E Shtunë, 31 Tetor 2026

Femrat e Barcelones miqesore me grate japoneze

Femrat japoneze të skuadrës së qytetit Kobe ishin përballë Barcelonës, por jo përballë skuadrës së Mesit dhe Guardiolës. Një takim miqësor u luajt në qytetin katalanas mes ekipit japonez INAC Kobe Leonesa dhe skuadrës së femrave të Barcelonës, duke përfunduar 1-1.
Ky takim u luajt në kujtim të viktimave dhe shkatërrimeve që shkaktuan tërmeti dhe cunami që goditi Japoninë vitin e kaluar dhe fanelat me të cilat u luajt ndeshja, u firmosën nga lojtaret dhe do të shiten në ankand në Tokio.
Japonezet kaluan të parat në epërsi me anë të mesfushores Çiaki Minamiama, por vendaset barazuan me anë të sulmueses Olga Garsia.
Në radhët e INAC Kobes luajti në pjesën e parë Futbollistja më e mirë e botës për vitin 2011, Homare Saua, e cila ka luajtur 166 ndeshje dhe ka shënuar 80 gola për kombëtaren japoneze.
Kapitenia e japonezeve, Ono Shinobu vlerësoi Barçën pas ndeshjes.
“Niveli i tyre individual më habiti. Janë lojtare shumë të mira. Duke qenë se bëjnë pjesë në një klub si Barça, ato nuk e humbasin kurrë topin. Në një moment, m’u duk sikur po luaja ndaj vetë ekipit të Barcelonës”.
Ylli i femrave botërore, Homare Saua, mendon se skuadra e saj duhej të kishte fituar.
“Ne duhet të përmirësojmë zotërimin e topit dhe t’i përfundojmë më mirë aksionet. Ne patëm shumë raste, por nuk shënuam gol tjetër, ndaj edhe nuk fituam. Përsa i përket Barcelonës së meshkujve, e dimë që Mesi është numri 1 i botës, futbolli spanjoll më i miri dhe Barcelona, ekipi më i mirë në botë”.
Kjo ishte një ndeshje më shumë dhe një hap më shumë drejt solidaritetit, diçka për të cilën bota vazhdon të ketë kaq shumë nevojë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›