Agjenda e Edvinit nuk është agjenda e qytetarëve
Me iniciativë të kandidatit për kryetar Bashkie të Tiranës Lulzim Basha, janë thirrur në një takim 31 intelektualë të fushave të ndryshme. Forumi i intelektualëve është mbledhur ditën e djeshme për një diskutim të hapur mbi Tiranën në ambientet e Akademisë së Arteve. Në të merrnin pjesë emra të njohur, si rektori i universitetit të Tiranës Dhori Kule, piktori Ali Oseku, drejtoresha e Arkivit të Shtetit Nevila Nika, pedagogë nga fakultete të ndryshme si dhe përfaqësues të ambientalistëve. Të pranishmit kanë parashtruar të gjitha problemet që has sot kryeqyteti që nga infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mjedisi dhe kultura. I ftuar ishte edhe Edi Rama, i cili refuzoi të merrte pjesë, duke dhënë arsyen e trishtueshme se kishte një agjendë tjetër.
Mirëpo u bënë vite që Edi Rama ka një agjendë tjetër nga ajo e qytetarëve të këtij vendi. Një agjendë pa kokë dhe këmbë. Dhe nëse ka diçka që nuk shkon në këtë qytet është mungesa e Ramës në drejtimin serioz të Bashkisë së Tiranës. Ai ka braktisur kryeqytetin për t’u marrë me punët e Partisë Socialiste, me të cilën synon të ndërrojë punë, pra, të bëhet kryeministër. Gjithsesi, siç po duken bathët, agjenda Rama ka qenë dhe mbetet veçse destruktive, d.m.th prish, shkatërro se kur të vijmë ne do të rregullohet gjithçka. PS-ja ka vështirësi të kuptojë se vendi s’ka kohë për të humbur pas një agjende konfliktuale e negativiste, që harxhon energji aq të nevojshme në arritjen e standardeve jo vetëm ligjore por edhe etike dhe shoqërore. Kur PS-ja mungon të interesohet për hallet e përditshme dhe merret me hallet e lejeve të ndërtimit të Tan Leprit, apo kunatit të shokut Dash Peza, ka diçka që e parakalon demokracinë sepse kthehet një oligarki zhvatëse, me etje për para në dëm të së Mirës publike.
Afërmendsh e njëjta logjikë qëndron edhe tek daljet publike fyese si ajo e djeshmja e Erion Velisë, ku i angazhuar në stafin e “Rama për zhurmim” hodhi baltë mbi Lulzim Bashën me një sarkazmë shpirtkazmë. Hirushja e PS-së deklaroi me një skenografi të parapërgatitur deri në detaje akustike për korin konfirmues të pyetjeve të tij. Ai tha se është mashtrim premtimi për kartën e studentit nga ana e kandidatit demokrat për bashkinë e Tiranës, me fjalët “Dje dëgjova se kandidati i Saliut për bashkinë e Tiranës, po u premtonte për herën e gjashtë studentëve shqiptarë që do t’ju japë kartën e studentit, por kartën e studentit e ka premtuar edhe babai i tij Sali Berisha”. Mirëpo që një jetim i zellshëm të bëjë batuta metaforike “Atërore” është sinjal i ardhjes së nënndërgjegjes së ndrydhur në publik, të një djali të rritur me sakrifica, dhe të kushtëzuar nga mungesa e një pike referimi atëror. Edi Rama ka prodhuar dhe paketuar për media shumë kopilë të klonuar kohët e fundit për të zhurmuar kundërshtarin për bashkinë e Tiranës, duke tentuar t’i fusë qytetarët në llogore politike, e kësisoj të mbahet “status-qou-ja” e Ramës, me një këmbë në Bashki dhe tjetrën në Parti. Cilido prej nesh shpesh po dëgjon premtimet e shpalosura nga Lulzim Basha dhe nga ana tjetër Partia Socialiste, e cila pa një program për qytetarin, e vetmja gjë, e vetmja rrugë e Ramës, është të ngrejë akuza për çka deklaron kandidati Lulzim Basha.
Sidoqoftë këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për të ardhmen e qytetit, për mënyrën se si ai do të zhvillohet, për ekonominë vendore dhe punësimin, për mjedisin, pastrimin, trafikun, koston e jetesës dhe zbavitjen, pra, me pak fjalë, për gjithçka që ka lidhje me nivelin e jetesës dhe zhvillimit social të kryeqendrës të vendit. Edi Rama ka 11 vjet që drejton kryeqytetin duke keq-menaxhuar problematikën e akumuluar prej vitesh dhe kurrë të zgjidhur. Një gjë lexohet qartazi: nëse Rama do të rikonfirmohet, problematika do të ekzistojë edhe për katër vite të tjera.