Iniciativa e Lirisë

Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili u mbajt të enjten, i dha Fadil Vokrrit mandatin e dytë katërvjeçar në krye të futbollit kosovar.
Ishte kjo një fitore e lehtë e Fadil Vokrrit, sepse nuk e kishte asnjë kundër-kandidat për këtë post. Kjo bëri që edhe procesi i zhvillimit të Kuvendi Zgjedhor të përfundonte shpejt dhe në qetësi të plotë, si asnjëherë më parë.
Lidhjet rajonale unanimisht e kishin mbështetur Vokrrin, me ç’rast nuk kishin mbetur në dispozicion nënshkrime të mjaftueshme (15 sipas statutit të FFK’së) për ndonjë njeri që ta sfidojë Vokrrin.
Ky proces ishte kritikuar nga FC Prishtina qysh para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor dhe për këtë arsye bardhekaltrit nuk iu përgjigjën fare ftesës për pjesëmarrje në atë kuvend.
Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e Lirisë shprehën pakënaqësi me procesin e zgjedhjes së kryetarit. Madje, një gjë të tillë prizrenasit e bënë gjatë mbajtjes së atij kuvendi.
Drejtori i Lirisë, Hatmi Gashi, theksoi se rrjedhja e Kuvendit Zgjedhor do të ishte shumë më demokratike sikurse Vokrri ta kishte ndonjë sfidues për postin e kryetarit të FFK-së.
Andaj, ai tashmë e ka nisur iniciativën që në kuvendin e ardhshëm të punës së FFK-së të ndryshohet ajo pikë e statutit, e cila e rregullon çështjen e nominimit të kandidatëve për postin e kryetarit.
“Sinqerisht nuk kemi asgjë ndaj Vokrrit, përkundrazi. Unë pa hezitim e votova atë. Ndoshta do ta votoj sërish në të ardhmen. Por, qëllimi i Lirisë është që në të ardhmen kuvendi zgjedhor të jetë më demokratik. Kjo bëhet nëse kandidohen për postin e kryetarit më shumë individë e jo vetëm një”, deklaroi Gashi për Express.
“Statuti duhet ta pësojë atë ndryshim urgjentisht qysh në kuvendin e ardhshëm. Sigurisht se do ta kërkojmë edhe mbështetjen e klubeve tjera, sepse kjo është në interes të futbollit”, shtoi ai.
Ideja e Gashit është që një njeri që ia mësyn postit të kryetarit të mos mund të tubojë më shumë sesa njëzet nënshkrime, me qëllim që të mbesin në dispozicion edhe nënshkrime tjera për t’u kandiduar edhe ndonjë individ tjetër.
“Ne propozojmë që për ta nominuar një kandidat për postin e kryetarit, ai duhet të ketë të paktën pesëmbëdhjetë nënshkrime të grumbulluara. Pra, të ketë një mbështetje të respektueshme të kuvendarëve. Kurse, në maksimum t’i mbledhë 20 nënshkrime. Në këtë mënyrë do të mund të kandidoheshin deri në tre persona dhe në këtë mënyrë kuvendi zgjedhor do të ishte shumë më demokratik”, përfundoi Gashi.
Kurtolli: Nuk shkuam në kuvend sepse dihej rezultati
Ndërkohë, delegatët e FC Prishtinës, Ahmet Kurtolli e Sokol Krasniqi, kishin bojkotuar Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, ku Fadil Vokrri fitoi edhe një mandat tjetër katërvjeçar. Bardhekaltrit shpjeguan arsyen, sipas të cilës, kishin vendosur ta bojkotonin atë kuvend.
“Thjesht ajo ishte një ceremoni. Rezultati i kuvendit dihej para se ai të mbahej. Rendi i ditës ndikoi që ne nuk pamë arsye për të marrë pjesë. Nuk ka nevojë që një njeri t’i mbledhë gjitha nënshkrimet. Le t’u jepet hapësirë edhe të tjerëve. Le të bëhet fushatë. Kështu nuk bën”, tha Kurtolli.
“Ne nuk kemi asgjë ndaj Vokrrit dhe nuk e kontestojmë mbështetjen ndaj tij. Unë i uroj sukses Vokrrit, por qe dashtë t’i jepej rasti ndonjë njeriu ta sfidojë. Vokrrin e pret një punë e madhe. Ai duhet ta rregullojë administratën e tij, e cila realisht është qesharake. Kjo u pa edhe me rrjedhjen e atij kuvendi”, pohoi Kurtolli.