E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infrastruktura rrugore, sfida e turizmit për Voskopojën

Voskopojë- Në fshatin turistik të Voskopojës është shënuar çelja e sezonit turistik veror. Aktivitetet festive kanë ndjellë qindra turistë në këtë zonë, në fshatin tursitik i cili si në dimër ashtu edhe në verë, është jo pak i lakmuar nga turistët.

Këtë fundqershori, tuistët me gjasë do e gjejë atë të dyzuar mes gjelbërimit dhe pluhurit. Në këto ditë të nxehta vere, Voskopoja duket sa mahnitëse aq edhe zhgënjyese. Qytetarët i drejtohen fshatit për t’ju shmangur tymnajës së pluhurit të qytetit , për të qëndruar mes pyjeve dhe ajrit të pastër por përballen me re gjigande tymi të krijuara si pasojë e mungesës së infrastrukturës jo vetëm në segmentin rrugor Korçë -Voskop por edhe në rrugicat e fshatit të cilat ndër vite janë lënë në harresë e askush nuk ka menduar t’i rehabilitojë ato për të mundur të krijohen kushtet minimale infrastrukturore për vizitorët. Në ditën e çeljes së sezonit turistik, kryetari i komunës Nexhip Bacelli ka ngritur shqetësimin  për këtë problematikë e cila sipas tij është frenuesja kryesore e turizmit.

“Janë dy projekte për rikonstruksion rrugësh të cilat do të nisin të zbatohen prej muajit të ardhshëm pasi për ne ky është një shqetësim shumë i madh. Rrugët jo të mira kushtëzojnë edhe numrin e turistëve por shpresojmë që me rehabilitimin e akseve nacionale dhe rrugëve më të dëmtuara këtu në Voskopojë, numri i tyre vitin e ardhshëm të ketë rritje të konsiderueshme”-ka theksuar kryekomunari Bacelli.

Qytetarë të shumtë i janë drejtuar Voskopojës në këtë ditë feste ku janë harmonizuar me eventet festive por edhe ata janë shprehur të zhgënjyer për këtë mungesë infrastrukturore e cila i limiton vizitorët.

“Natyra këtu është shumë e bukur, ne vijmë për t’u qetësuar por rruga na krijon jo pak probleme dhe duhet ta pranoj që mendohem gjatë përpara se të marr rrugën për të ardhur këtu sepse është shumë stresuese dhe e rrezikshme shpesh të ecësh në rrugë malore dhe të dëmtuar”-shprehet një vizitor nga Tirana.

Sfidë e qeveritarëve sa i takon turizmit trumbetohet të jetë rritja e numrit të tyre, por për Voskopojën, një sfidë e madhe mbetet veç të tjerash rehabilitimi i infrastrukturës sepse ndryshe, fshati i njohur piktoresk dhe me kulturë të lashtë në afërsi të Korçës, nuk do të lakmohet shumë nga turistët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›