Turqia “kokëforte” me rregullat e FMN-së
Kryeministri turk, Tayip Erdogan, tha se nuk mund ta pranonte një kërkesë të FMN-së për të ulur shpenzimet, në komentet që hedhin dyshime të reja lidhur me një marrëveshje për një kredi të madhe që do të shërbejë për gjallërimin e ekonomisë së sëmurë turke. Qeveria është në bisedime të zgjatura me Fondin Monetar Ndërkombëtar lidhur me një pakt huadhënieje që mund të kapë shifrën e 45 miliardë dollarëve, që shikohet si vendimtar për forcimin e ndjenjës së investimit, ndërsa ekonomia po hyn në krizë. Por të dy palët nuk kanë arritur të nënshkruajnë një marrëveshje për të zëvendësuar marrëveshjen prej 10 miliardë dollarësh që skadoi në mars 2008. Mosmarrëveshjet lidhur me shpenzimet lokale janë rishfaqur sërish në bisedime, të cilat po ndiqen nga afër nga tregjet. "Ne nuk mund të biem dakord për disa shifra lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet në buxhetin tonë. Nuk mund t'i pranojmë sugjerimet e tyre për këto shifra. Ata na thonë ta ulim këtë shifër, por ne nuk mund ta bëjmë sepse kemi nevojë të vazhdojmë investimet për të krijuar vende pune",- i tha Erdogan televizionit shtetëror turk “TRT” në një intervistë. Një ndryshim i gjerë i kabinetit më 1 maj që përfshinte edhe caktimin e Ali Babaxhan si zëvendëskryeministër i ngarkuar me ekonominë u mor nga tregjet si shenjë që qeveria dëshiron t'i përfundojë këto bisedime.
11 Maj 2009