Çështja e përhershme e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë
Kanë kaluar pothuaj 20 vjet dhe Maqedonia dhe Greqia nuk kanë gjetur ende një zgjidhje të kënaqshme për të dyja palët. Problemet vazhdojnë duke bllokuar ende proceset integruese të Maqedonisë posaçërisht afrimin e saj me BE dhe Nato-n. Flitet shpesh se janë kryer bisedime konstruktive por që gjithsesi kanë ngelur vetëm në rang bisedimesh sepse konkretisht asgjë nuk ka ecur përpara.
Ekzistojnë gjithmonë të ashtuquajturat tre problemet që pengojnë ende njohjen nga pala Greke të emrit të Maqedonisë. Problemi kryesor, tashmë shumë i njohur për publikun e gjerë, është përdorimi i emrit “Maqedoni” sepse edhe rajoni i sotëm i Greqisë quhet i tillë pra me emrin Maqedoni dhe kjo nga ana Greke konsiderohet një ekskluzivitet i historisë dhe trashëgimisë së saj kulturore.
Por edhe dy problemet e tjera, të konsideruar shpeshherë jo dhe aq të rëndësishëm, janë gjithsesi të komplikuar. Greqia “qorton” Maqedoninë se ka përdorur emrin shtetit antik të Maqedonisë (simbolin e Dinastisë së Filipit të Maqedonisë) për të përfunduar me disa klauzola të ndërfutura në kushtetutën e Republikës së re Maqedonase, të interpretuar nga Athina si pretendime të ardhshme territoriale.
Ndërkaq Organizata e Kombeve të Bashkuara, prej vitit 1993, ka njohur shtetin e ri ballkanik me emrin FYROM (ish - Republika Jugosllave e Maqedonisë) dhe të njëjtin emër kanë njohur edhe vendet e Bashkimit Europian, NATO-s, por edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Por nëse problemet e flamurit dhe të kushtetutës mund të quhen të zgjidhura vazhdon ende çështja e pazgjidhur e emrit. Çështje kjo pjesërisht e zgjidhur nga disa shtete të cilat e njohin me emrin Republika e Maqedonisë ose thjesht me emrin Maqedoni ndërsa disa të tjerë e quajnë “Ish- Republika Jugosllave e Maqedonisë”.
Ka pasur propozime të ndryshme për emrin nga të dyja palët edhe me ndërmjetësimin ndërkombëtar si “Republika e Shkupit” dhe “Republika e Vardarit” gjithsesi të papranueshme nga Republika e Maqedonisë, por kjo e fundit ka qenë e predispozuar për të pranuar një dyeemërsh i cili mund të përdorej sipas dëshirës së çdo shteti.
Për shumë nga ndërkombëtarët kjo çështje ka qenë shpeshherë e pakuptueshme. Së fundmi edhe për vetë dy shtetet ballkanike problemi i emrit nuk shihet si diçka që mund të cënojë raportet ekonomike mes tyre të cilat mund të konsiderohen me të vërtetë të mira dhe të rëndësishme.
Gjithsesi çështja e emrit mbetet gjithmonë e hapur. Siç u tha më lart ka kaluar ajo fazë kur Athina zyrtare nuk pranonte kurrsesi që në emrin e Republikës së re ballkanike të shkruhej Maqedoni ndërsa tani konstatojmë se ndodhemi në një kohë kur Athina do të lejonte përmendjen e fjalës Maqedoni duke kundërshtuar përdorimin ekskluziv të saj dhe duke lejuar emra të tillë si “Maqedonia e Epërme” apo “Maqedonia e Veriut”.
Nga ana e saj Republika e re ballkanike ka propozuar edhe emrin “Republika e Maqedonisë” për tu përdorur në raportet ndërkombëtare dhe një emër të përbërë (Maqedonia – Shkup) për t’u përdorur në raportet dypalëshe me Greqinë por edhe kjo lloj oferte ka qenë e papranueshme nga pala greke.
Mungesa e fjalës Maqedoni nuk do të siguronte për qeverinë e Shkupit një imazh me shumë identitet dhe kjo mund të shpinte në “sulme” territoriale nga vende të tjera.
Por kjo është shqetësuese për shtetin tjetër, Greqinë, edhe pse kjo duket si diçka e parrokshme, por gjithsesi pra kjo e fundit ka “frikën” se një ditë shteti me emrin “Maqedoni” mund të ketë synime territoriale ndaj Greqisë duke i mëshuar faktit se flitet për territore maqedone kësisoj të Republikës së Maqedonisë”.
Kjo lloj mundësie edhe pse shumë e parrokshme merret në konsideratë nga Greqia dhe interpretohet me disa sinjale që sipas Greqisë vihen re në Republikën e Maqedonisë dhe që kanë të bëjnë me termin e “Maqedonisë së Madhe”.
Natyrisht që do të ishte në interesin e të dyja palëve arritja e një marrëveshje për çështjen e emrit. Për Maqedoninë do të shihej si diçka shumë pozitive fakti se kjo do i hapte rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe në NATO, procese këto të bllokuara nga vetoja e Athinës por edhe për opinionin publik grek i cili sipas shtypit perëndimor ndihet i lodhur nga zvarritja e kësaj çështje dhe do të dëshironte arritjen sa më shpejt të një marrëveshjeje.
Është e vërtetë se lufta shpeshherë bëhet në fushën kulturore sesa në atë politike dhe diplomatike e cila bazohet në të kaluarën e lavdishme të dy kombeve të cilat tingëllojnë si retorika nacionaliste për të dyja palët.
Por nëse ndërkombëtarët kanë vështirësi për ti kuptuar këto probleme, për vendet ballkanike pikërisht këto aspekte kanë një rëndësi të veçantë. Jo më kot qeveritë e shtetit të ri kanë ngulmuar në aspektet historike, vlen për tu përmendur se nëse Greqia ka vënë veton e saj për proceset integruese të Maqedonisë pala maqedonase ka riemërtuar shumë sheshe me emrat antikë të Maqedonisë.
Kohët e fundit përfaqësues të qeverisë greke kanë kërkuar një lloj afrimi me fqinjët e tyre duke deklaruar se do të kënaqeshin edhe me një zgjidhje gjysmake në favor të tyre.
A jemi afër një zgjidhje të mundshme të çështjes së emrit mes dy shteteve ballkanike?
Zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë mund të sillte një klimë paqeje mes dy shteteve por edhe më gjerë, për rajonin e Ballkanit apo duke u shtyrë më tej dhe për vetë vendet e Bashkimit Europian por edhe për stabilitetin ndërkombëtar.