për stabilitetin institucional të vendin. Një shembull e keqdashjesh: ngritja e Gjykatës Administrative, që kërkon shumicë të cilësuar, ka nisur prej shtatori të vitit 2008, si nxitje e qeverisë amerikane për të kontribuuar me 16 milion dollarë nëpërmjet USAID-it, si Sfidë e Mijëvjeçarit. Specialistë, juristë amerikanë e ndërkombëtarë kanë bashkëpunuar me instanca të qeverisë shqiptare për të korrigjuar një “gap” në sistemin e drejtësisë. Kurse nga një konferencë jerm të kreu të PS-së, që e cilëson punët 3 vjeçare si një sipërmarrje për t’i dhënë “Saliut, një tjetër Gjykatë”.
Shthurja e propozimeve të Ramës në efektin e parashikueshëm të refuzimit sepse plotësimi me sy mbyllur i dekalogut të profetit socialist do të ishte jo normalizimi i opozitës parlamentare, por shuarje e parlamentarizmit, dhe eliminimi politik i konceptit të maxhorancës që është përfaqësues i sovranit votues 50+1, si dhe privimi i çdo të drejte shumicës parlamentare për të bërë politikë, neutralizimi i pushtetit qeverisës dhe krijimin de-fakto të opozitës qeverisëse. Pushteti kushtetues i maxhorancës nuk mund të kufizohet duke përdorur të drejtën e shqiptarëve për të hyrë në Europë. Edi Rama mendon se refuzimi i parë i Berishës do të njësohet me “refuzimin” e dytë që komisioni i BE ka gjasa t’i bëjë sot Shqipërisë për çështjen e marrjes së statusit të vendit kandidat.
Sido që të jetë është tallje cinike e Ramës thirrja e tryezës së partive opozitës për reformën zgjedhore, kur është po ai që ka propozuar dhe votuar në vitin 2008 një kod zgjedhor, që përjashton partitë e vogla nga parlamenti. Të kujtojnë këtu se krerët e partive të vogla të opozitës janë jashtë parlamentit, si rrjedhojë e kanibalizmit të drejtpërdrejtë të votave nga ana e PS-së. Prandaj Rama s’ka asnjë interes të ndryshojë kodin zgjedhor, por t’i mbajë me shpresë të pashpresët, për të treguar unitet rreth figurës së tij, në një moment kur shumë kundërshtarë të tij brenda partisë janë aktivizuar.