FMN: Miliarda dollarë kredi për vendet e Ballkanit, Shqipëria përjashtohet
Ervin KOÇI
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka nisur që të disbursojë nga fondit e saj miliarda dollarë në formën e kredisë, si ndihmë për vendet e Ballkanit. Këto të fundit të prekura tashmë nga kriza globale ekonomike kanë gjetur “shpëtimin” pikërisht tek kreditë e buta që FMN-ja po ofron për ta. Që të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit me përjashtim të Shqipërisë dhe Kosovës, kanë aplikuar që të marrin miliarda dollarë ndihma në formën e kredisë, nisur dhe nga vlera e ulët e interesit të saj, në krahasim me ato që mund të japin bankat e fuqishme tregtare në botë. Që të gjitha duke nisur nga Rumania, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia dhe Turqia, janë vënë në listën e vendeve që kanë nisur të tërheqin paratë e para që po jepen nga FMN-ja në formën e kredive për të përballuar krizën ekonomike. I vetmi vend deri tani që nuk ka pranuar të rishikojë marrëveshjen dhe kushtet me FMN-në, është Shqipëria e cila pasi ka përfunduar marrëveshjen me këtë institucion ndërkombëtar, ka preferuar që të aplikojë për një kredi tregtare prej 250 milion eurosh me norma interesi 11 për qind, sipas tregut aktual botëror. Nisur nga kjo, borxhi që do të paguajë shteti shqiptar për shlyerjen e këtyre kredive do të jetë 9 për qind më i lartë, se sa ai i vendeve të rajonit.
Rumania
Një nga shtet më të fuqishme të Ballkanit, Rumania, ka pranuar kushtet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ka aplikuar për marrjen e një huaje prej 12,9 miliardë eurosh. Marrëveshja e Rumanisë me FMN-në është bërë që në muajin mars dhe kredia do të jepet për një afat prej dy vjetësh dhe sipas analistëve, do të ndikojë në zbutjen e efekteve të krizës financiare globale. Kësti i parë me një vlerë prej 4.9 miliardë eurosh, do të jepet menjëherë. Një kredi e ngjashme do t'i dërgohet Komisionit Evropian, që do të akordojë për Rumaninë 5 miliardë euro. Bukureshti ka njoftuar në fund të marsit se ka arritur një marrëveshje dyvjeçare me FMN-në, BE-në dhe Bankën Botërore lidhur me një hua me vlerë të përgjithshme prej rreth 20 miliardë eurosh. Sipas qeverisë, paratë e FMN-së do të përdoren për të mbuluar rezervat në valuta të Bankës Qendrore, ndërsa huaja e BE-së do t'i bëjë të mundur financimin e deficitit buxhetor. Në këmbim, autoritetet rumune do të angazhohen të mbajnë nën kontroll deficitin buxhetor dhe të zvogëlojnë pagat në sektorët publikë.
Bosnjë-Hercegovina
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bosnja kanë arritur marrëveshje për një hua prej 1.6 miliardë dollarësh, për të ndihmuar këtë vend ballkanik që të luftojë krizën globale ekonomike. Costas Christou, kreu i delegacionit të FMN-së që vizitoi Bosnjën, tha se qëllimi i huasë tre vjeçare është ruajtja e stabilitetit makroekonomik në vend dhe nxitja e rritjes afatmesme të ekonomisë. Sipas Bankës qendrore boshnjake (CBBH), vendi mund të kërkojë një shifër prej një miliard eurosh për të shlyer deficitin buxhetor dhe për të stabilizuar ekonominë. FMN-ja u ka përsëritur vazhdimisht autoriteteve boshnjake se është e gatshme të ndihmojë ekonominë e vendit, për të përballuar krizën aktuale. Sipas shifrave zyrtare, ekonomia lokale ka pasur një rritje që shkon nga 3 deri 6,8 për qind gjatë gjashtë viteve të fundit.
Serbia
Serbia është në radhën e atyre shteteve të Ballkanit që i ka kërkuar FMN-së ndihma ekonomike për t’u përballuar me krizën ekonomike globale dhe pasoja e saj. Ky shtet ka aplikuar deri tani për të marrë rreth 3 miliard euro kredi nga FMN-ja, me të cilën është futur në bisedime. Kontrata për këtë kredi me FMN-në do të mbyllet në 11 maj dhe do të ketë si normë interesi vlerën 3 për qind. Kjo kredi vjen për këtë shtet në një kohë mjaftë të vështirë ekonomike, ku ekonomia e këtij shteti të Ballkanit, është duke kaluar një fazë të vështirë të ecurisë së saj.
11 Maj 2009