E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe pse gjeneratore krizash, kushtetuta e Kosovës është vështirësisht e ndryshueshme

07-04-2011 / Nga Rexhep Kastrati

Thelbi i krizës politike në Kosovë, nuk është thjesht vetëm në zgjedhjen e presidentit, por  në tërë mënyrën e funksionimit të shtetit. Koha ka treguar se Kushtetuta e Kosovës, është gjeneratori i krizave të vazhdueshme, sepse është një Kushtetutë që ka shumë dispozita jofunksionale dhe tepër penguese. Rasti i nenit 86 për zgjedhjen e presidentit, është vetëm njëri nga ato dispozita tepër problematike. Por edhe rasti i nenit 88 që bën fjalë për papajtueshmërinë e funksionit të Presidentit me funksione të tjera publike, është një rast tepër problematik. Është kështu, për faktin se asnjëri nga këta nene nuk i përcakton qartë mënyrat e zgjedhjes së presidentit, apo edhe të ushtrimit të funksioneve të tjera: neni 86, në pikën 4 dhe 5, përcakton se presidenti në dy raundet e para duhet të zgjidhet me 2/3 e të gjithë deputetëve, por askund nuk përcakton çështjen e kuorumit. U desh një interpretimi Gjykatës Kushtetuese që të sqarohet kjo çështje. Ndërsa neni 88, në pikën 1 dhe 2 thotë se presidenti nuk mund të ushtrojë funksione të tjera publike, por nuk thotë se është kundërkushtetues edhe ngrirja e funksioneve të tjera, sidomos në parti. I përmenda këto dy raste, sepse janë bërë shkas i krizave të vazhdueshme politike që nga rasti i presidentit Sejdiu. Në anën tjetër, kemi edhe rastin e nenit 127, përkatësisht i pikës 2, i cili ka të bëjë me kryesimin e Këshillit të Sigurisë, e që për dallim nga shtete të tjera, këtë të drejtë ia njeh Kryeministrit, e jo Presidentit, ashtu siç është edhe rasti me çështjen e emërimit të Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (pika 21 e nenit 84), apo edhe çështje të drejtësisë, të cilat Presidenti duhet t’i kryejë së bashku me Kryeministrin. Janë të gjitha këto, dhe çështje të tjera, të cilat nuk është se mund të trajtohen në këtë shkrim, të cilat jo vetëm që krijojnë vështirësi në funksionimin e shtetit, por edhe bëhen pengesë për ushtrimin e funksioneve të ndryshme nga institucione të ndryshme të tij. Dhe, natyrisht, i është lënë rruga e hapur ndërhyrjeve të vazhdueshme të Gjykatës Kushtetuese, e cila në përbërjen që ka, ka dhënë mundësi për dyshime në ushtrimin e drejtë të funksionit që ka. Me fjalë të tjera, në rastin e Kushtetutës së Kosovës, kemi të bëjmë me një dokument juridik, i cili lë boshllëqe të mëdha, si dhe mundësi të shumta interpretimi të dispozitave të saj. Me këtë rast nuk po e përmendi nenin 143 që përcakton raportet e Kushtetutës, të Ligjeve dhe të akteve të tjera ligjore me  Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, e as nenet 146 e 147 të Kushtetutës, që përcaktojnë pozitën juridiko-kushtetuese të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, të cilat jo vetëm që i kanë vështirësitë e veta, pasi që neni 143, Kushtetutën nuk e përcakton si dokumentin më të lartë juridik të Kosovës, siç thotë pika 1 e nenit 16 të saj, por Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, si edhe kanë hapur rrugë për politizime të ndryshme të veprimeve të ndryshme të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë, sidomos në rastin e arrestimeve për krime kundër njerëzimit. Natyrisht, se gjithë kjo ka ardhur nga ngutja për ta hartuar një dokument që do të quhej Kushtetutë, sepse dikujt nuk i pritej që të dilte para kuvendarëve dhe para popullit që ta quante veten Ismail Qemali i kohëve tona që po ia sillka Kosovës pavarësinë.
Mirëpo, tash kur po shihet se çfarë ka prodhuar kjo Kushtetutë, dhe çfarë krizash po gjeneron, kanë filluar të dalin shumë zëra që duan ndryshimin e Kushtetutës, dhe që me këtë rast të bëhen korrigjime të nevojshme, jo vetëm për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, por edhe për sistemin zgjedhor dhe për aspekte të tjera. Arsyetimi është se kjo Kushtetutë nuk është funksionale, sikur të jetë vërejtur vetëm tash. Dhe atë që e theksojnë më shumë, është ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, që po mendohet të përcaktohet me Kushtetutë që Presidenti të zgjidhet nga populli,  e jo nga Kuvendi. Por, historia e zgjedhjes së presidentit nga populli daton pak më herët, e që ka të bëjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të vitit 1990 dhe të plotësuar me amendamente më 1991, e që parashikonte zgjedhjen e Presidentit nga populli. Më 24 maj 1992, në Kosovë, për herë të parë Presidenti u pat zgjedhur nga populli, dhe kështu u bë më 22 mars 1998. Por me vendosjen e UNMIK-ut dhe të KFOR-it, përkatësisht me shkrirjen e institucioneve të dala nga ajo Kushtetutë, çështja e zgjedhjes së Presidentit, u hap sërish. Kështu, atë botë, presidenti Rugova pat propozuar që Presidenti të zgjidhet nga populli, e jo nga Kuvendi, propozim që nuk u pranua nga PDK-ja dhe të tjerë. Dhe kjo ishte bërë që të mos ballafaqohej askush me presidentin Rugova në një garë zgjedhore, pasi që ishte e qartë se askush nuk do të ishte kundërshtar i denjë. Po ashtu, nëpërmjet Kuvendit, ishte e mundur që t’i bëheshin ato shantazhe politike që iu bënë,  e që përfunduan me një marrëveshje, sipas së cilës Kryeministri do të ishte nga radhët e PDK-së, e jo nga radhët e LDK-së. Kurse, tash kërkohet që të kthehet në përcaktimet juridike që kishte Kushtetuta e Kaçanikut e vitit 1990, dhe e plotësuar më 1991. Por a është e mundur që në këto rrethana, dhe në këtë përbërje që ka Kuvendi të ndryshohet Kushtetuta? Neni 65, pika 2, dhe neni 144, pika 2, e bëjnë shumë të vështirë mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës, pasi që në bazë të këtyre neneve, për ta ndryshuar Kushtetutën e Kosovës kërkohen jo vetëm 2/3 e kuvendarëve, por edhe 2/3 e kuvendarëve të pakicave etnike, e që përcaktohet nga kuvendarët serbë. Vështirësia qëndron në faktin se serbët mund të kushtëzojnë votën e tyre pro, me ndryshime të Kushtetutës, edhe në çështje me të cilat rrezikohen seriozisht interesat e Kosovës. Kjo bëhet edhe më e besueshme, për faktin se këto ndryshime kushtetuese po shtrohen si mundësi në kohën kur Kosova është në një proces negociator me Serbinë, dhe ku pritet të shtrohen çështje me interes strategjik për të. Vetë shkaktimi i krizave të vazhdueshme në kontekst të këtyre negociatave, mund të ketë një peshë rënduese për Kosovën, por edhe ndryshimi i Kushtetutës në këto rrethana, krizën e bën edhe më të rëndë, sepse do të kishte një ndërlidhje të këtyre ndryshimeve kushtetuese me rezultatet e negociatave me Beogradin. Prandaj, ndryshimi i Kushtetutës në këto kohë jo vetëm që nuk do t’i kontribuonte tejkalimit të krizës, por do të hapte edhe çështje të tjera. Për Kosovën, tash për tash, është me rëndësi të arrihet një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit dhe për çështje të tjera, sesa të mendohet për ndryshimin e Kushtetutës.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›