E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iniciativa për Tiranën dhe kandidatët e Kryebashkisë

ALFRED ÇAKO

Dje, një forum qytetar prej 31 nismëtarësh, i quajtur Iniciativa për Tiranën solli një risi për kryeqytetin: u përpoq që për herë të parë në këto vitet e fundit të puqte tok një grup intelektualësh përballë dy kandidatëve potencialë,  blu e rozë, për poltronën e Kryebashkisë. Qëllimi ishte një shoshitje publike e përbashkët e mendimeve dhe një dialogim për imazhin e ardhshëm të kryeqendrës urbane të vendit dhe për prioritetet që diskutantët sugjeronin ti serënditnin në listën e gjatë të nevojave që ka Tirana. Të dy kandidatët shkëlqenin në këtë kuvendim: Basha me pjesëmarrjen e angazhimin e tij të shqetësuar dhe Rama me mungesën e tij. Ishte e trishtueshme teksa shikoje karrigen bosh të kryebashkiakut në detyrë – z. Rama. Mungesa e tij, kinse ai ishte i përkushtuar me një detyrë tjetër më të rëndësishme, dashur pa dashur shfaqte një mospërfillje për sallën e mbushur me shumë emra të njohur të intelektualëve më në zë jo vetëm për qytetin e Tiranës, por me zë në të gjithë vendin. Me gjithë përpjekjen tonë për të qenë në këtë koment të paanshëm e të ftohtë në arsyetim, qysh në fillim do të vinim theksin te fakti se nuk mund të mos e shohim këtë gjest të tij si një gjest fyes e mospërfillës ndaj audiencës elitare të kryeqytetit, pa përmendur emra, sepse lista do të ishte goxha e gjatë. Për ta mbyllur këtë simbolikë të mungesës së tij, mund të nxjerrim si përgjigje se karakteristikë e z. Rama është sjellja e tij që të rrojë në një zhguall breshke dhe ai, ngado që lëviz, e mban këtë zhguall si një pancir mbrojtës dhe, sa herë që mbi të bien rrezet e dritave shumëngjyrëshe të skenës së qytetit për ti bërë radiografinë, ai fut kokën e këmbët në këtë zhguall dhe preferon errësirën; atë errësirë prej së cilës ai, në fakt, ka dalë e është katapultuar në majë të hierarkisë së Kryebashkisë dhe vetë PS-së. Dhe i tillë ka qenë për tri mandate z. Rama: jo transparent me planet e zhvillimit të kryeqendrës urbane të vendit, jo transparent me financat e arkëtuara e të shpenzuara prej saj. Në gjithë kuptimin e vërtetë të fjalës, bunkeri më i mbyllur sot në Tiranë është, me sa duket, Bashkia. Edhe mungesa e kryebashkiakut dje në takim nuk ishte gjë tjetër veçse filozofia karakteristike e tij e mospërfilljes dhe sjellja që vjen nga teoria e bunkerit. Aq më tepër bëhet e papranueshme një sjellje e tillë qëkur dihej se në presidium kishte një përbërje shumë të diversifikuar në profesione dhe në sallë kishte edhe shumë beniaminë të kauzës politike të z.Rama, si dhe spikatja e disa intelektualëve të paangazhuar politikisht ndër vite. Madje ka disa javë që kundër teorisë së mosballafaqimit ballë për ballë të kandidatëve ka dalë edhe ambasadori i SHBA-ve, çka tregon se kjo karakteristikë kryeneçe e megalomane e Edi Ramës ka tërhequr vëmendjen dhe ka shqetësuar edhe përfaqësuesit në Tiranë të superfuqisë botërore ndër vite, pasi mendojmë se deklarata e z. Arvizu kishte të bënte me një shqetësim afatgjatë e të grumbulluar nga e kaluara e fushatave elektorale dhe sjellja e përsëritur e z. Rama ndaj tre ish-kandidatëve humbës të PD (Mustafaj, Ngjela, Olldashi), dhe jo vetëm nga tendenca e tij e sotme e dukshme për ta ripërsëritur këtë veprim. Një sjellje e tillë do të ishte e dëmshme ndaj iniciativave, të cilat synojnë ta mbajnë gjallë debatin e komunikimin e intelektualëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme me kryebashkiakun edhe në të ardhmen, si një dritare më tepër e një projekt për tu ofruar qytetarëve më tepër transparencë nga sa krijojnë detyrimet ligjore e institucionale dhe mekanizmat e kontrollit ligjor teknik e financiar ndaj kryeadministratorit të Bashkisë së Tiranës. Ndoshta Rama do ta ketë edhe më të vështirë në krahasim me tre rivalët e tij të mëparshëm që të dalë face to face ndaj kandidatit aktual blu. Sepse përveç faktit të këndvështrimit të unit të vet mesianik – për shkak të trashëgimisë me testament të çelësave të Tiranës nga ish-çobanët partizanë që ndërtuan Bllokun, te një pinjoll i nivelit të dytë, por me background afër tij – prizmi i vlerësimit nga pozicioni i njëanshëm i gjykatësit ndaj rivalit të vet (pas ngjarjeve të dhunshme me tri viktima pas 21 janarit), e bën të pamundur uljen pranë e pranë të presë rozë me gjahtarin blu të rebelimeve të dhunshme të janarit.
Kjo ishte njëra anë e medaljes që ofroi takimi i organizuar nga Iniciativa për Tiranën. Ajo që të bënte përshtypje në presidium dhe te diskutantët, ishte hapësira e shqetësimeve të tyre jo vetëm për anën utilitare e rekreative të vizionit të tyre për qytetin, por edhe qasja ndaj komponentes shpirtërore dhe optika për zhvillimin e qendrave kulturore. Kur dëgjoje këto diskutime, sepse mu kujtua agoraja e Athinës së kohës së Perikliut, ku në 4-5 nivelet e demokracisë së drejtpërdrejtë athiniote do të dëgjoje si indulgjencën idealiste të recituar nga Aristidhi i drejtë, si kërkesat lunatike të Eskilit për teatrin, ashtu dhe përçartjet filozofike të Sokratit; këtu në agoranë athiniote mund të dëgjoje edhe kërkesat pragmatiste, thelbësore e tokësore me këmbë në tokë të Perikliut dhe talljen e tij me ëndrrat e disa të marrëve që merreshin me shpirtin e ngopjen e tij me kënaqësitë e librit, teatrit, muzikës, pikturës. Sepse politikanët mendojnë më tepër për barkun dhe trupin.
Unë realisht nuk e kisha përtypur ndonjëherë një pentagram të tillë kakofonie në muzikën e djeshme të sallës ku ndodhesha, e cila të përmbante imazhin perspektiv të qytetit tonë; një kakofoni e tillë që gjithkush e ka dëshiruar ta dëgjonte si një uverturë për një të ardhme tjetër të kryeqytetit tonë. Emëruesi i përbashkët i mendimit të të gjithë atyre burrave të pjekur në moshë që diskutuan dje ishte karakteri revolucionar që duhet të ketë si tipar e urgjencë e ardhmja e kryeqytetit. Thuhet se njerëzit në rini janë revolucionarë e kur piqen bëhen evolucionistë; këtu pashë se nga emergjenca që ka Tirana jonë që ndodhet në reanimacion, po ndodhte e kundërta. Besoj që ashtu si dhe unë, të gjithë e kanë ndjerë se ka rënë gongu i një raundi të ri optimist: Tirana duhet të ndryshojë, Tirana duhet të ndryshojë! Ky ishte refreni i çdo diskutanti. Ne banorët e këtij metropoli-geto kemi nevojë ta ndiejmë veten si europianë. Tirana është e sëmurë; ajo vuan nga mungesa e një plani urban; ajo ka nevojë të modernizojë transportin e automjeteve, të çlirojë rrugët, të ngrejë parkingjet publike nëpër blloqet; ajo ka nevojë të rregullojë cilësinë e ajrit; ka nevojë të rritë cilësinë e mjedisit; ka nevojë të ruajë hapësirat e pakta publike që ka lënë katrahura korruptive e këtyre 10 vjetëve të fundit; ka nevojë për një transport modern publik mbi e nëntokësor (mendoni që Budapesti e ka ndërtuar metronë e parë më 1908-n!); ka nevojë për të ngritur cilësinë e shpirtit; ajo nuk duhet të jetë një fjetinë e madhe, por të ketë kinematë e saj në disa qendra të saj periferike; të ketë teatro, biblioteka, akademi, galeri pikturash, orkestra filarmonike. Për të gjitha këto mungesa, mbi të gjitha, Tirana ka nevojë për fantazi për të thithur burime financiare e mjete monetare; që të kryhet kjo, ka nevojë për profesionistë në fushën e financës, gjë e cila duket se i ka munguar Bashkisë rozë.
Të gjitha këto që u thanë, natyrisht që nuk mund ti realizojë me shkop magjik asnjë Guliver, për shkak të mungesave objektive financiare; por disa prej tyre duhej të ishin realizuar dora dorës, unë e ndjej që mundësitë kanë qenë tepër më të mëdha. Mungesa e kreativitetit, megalomania dhe, mbi të gjitha, korrupsioni, ka bërë që Tirana tu jetë larguar optimumeve dhe brenda qenies së saj janë prishur shumë ekuilibra jetikë. Të gjitha ëndrrat e diskutantëve për Tiranën e ardhme në agoranë e parë të Tiranës kishin vlerë; kishin vlerë sepse e para është fjala; aty duhej të ishte një njeri që të tregonte se këta njerëz ose ishin të çmendur dhe flisnin përçart, ose të pranonte marrëzinë e

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›