E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agonia e Karkalecëve

12-10-2011 / Nga Uran Kostreci

Legjenda

Enhagjuzeja – Enver Hoxha
Ramalluku ose Kokësusarku - Ramiz Alia
Kubeja – Byroja Politike
Kërmanizmi – Komunizmi
Karkalechanja – regjimi komunist
“Zër me popla” – “Zëri i Popullit”
Morrkësula – Marksi

Enhaxhuzeja
Usta n`hanxhar,
I vrau dhe shokët
Pa shkoi në varr.

Kubeja  e tërë
Ktheu…. bishtin pykë!
Tepruan vetëm
Disa qytykë:

Ca pleq, ca kërma
Sa për ilaç,
Trutharë e qorra,
Që s`thonë plaç!

Me t`u groposur
Enhaxhuzeja,
Timonë e kap
E shoqja, e veja.

Nga s`kish mbet gjallë-
Kush- për kolltukun,
Vejusha zgjedh
Prijs – Ramallukun.

Ky kok` susak
Qesh e lëviz
Sikur mollaqen,
Kush ia cimbis

E s`flet por leh
Duke kuisur
Si rrotë qerre
E pavajisur.

Susaku – sus
Qiri – qëndronte
Para Merhumit
Kur ky jetonte!

Sa herë ai shokët
Një nga një vriste,
Susaku rradhën...
Për vete priste!

Ndaj kur Merhumi
Theu qafën .... ngordhi,
Kaptin susaku
As qau as pordhi,

Po tash nga halli,
E do adeti,
Ai qaravitet
T`a shoh` mileti

T`a shoh` Kubeja
Me kalanderë,
Shofera, mjelse
Dhe karrocierë.

..............................
Për në varreza
Te Axhuzeja,
Karkalechanes
I prin Kubeja,

Susaku i pari,
Si gjel me pallë...
Tëpkë Merhumi
Kur ishte gjallë!

Përbri Susakut,
Heq këmbët .... osh
Vejusha plakë
Prap`... me kokosh!

Të dy, mbi varr,
Duke pshertirë,
Thon`: -T`a kthejm` dhimbjen
Në fortësirë!-

Vejusha ofshan
E ngashëruar:
- Im shoq, partinë
E la t`pastruar!-

Mërmërin turma:
-Ashtu vërtet,
Veç Ramalluku
Dhe ti ke mbet!-

................................

E ka një shpresë
Kallaballuku....
 Mos bën derman
Gjë... Ramalluku.

-Insaf!- thot`njëri-
Në djall të vejë!
Susaku, pllakën
Tash do ta kthejë.

... Sikur po duket
Prej tjetër brumi:
Xhahil nuk është
Ky si Merhumi!-

-Ky – ia kthen tjetri-
Ësht` qen tinzar
Të ha nga prapa
Ke për ta parë!

Nuk sheh si qeshet
E si zgërdhihet...
Vejushës plakë
Qysh i lëpihet!..

S`bën Ramalluku
Gjë o budall..
E heq e Veja
Për kapistall-

-Jo, jo, Asaj
I jep një dru:
I thot` Susaku:
”Jam un` këtu”-

Mban shpresa, e vetes,
I ziu milet,
I jep kurajo,
Se ka siklet.

Kush mbytet, kapet
Për fije kashtë...
Po Axhuzeja
Litar` la jashtë!

.........................

Susaku hiqet
Se është i prirë:
Të bëjë ”zbutje”,
Demek... për mirë!

Nëpër tribuna
Flet për ndryshime,
Ndreqje gabimesh,
Meremetime...

Duke u spërdredhur
Si ngjal në duar,
Premton me zërin
Si pizgë ... e shpuar:

-Lejojm` balluke
Modën kauboj
Xhins, minifunde,
Muzik` llo-lloj!-

E pasi mburr
Mjaft kërmanizmën,
Zbor, tufza, arza
Aksion-qilizmën,

Thot`: -Gjak do derdhim,
Do hamë e bar,
Po s`lem` pushtetin,
Kurr` me na marr!-

Sho-shoqin hallku
Në sy shikon...
Fshan ... që kalvari
S`ka fund, vazhdon!

..............................

Mileti i gjorë
S`di nga t`ia mbajë...
Ka frik` të qeshë,
Ka frik` të qajë.

Karkalechania
Me gjith` hafijet
E ndjekin hallkun
Nga pas... si hijet!

E pocaqisur
Fshan... njerëzia!
Bosh i rri sofra,
I qan fëmija.

Mburr kot, Susaku,
Tufzat me llafe,
Fshatari, qumësht
Një filxhan kafe!

Në arë, bujku,
Shkon, vjen pa diellë,
Një gjysëm qepe,
Në trast, për gjellë.

Gur... misërnikja,
Ti bjesh dyfek:
Në punë, ... bretku
E prap` pa brekë!

Lëngon mileti,
Bën qejf kubeja:
Muaj për muaj
Vetura t`reja,

Vejusha vilën,
Vesh me flori,
Vakancë e bija
N`Kaliforni.

Ja dhe te blloku,
Prap, si dikur:
Po llapsin dritat
Me abazhur.

Natë për natë,
Zdërhallet blloku:
Raki, shampanjë,
Meze çapoku.

Tash, në gostira,
Prin Ramalluku...
Ç`lezet i paska
Kryetarlluku!

Ngre për Susakun
Dolli Kubeja:
... Gjynah që s`është
Dhe Axhuzeja!

Ndonse në zi,
Pi dhe Vejusha,
Po kur çon gotën
I laget gusha...

Shamin, të vesë,
Shpejt në moment,
Ia zgjat Susaku
Me kompliment...

Të dy, pastaj,
Veçan, pak rrinë:
Kujtojn` Merhumin,
Pavdekësinë!

...........................

Një vrimë fyellit,
Susaku, i bije,
Një muhabet
Ka si tespije....

-Enhaxhuzeja-
Flet ky me bindje-
S`ka datë vdekje
Po veç ditlindje!-

Për Axhuzenë
Ndërton statujë,
Ngre piramidë,
Mban zi me bujë!

....Dy vjet, tre, katër
U çmënd njerzija...
Për Axhuzenë,
S`po mbaron zija!

Për Axhuzenë
Të gjithë argatë
Pa lek punojnë
Me barkun ...thatë!

Për Axhuzenë
Po agjërohet,
T`i prehet shpirti,
Në varr, këndohet!

Kudo citate
Me llaçkavira
Me të Merhumit
Fotografira;

Ngado hedh sytë-
Ballkon a shesh-
Enhaxhuzeja
Të buzëqesh…

Si fant spathi
I tij surrati,
Të del në kodër
Në qafë shpati!

Edhe mbi bredhin
E vitit të ri,
E Axhuzesë
Fotografi!

“-Ç`qe kjo mynxyrë?-
Mallkon mileti-
Ai dhe vdekur
Peshqesh na mbeti!

Një pyet: -Merhumi
Në dhe u kall,
Po a vdiq ... mirë,
Mos ka mbet gjallë?

....................................

Ca durim sosur
Si muhaxhira,
Mësyjn` të Botës
Përfaqësira

Në amabsada,
Me kok`rrezik
Mes plumbash futen
Ik vetëm ik!

Dhe s`qe e mundur
Që t`i kandisje
Me i nxjerr` jashtë
Veçse t`i vrisje

-Më mir` na mbytni,
-Thon` - po të doni,
Po te kalecët
Mos na dor`zoni!

Na plasi shpirti,
Na u prish gjaku
Nga kërmanizmi
E kok`susaku!-

I le të gjitha
I ziu njeri
Me laçkë e plaçkë
E me shtëpi,

Nga sytë ... këmbët
Merr arratinë,
Se vojtja e bëri
Për në çmendinë.

Ndërkaq kubeja
Me kalandera
Për muhaxhirët
Gumzhin si grera

-Veç mos i zënçim,
Veç po su kapën...
Me pinca atyre
Ua shkulim llapën!

“Zëre me popla,
Derdh...helm e vrer,
Deklarat shtypi
Kubeja nxjerr,

Ku refugjatët
I bën krejt horr
Banditë i quan
E tradhëtor...

Po e vërteta
Shpejt... mori erë,
Se nga gjith` bota
Vijn` reporterë!

Vijnë e takohen
Me refugjatë,
Në pyetje i marrin
E bëjn`... gallatë!

Qysh i filmuan
Mor firaunët
Si në pasqyrë
Açik gjith` punët

Pra, mëson bota
Biseda taze
Ku kërmanizmi
Bëhet ... qepaze!

.............................

Sapo i tundet
Nën të kolltuku,
Me peshqir kokën
Lidh Ramalluku

Ky lajme blozë
Rri duke marrë:
”Diku përleshje
Dhe një i vrarë”

”Diku policët
Fuqi s`kan pasur
As me mbrojt rendin,
As per t`u qasur”

Vjen nga Veriu
Një lajm ibret:
“E hoqën bustin
Banorët vet`”

Mbledh Ramalluku
Kuben` me ngut!
Nuk fle gjith` natën..
Rri... e shtrydh trutë.

Për lemzë u bë
Susaku e ngeci
“-Ah, mori fund-
Tha – karkaleci!“

Kur hop...qysh mëndja
Atij  të shkretën
S`i shkoi ta hapte
Vet` rubinetën!

-Me vrap- tha - shokë
Tash – është e mira
Të hyjë turma
Në përfaqsira!

Sa hapet shtegu,
Milet fatzinj:
Djem, gra e burra
E çifte t`rinj:

Më të vërsulen
Te përfaqsirat...
Për muresh... qepen,
Shalojnë … avllirat,

Kaptojn` kangjellin
Bëlldym ... n`oborre:
Të tjerë mbas tyre,
Vijn me tabore.

Dikur nuk futshe,
Dot me pahir,
Tash, hyn e roja
Qesh, bën sehir!

Kjo rrjedhje ... njerzish
Në vise t`huaj,
Ia zgjat, Susakut,
Qetsin` ca muaj!

Po nuk vonon
E plas vullkani...
Buis mileti
Në shesh mejdani!

Kallaballëk
Që s`qe par` kurrë,
-Liri!- thërrasin-
Jo diktaturë!

E kapur, befas,
Gafil Kubeja,
Kthen syt` pa dashje
Nga Axhuzeja,

Që qesh... nga fotua
Me ligësi,
Si për t`u thënë
-Hë, po tani?-

Në stol i strukur
I ziu Susak
Ndjen nënë vete
Që... laget pak!

Bën që te çohet
E nuk guxon
Po që nga vendi
Ai pingëron:

-N`u trëmbshim shokë,
Na qoft` jazëk!
Do plumb ky qen,
Kallaballëk.

Po dikush flet:
-Nuk jan` pesdhjetë,
S`janë as pesqind,
Po mijra vetë!-

-U zgjuan kafshët,-
Fshan një – ç`na gjeti,
Po na del dore,
Ky mut... mileti,

................................

Teksa në rrugë,
Buçet kushtrimi,
Susaku brënda,
Syt`... nga qilimi!

Do, s`do Kubeja
Merr një vendim:
Me demonstruesit
Kërkon takim!

Susaku, vete
E bën pazare,
Pranon parti
Opozitare.

.........................

Tash “Zër me popla”
Bën kot ... gam – gam
Se çunat nxorrën
Gazet me nam.

Gazet rebele,
Që s`të fal kurrë,
T`i shkul dhëmballët,
S`të bën për burrë.

Shan kërmanizmin,
Shan Morrkësulën,
Pale Merhumit
Ia ... humbet vulën!

T`a rrëmben tjetri,
Shtypin prej dore...
Gazeta shitet
Për gjysmë ore!

Befas për shkollë
Nuk do rinia:
Të Axhuzesë
Emrin e tija!

Gjersa të hiqet
Thonë emërtimi,
Nuk do han` bukë
U bë betimi!

Shkroftin Susaku
Prej sëkëlldisë...
S`po ia mbledh dot
Rripat rinisë!

Hall për Merhumin
Hall për Susakun
Kjo puna e emrit
I vu kapakun!

Ditë ë nat` mbledhje
Ka ne kube
Karkalechania
Nuk lëshon pe!

.....................

Susakun, befas,
E gjen belaja
Kur në shesh mblidhet
Gjith` kasabaja.

Ç`e zu miletin,
Gjith` ky merak
Te i Merhumit
Bust ... ec – e – jak!

Si shumë i sillen,
I marrin masën...
Mos duan gjë
T`i bëjnë glasën!

Susakun, ethet
E zën të shkretin:
Të mbrojë bustin
A ndal miletin?

Bërtet Susaku,
Se do ta vrasë
Këdo që bustin
Guxon të ngasë!

Sapo statujën
Turma e sulmon,
Ca polic` futen,
Ca bëjn` kordon.

Sambistë e popull
Vërdallë vinë
Tamam si loja
Macja me minë.

Pra, me afsh turma
Po dhe tromaksur
Po dhe nga forca
E vet pataksur,

Vërvit, mes britmash,
Kavon, hava...
Dhe busti u tund,
U shkund... e ra!

Mizëri njerzish
Mbi njëqind mijë
Kërcejn` të lumtur,
Qajn` si fëmijë!

Gajasen, puthen,
Bëjn si të marrë,
E pshurrin bustin
E heqin zvarrë.

Kur Axhuzenë
Përzun` nga sheshi,
Heroj prej bronxi
Maj kalit ... qeshi!

....................................

Ç`milet filmuar
Kish policija
Kur hodhën bustin,
Ndër qindra mija,

Prej tyre shumë
Sakaq burgosen,
Ca, tinës, vriten,
Ca hanadkosen.

Ndërsa kadetët
Bëjn` gurgule
Statujën duan
Ta vën` ku qe!

Fill pas kadetve
Një ”Don Kishot”
Thotë : ”Axhuzesë,
Unë i dal zot”

Ky mbledh kaleca
E lyp demek
Duel me shpatë
E me dyfek`!

Me vrap Susaku
Thërret sherrxhinj
Ndërsen banditë
Nxit axhaminj,

Që të bëjn` sherre
Zhurmë e rrëmujë
Po dhe kjo lojë
Nuk piu ujë!

Kur pa Susaku
Gjëndjen e nderë
-Të hapen portat-
Tha –dhe njëherë!

Çudi... flesh lajmi
Shkon te mileti
Kushtrimi jepet
Drejtim nga deti

Sakaq njerzija
Mësyn vaporë
Lart kacaviren
Dorë më dorë

Sa morën lajmin
Vijnë e prej fshatit,
Ca për xhadeje
Ca monopatit...

Djem pa lej` prindësh
Zbathë e pa gdhirë
Vidhen si qeni
Që k`put zinxhirë

S`pyet kush për pluhur,
S`pyet kush nga vapa,
Asnjeri kokën
Nuk e kthen ... prapa!

I hip gjemisë
Milet i mjerë
Pa ditur fare
Ku do ta shpjerë!

Në kuvert` ngjeshur
Hiç nuk ankohen,
Mezi veç presin
Sa të largohen.

Gëzojn` që veten
E ndjejn` të lirë
I luten Zotit
Ta bëjë mirë

Gëzojn` që jeta
Për ta, sot, nisi,
Kshu Kërmanizmi
I katandisi!

Kur pa Susaku
Që ikën shumë,
Hap zjarr mbi popull
Derdh gjakun lumë.

Djem vrarë plumbash
I ngrenë hopa
I flakin tinës
Në Mal me Gropa

Kush di sa vdiqën
Mosha të njoma
Që prindë i presin
Mbajn` shpresë akoma

........................................

Në fund te Marsit
Nëntdhjetë e një
Shumicë e njerëzve
Kaptinë ... gdhë

Ngaqë dhe frika
Nuk u kish dalë,
Susakut, votën
Prapë ia kan` falë.

Pra, deputetë
Fiton pak fare
Parti e parë
Opozitare

E kjo me kuqot-
Ç`fatalitet-
Bën qeverinë
Stërmysybet

Ku deputetët
E kok` susakut
Jan shumë e vëndit
Do t`i vijnë hakut.

Bën Ramalluku
Gjasme ndryshime
Largon ca ….krunde
E sjell ca …. hime

Heq kryeministrin
Kaptin shinik
Dhe vë sarhoshin
Garip ashik

Me atë bashkë
Seç katranos
Po vetë shkruan
E vet` vulos!

Përdor Susaku
Dru e kamxhik
Nëpërkëmb njerzit
E ngjall panik.

Këtej...“zbut“ kodin
Bën ligj te ri
Mat`an le shakull
Vret në kufi.

Nëpër provinca
O kurdis vrasje
O thyen depo
E shtyn në ngasje

Tyrli lloj gangosh
Që bëjn` kërdinë
Frikësojn` hallkun
Katundarinë,

Që të thot` fshati
“Tash u prish fare,
Ç`u desh partia
Opozitare”?

Dhe Ramalluku
T`ua kthejë:-Unë
Ju dola borxhit
S`ësht gjë kjo punë!

Ja sa e kthyem
Në dy parti
U bë rrëmujë
S`ka qetësi...

Çne pluralizma
E marifete
Boll një parti
Kot salltanete!

............................

Ndërkaq si miu
Që shkoq në torbë
Thërmija bukën
Ashtu bën çorbë

Dhe Ramallaku
T`uj nxjerr nga bira
Përdit shoqata
Lloj-lloj partira

Dhe n`opozitën
Parti e parë
Susaku futi
Plot kollovarë!

Veç me kalecët
Ai mban llafin
Me ndih shoshoqin
Me mbrojt` tarafin.

Shpall Ramalluku
Dhe një dekret:
Ta blejë shitsi
Dyqan ku shet!

Pronari i gjorë
Zbardh ... sytë e rrin
Kur karakaleci
Bëhet zengjin

Drejtor kaleci
Dje, shiu sa u ngop
Sot “zhvesh, ndërrmarrjen”,
I bjen me top!

E puntor ziu
Skelet, “gërmadhë”
Në dor` “tollonin”
Për gjiz pret rradhë!

Çoç kish dyqani
Dje, në banak
Sot, veç karrota
Presh e spinak.

Del opozita
Von`, mbas kiameti,
Nga qeveria
Stërmysybeti.

At`here popull
E sindikata
Fillojnë greva
E demonstrata

E mbas një viti
Kur votojn` prapë
E bëjn` Susakun
Të ik me vrap!

Ndonse njerzia
Sbën zë për hallet
Kur ia merr frymën,
Të ngre partallet!

Me vrer, Susaku
Atdhenë.. e mbarsi
Vrer... për Susakun
Njëztedy Marsi!

F U N D

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›