E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ingrid Betenkurt "na vidhte ushqimin"

Lirimi i Ingrid Betenkurt në korrikun e shkuar, pas gjashtë vjetësh peng në duart e guerilasve të majtë kolumbianë, u pasqyrua nga mediat e së gjithë botës. Gazetat e pagëzuan si Zhan D‘Ark e re, Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, i rezervoi një mirëseardhje prej heroine dhe i organizoi një ceremoni nderimi të posaçme në Lurd.

Por në ditët tona, nderimet për njerëzit e mëdhenj duket se nuk janë të destinuara të zgjasin shumë në kohë. Gjë që ka ndodhur edhe me Ingrid Betenkurt, politikanen franko-kolumbiane, që një herë kandidoi edhe për Presidencën e Kolumbisë, e cila këto ditë është ulur nga piedestali.

Sulmi mbi reputacionin e saj super të ekzaltuar e të ngritur në qiell, vjen prej dy nga tre kontraktorët e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët qenë mes 15 pengjeve të tjerë që u shpëtuan nga duart e pengmarrësve bashkë me Ingrid Betenkurt. Në një libër të ri, të hedhur pardje në libraritë amerikane, tre ish-pengjet përshkruajnë pesë vitet e kaluara në xhungël, në duart e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, të njohura si FARC. Ajo që e bën librin të veçantë është se Betenkurtin e përshkruan me nota negative, si një njeri që shprehte vazhdimisht sjellje arrogante dhe egoizëm.

Sulmi më i ashpër ndaj politikanes në librin "Të çliruar nga burgimi" vjen nga Keith Stansell, një ish-marins nga Florida. Në kohën kur përfundoi në duart e FARC-ut ishte shef i një misioni të kompanisë private "Northrop Grumman", detyra e së cilës ishte grumbullimi i të dhënave sekrete mbi trafiqet e drogës së guerilasve kolumbianë. U kap nga guerilasit në çastin kur avioni me të cilin udhëtonte ra për shkak të një defekti në mes të një kampi stërvitjeje të forcave rebele.

Në disa pasazhe të librit, Stansell e përshkruan politikanen, e cila ishte kapur nga guerilasit një vit më parë, si arrogante, agresive dhe egoiste. Ish-pengu rrëfen se si Betenkurt u vidhte ushqimin pengjeve të tjerë, nuk pranonte të ndante me bashkëvuajtësit ata pak libra që u ishin lejuar të mbanin prej pengmarrësve. Madje kishte vënë në rrezik edhe jetët e pengjeve amerikanë, duke u thënë guerilasve se ata ishin agjentë të CIA-s.

44-vjeçari Stansell përshkroi disa prej sjelljeve të politikanes për agjencinë "Associated Press": "E shihja teksa kërkonte t‘i bënte të gjithë t‘i bindeshin, me një arrogancë që shpesh kalonte jashtë kontrollit. Disa prej guerilasve që na ruanin na trajtonin më mirë nga ajo".

Rrëfime të tilla janë bërë edhe nga një tjetër amerikan i rënë në duart e guerilasve. 55-vjeçari Tomas Hous, bashkëpiloti i avionit të rrëzuar, ka treguar për radion "Bogota", se "Betenkurt ishte njeri së cilës i pëlqente të mbante nën kontroll e të dominonte dhe se nuk i pëlqente ta ndante ushqimin barabartë me të tjerët, përkundrazi tepër egoiste".

15 pengjet, përfshi Ingrid Betenkurt dhe tre amerikanët, u liruan nga guerilasit 2 korrikun e shkuar, në një operacion dramatik. Forcat e ushtrisë kolumbiane, në bashkëpunim me shërbimet sekrete amerikane, vunë në jetë një plan shumë të rrezikshëm, gjatë të cilit krerët e FARC-ut u bindën se kishin marrë urdhër nga eprorët të dorëzonin pengjet. Në fakt, zëri në telefon, i cili urdhëronte limimin e pengjeve, që tingëllonte aq autoritar, nuk i përkiste komandantit të një prej forcave guerilase më të frikshme në të gjithë Amerikën Latine, por një oficeri të ushtrisë së këtij vendi. Guerilasit thjesht u mashtruan. Me ndihmën e përgjimeve të një telefoni satelitor dhe të një agjenti që kishte mundur të futej në radhët e forcave FARC, ushtria kolumbiane ia doli të planifikonte dhe të ekzekutonte një operacion, që i dha fund sagës së shumëpërfolur të 15 pengjeve.

Që prej lirimit, Betenkurt ngrihej pafundësisht në piedestal si në Francë edhe në Kolumbi. Të hënën, në përvjetorin e shtatë të marrjes peng, përmes valëve të radios, ajo dha një mesazh për të gjithë ata që sot mbeten ende pengje të guerilasve, ku nënvizonte se "jeta ime do të mbetet gjithnjë e lidhur me tuajën". Por zërat negativë lidhur me qëndrimin dhe sjelljen e saj gjatë gjithë atyre viteve qenë ndjerë edhe para këtij libri. Ish-partneri i saj, Huan Karlos Lekompte, prej kohësh deklaron se ndihet i zhgënjyer nga Betenkurt. Për gjashtë vjet, nuk pushoi asnjë çast së kërkuari lirimin e saj, por me t‘u kthyer nga xhungla, Betenkurt i shkëputi lidhjet me të. "Ishte surprizë e jashtëzakonshme", tha.

Vetë Betenkurt nuk pranoi të jepte asnjë koment lidhur me portretizimin që i bëjnë dy amerikanët në libër. Një zëdhënës i saj tha se Betenkurt "aktualisht është e zënë me shkrimin e një libri mbi atë periudhë dhe se nuk dëshiron të lëshojë deklarata deri në publikimin e tij".

Megjithatë, për t‘u mbrojtur, mund të mbështetet te dëshmitë e amerikanit të tretë që u mbajt peng bashkë me të, i cili përshkruan një kuadër tjetër. Libri është ndërtuar nga kapituj të shkruar veçmas nga secili prej tre autorëve dhe në seksionin e vet, Mark Gonsalves, ish-analist i Shërbimeve të Fshehta të Forcave Ajrore amerikane, i cili në misionet e zbulimeve kryente rolin e fotografit, përshkruan në libër se si u bë i afërt me politikanen dhe si diçka e tillë shihej me xhelozi nga shokët e tij. "Megjithëse Betenkurt ishte e lidhur gjithë kohës, nuk e pashë kurrë të qahej apo të ankohej. Është grua e fortë. Nuk përtonte t‘u kundërvihej guerilasve", shkruan amerikani në libër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›