E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasja e nëndetëseve, "makth nuklear"

Bota është një vend i mirë dhe i mrekullueshëm dhe në Kepin e Kintyrës duket po aq i paqtë sa ç‘e përshkruante Pol Mekartni në këngët e tij të suksesshme të viteve shtatëdhjetë. Tufat e deleve kullosin të qeta kodrave të këtij gadishulli në pjesën jugperëndimore të Skocisë dhe luginat janë të mbushura me aroma ndjellëse që vijnë prej disa distilerive të vogla ku prodhohet ndoshta uiski më i mirë në gjithë Britaninë.

Por para tri të shtunash, ai imazh i paqtë u trondit në çastin kur "HMS Vanguard", një nëndetëse nukleare britanike, bënte përpara me mundim pranë Kepit të Kintyrës, rrugës për në Portin Faslan. U bë e qartë thuajse menjëherë se në det sa nuk kishte ndodhur një katastrofë nukleare - dhe diçka e tillë mund të ndodhë në çdo moment, pasi bota vetëm vend i paqtë nuk është.

Dalloheshin qartë të çara e të gërvishtura në trupin e nëndetëses. Kjo pasi ishte përplasur në ujërat e Atlantikut me nëndetësen franceze "Le Triomphant". Probabilitetet që incidente të tilla të ndodhin në hapësirat e pafundme të deteve e oqeaneve janë tepër të vogla, e megjithatë ndodhin.

Përplasja mbi të gjitha na kujtoi se Lufta e Ftohtë vazhdon ujërave të oqeaneve dhe që as shtete aleate si Britania dhe Franca nuk kanë aq besim te njëra-tjetra sa të ndajnë informacione mbi vendndodhjet dhe itineraret e armëve të tyre më të fuqishme. Ajo tregoi gjithashtu se një nëndetëse gjigante 16 mijë tonëshe si "HMS Vanguard" është në gjendje të jetë tërësisht e padukshme (në fakt thuajse tërësisht).

"Vanguard" dhe "Le Triomphant" nuk janë nëndetëse të zakonshme sulmuese - janë mjete luftarake tepër të shtrenjta e të pajisura me raketa balistike. Britanikët zotërojnë katër nëndetëse të tilla, po aq sa edhe francezët. Amerikanët kanë 14, rusët 15 dhe besohet se kinezët zotërojnë 3. Trupi i "HMS Vanguard", i lartë sa një godinë katërkatëshe dhe i gjatë rreth 150 metra, ka brenda vetes një reaktor nuklear dhe 16 raketa balistike të pajisura me koka nukleare, forca shkatërruese e të cilave është 300 herë më e madhe se e bombës atomike që rrënoi Hiroshimën.

"Ky është një incident tepër serioz", thotë Stefën Saundërs, ish- kapiten i parë (tashmë në pension) në Marinën Mbretërore Britanike, autori i një libri mbi nëndetëset. Ndërkohë që disa ekspertë në Qendrën Britanike Antinukleare e konsiderojnë aksidentin "makth nuklear".

As britanikët dhe as francezët nuk kanë ndërmend të tregojnë se ku dhe kur u përplasën dy nëndetëset. Mendohet se "Le Triomphant" dhe "HMS Vanguard" u përplasën teksa lundronin të dyja me shpejtësi të ulët. Mjeti francez ka dëmtuar pjesën e sonorit që gjendet te kiçi. Edhe pse pajisjet zanore që kuptojnë praninë e mjeteve të tjera lundruese janë shumë të sofistikuara, kësaj here nuk arritën të vërenin se nëndetësja gjigante britanike gjendej përballë.

Nëndetëset strategjike janë armë super të avancuara me mision mjaft arkaik: hakmarrjen. Janë ndërtuar për ditën kur bota do të shohë fundin e vet. Pavarësisht sa bomba atomike tokësore mund t‘i shkatërrojnë armikut, fuqitë nukleare vështirë se mund të zbulojnë vendndodhjet e nëndetëseve të këtij lloji. Nga ana tjetër, vetë nëndetëset janë në gjendje të godasin me aq forcë sa vështirë të ketë fitues prej një lufte nukleare.

Shkencëtarët punojnë vazhdimisht për të zbuluar rrugë dhe mjete për lokalizimin dhe mbytjen e nëndetëseve, por problemi është se asnjë prej tyre nuk ka rezultuar e efektshme. Për shembull, pavarësisht shpikjes së detektorëve specialë në gjendje të kapin praninë e mjeteve kaq të mëdha, një seri e gjatë faktorësh të jashtëm nuk lejojnë që vendndodhja e tyre të kuptohet me saktësi. Pajisjet me rreze infra të kuqe janë në gjendje të kapin nxehtësinë që gjeneron një reaktor nuklear, por po ashtu identifikojnë gabimisht si nëndetëse edhe ujin që hedh pas një anije e zakonshme mallrash.

Kjo bën që shpresat të varem më shumë te sonorët, të ashtuquajturit sonorë aktivë lëshojnë tinguj "ping" në ujë dhe nga kthimi i tyre vlerëson vendndodhjen dhe përmasat e nëndetëses. Gjithsesi këta tinguj përhapen në distanca shumë të largëta nga uji dhe është vetë nëndetësja që lëshon "pingun" ajo që zbulon e para vendndodhjen e vet. Kjo është arsyeja për të cilën nëndetëset strategjike përdorin sonorin pasiv, të dhënat e të cilit kompjuterët i transformojnë në imazhe me shkallë të ndryshme të grisë. Problemi i vetëm është se këto nëndetëse bëjnë shumë pak zhurmë. Ministri francez i Mbrojtjes, Herve Morin, shprehet se këto mjete "bëjnë më pak zhurmë se një gaforre".

Një tjetër problem për drejtuesit e nëndetëseve është një labirint i njohur shumë mirë. Shtresat e ujit me përqindje të ndryshme kripe e bëjnë shumë të vështirë vendndodhjen e një nëndetëseje, pasi i shpërndajnë tingujt në drejtime të ndryshme. Edhe korrentet me ujë të ngrohtë ngrenë mure të vështira për tingujt zanorë. Të gjitha këto krijojnë vende të sigurta në mes të oqeaneve ku komandantët e nëndetëseve fshehin mjetet e tyre, por që njëherësh janë zona që përdoren nga të gjithë.

Kjo është arsyeja për të cilën britanikët dhe amerikanët koordinojnë pozicionet e nëndetëseve të tyre. Ndërsa francezët nuk janë bërë pjesë e marrëveshjeve të tilla. "Franca nuk jep asnjë lloj informacioni", thotë një zëdhënës i marinës franceze, "pasi arsenali nuklear është absolutisht elementi më i rëndësishëm i mbrojtjes së vendit". Gjithsesi, aksidenti në fjalë mund t‘i japë fund këtij sekreti të plotë nga ana e francezëve - veçanërisht tani që Franca do t‘i ribashkohet (në prillin e këtij viti) strukturës komanduese të NATO-s.

Një gjë e tillë do të linte vetëm rusët jashtë marrëveshjeve për koordinimin e nëndetëseve nukleare strategjike. Për shembull nëndetësja "Dimitri Donksoi" është më e madhja në botë. Në bordin e saj, gjenden aq mbushje atomike sa për të shkaktuar katastrofa me përmasa në kufijtë e së besueshmes. Sipas së përditshmes ruse "Komsomolskaja Pravda", "Dimitri Donksoi" mund "të shkatërrojë njëkohësisht duzina qytetesh si Nju Jorku, ose të rrafshojë me tokën gjysmën e Afganistanit".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›