Histori e shtrembëruar
ARBEN KALLAMATA
Zëri Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë në Enciklopedinë e Lirë Wikipedia në Internet (shqip), bazohet në dy burime. Njëri është Thesari i Ortodoksisë, 200 vjet histori, shkruar nga kryepeshkopi grek i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastasios Janullatos, ndërsa tjetri është orthodoxalbania.com, faqe interneti e administruar nga kryepeshkopi grek i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastasios Janullatos. Nuk duhet shumë mend për të marrë vesh se kush e ka shkruar, autorizuar ose miratuar artikullin. Janullatos erdhi në Shqipëri më 1991-shin me fjalët: Jam një zëvendës, eksark, me një detyrë të përkohshme. (Sejfi Protopapa, Peshkopi Janullatos, jo nënshtetësi shqiptare, Zemra Shqiptare, E shtunë, 10.05.2008). 20 vjet pas kurorëzimit të përkohshëm të tij në krye të Kishës shqiptare së themeluar nga Noli, veç lojës kuptimore me fjalët zëvendës, eksark dhe i përkohshëm, mund të shohësh edhe rezultate të tjera. Ndër to është edhe mënyra e shtrembër se si paraqiten ngjarjet dhe personat historikë.
Historia e KOASH në artikullin e Wikipedias ndahet në 5 pjesë, duke kapur përkatësisht periudhat: Vitet apostolike 731; vitet 7311767; vitet 1767-1937 dhe nga viti 1937 deri sot. Kreu për kohështrirjen 1767-1937 ka një nënndarje prej tre paragrafësh të titulluar Kisha Ortodokse Shqiptare në SHBA, nga të cilat vetëm një fjali merret me Kishën Ortodokse Shqiptare në SHBA dhe Fan Nolin, prandaj sështë e tepërt ta citoj fjalë për fjalë: Veçanërisht e rëndësishme ishte edhe veprimtaria e Fan Nolit (Theofan Stiljan Nolit ose Mavromatit), i cili përktheu shumë tekste kishtare në shqip, duke ngulmuar që këto të përdoreshin në adhurim; më pas ai zuri vende drejtuese, fillimisht në Kishë, si mitropolit i Durrësit, dhe më pas në Shtetin Shqiptar, si ministër i Jashtëm dhe kryeministër, në vitin 1924.
Roli i Fan Nolit në krijimin e KOASH është katandisur thjesht në atë të një përkthyesi të teksteve kishtare në shqip dhe, pastaj, në atë të një njeriu që ka zënë vende drejtuese në kishë dhe në shtetin shqiptar.
Ata që i dalin në mbrojtje Janullatosit sjellin shpesh si argument erudicionin, njohuritë e tij të thella, të cilat nuk kam aspak ndërmend ti vë në dyshim. Përkundrazi, erudicioni i tregon se katandisja në një fjali e rolit të Fan Nolit në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare; injorimi i ndikimit të vërtetë të Kishës Shqiptare të Amerikës në themelimin e KOASH dhe mohimi absolut i rëndësisë së kësaj lëvizjeje në kuadrin e lëvizjes së përgjithshme të shqiptarëve për pavarësi është i qëllimtë, ndërsa qëllimi është i keq.
Themelimi i KOASH filloi paksa mbi 100 vjet të shkuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Boston dhe rrethinat e tij, ku ishte krijuar një komunitet pak a shumë i fortë shqiptarësh, shumica e të cilëve vinin nga Korça dhe fshatrat e saj, dhe një pjesë të mirë e tyre i përkisnin besimit të Krishterë Ortodoks.
Duke mos pasur kishë të vetën, imigrantët shqiptarë u qenë drejtuar kishave ortodokse greke, si më të afërtat për ta gjeografikisht dhe në kulturë. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për fillimin e shekullit të 20-të, kohë në të cilën Perandoria Otomane përpëlitej në grahmat e fundit; Greqia e kishte fituar që prej mëse 80 vjetësh pavarësinë nga Perandoria Otomane; ndërsa Shqipëria ishte ende nën zgjedhë dhe po shtonte përpjekjet për pavarësi.
Turqia nuk e dëshironte pavarësinë e Shqipërisë, pasi donte ta mbante atë pafundësisht nën kontroll. Greqia, gjithashtu, nuk e dëshironte pasi ëndërronte që, në rastin e rrëzimit të Perandorisë Otomane, ta copëtonte fqinjën e saj duke i marrë pjesën jugore që, sipas Megalidesë përbën Epirin e Veriut, term që në logjikën shoviniste greke përkthehet në Greqi.
Pjesë e përpjekjeve për të penguar pavarësinë e Shqipërisë ishin edhe përndjekjet e patriotëve shqiptarë nga qeveritë turke dhe greke. Ndër ta ishte edhe i riu Kristaq Dishnica, i cili vdiq në Hudson, Massachusetts në 25 gusht 1907. Për shkak të veprimtarisë së tij në ndihmë të çështjes kombëtare, shqiptare Dishnica ishte ekskomunikuar nga Kisha Greke. Kur vdiq Dishnica, kisha greke nuk pranoi ti bënte shërbimet e varrimit. Djaloshi u varros nga bashkatdhetarët me një ceremoni jofetare në Worcester.
Kisha greke shkoi edhe më tej, duke shpallur se nuk do tu kryheshin më shërbime besimtarëve shqiptarë që nuk shpalleshin grekë. Emigrantët shqiptarë u ndodhën përpara një udhëkryqi të pranonin një të pavërtetë, domethënë që nuk ishin shqiptarë por grekë dhe të vazhdonin të merrnin shërbimin fetar, apo të përballeshin me mundësinë e një ekskomunikimi masiv që, për mendësinë e fillimit të shekullit të njëzetë, duhet të ketë qenë diçka e afërt me fundin e botës.
Vështirë të thuhet se sa të ndërgjegjshëm ishin imigrantët e thjeshtë shqiptarë të Amerikës për rëndësinë historike të vendimit që do të merrnin. Vështirë të thuhet që gjykuan duke e ditur që fatet dhe e ardhmja e vendit të tyre, që në atë kohë qëndronte në fije të perit, do të varej në një masë të madhe edhe në mënyrën se si do të vendosnin ata në këtë situatë.
Për shovinizmin grek kishte rëndësi parësore që gjithë ortodoksët shqiptarë të paraqiteshin si grekë. Kjo do tu jepte një shtytje pretendimeve të tyre për Shqipërinë e Jugut dhe, në rastin e rënies së Perandorisë Otomane, gllabërimi i këtij territori do të ishte shumë më i lehtë. Për Shqipërinë që po lindte kjo do të ishte vetëvrasje. E destinuar të copëtohej përgjysmë në Veri (me Kosovën dhënë sllavëve të Jugut), Shqipëria nuk do të mund ta përballonte edhe një ndarje tjetër më dysh. Një Shqipëri që shtrihej nga Tropoja në Shkumbin do të ishte e dënuar të mos mbijetonte.
Por shqiptarët e ndershëm të Massachusetts-it e dhanë vendimin e tyre historik thjesht dhe qartë. Ata zgjodhën të vërtetën përpara gënjeshtrës. Ata thanë se smund të deklaroheshin grekë edhe sikur kjo tu kushtonte ekskomunikim.
Kisha greke nguli këmbë në të sajën. Për një periudhë gati njëvjeçare, familjet e shqiptarëve ortodoksë të Massachusetts-it u ndodhën në një gjendje apokaliptike – fëmijët e lindur duheshin pagëzuar, të vdekurit duheshin varrosur me ceremoni, dasmat duheshin bekuar. Përkohësisht ata u ndihmuan nga Kisha Ortodokse Siriane në Worcester.
Gjendja vazhdoi derisa fati iu solli njeriun e përshtatshëm një i ri intelektual, që shumë shpejt do të bëhej një nga personalitetet më të shquar të kulturës mbarëshqiptare Theofan Stilian Noli.
Noli jo vetëm pranoi të vihej në krye të Kishës shqiptare në Boston, por edhe filloi organizimin e asaj që do të kthehej në Kishën Autoqefale Shqiptare. Ai thirri në takim ortodoksë nga gjithë New England dhe diskutoi me ta mundësinë e krijimit të një Kishe të pavarur (Autoqefale) Shqiptare. Noli u dorëzua prift më 8 mars 1908 nga kryepeshkopi rus i Nju Jorkut. Patriot, erudit, shkollar, njohës i disa gjuhëve të huaja, njeri me karakter të fuqishëm dhe vizion të qartë, ai iu vu përkthimit të liturgjisë së kishës duke vënë bazat e predikimit në shqip. Më 22 mars 1908, 26-vjeçari Noli mbajti me krenari të parën meshë në shqip në Knights of Honor Hall në Boston, veprim që do të shënonte hapin e parë drejt organizimit zyrtar dhe njohjes së Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare (Robert Elsie: Fan Noli – http://www.albanianliterature.net/authors_classical/noli.html).
Tre vjet më vonë, më 10 gusht 1911, Noli ndërmori një udhëtim në Europë ku, gjatë katër muajve mbajti shërbesa fetare për kolonitë shqiptare në Kishinev, Odessa, Bukuresht dhe Sofje. Në korrik 1913 Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe më 10 mars 1914 mbajti të parën shërbesë fetare ortodokse në shqip, në prani të Princ Vilhelm Vidit, që skishte veçse tri ditë që kishte mbërritur në Durrës (Robert Elsie, po aty.)
E gjithë kjo veprimtari duket tepër e vështirë për tu anashkaluar me një fjali të vetme, aq më tepër nga një erudit. Po kështu, e vështirë është të anashkalohet edhe historiku i mëpasshëm i kishave të Bostonit të Jugut (South Boston), për kontrollin e të cilave ka pasur një përplasje të gjatë midis