E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inis Gjoni: Klithma e femrës te “Salla e banjës”

Pesë gra, të moshës 60-vjeçare e poshtë, që kërkojnë Princin e tyre të Kaltër. Hapësira ku femrat qajnë hallet dhe zbulojnë jetën e tyre sentimentale, bashkë me dyshimet për zgjedhjet që duhet të bëjnë në jetë, bëhet çuditërisht një banjë. Në këtë sfond zhvillohen ngjarjet e komedisë “Salla e banjës”, që mban firmën e regjisores Inis Gjoni, me autore Astrid Veillon dhe ku marrin pjesë aktoret Hajrie Rondo, Marsela Lena, Klea Konomi, Klara Shehu dhe Niada Saliasi. Janë katër femra, katër karaktere, përballë të cilave qëndron një e pestë, nëna e njërës prej vajzave, interpretuar nga Rondo. Pjesa do të vijë premierë me rastin e 8 Marsit, ditës homazh për përpjekjet dhe forcën e gruas në shoqëri.

Inis, si po shkojnë provat e ditëve të fundit para premierës së shfaqjes “Salla e banjës”?

Provat po shkojnë shumë mirë, jam shumë e kënaqur me atmosferën në punë, pasi kjo është shumë e rëndësishme. Pra, mënyra sesi merren vesh aktorët me njëri-tjetrin është shumë thelbësore. Një nga gjërat më primare është atmosfera e këndshme, të cilën ne jemi duke e shijuar, sidomos këto ditë afër premierës, kur aktorët kanë krijuar sigurinë e tyre dhe unë po kënaqem.

Ka të bëjë kjo me faktin që bëhet fjalë për një komedi?

Pa diskutim që po. Për më tepër, që gjithsecila nga ne gjen elemente të reja ditë pas dite, pavarësisht se shfaqja është strukturuar dhe prurjet e reja janë gjithmonë të pranishme. Ndikon pra edhe humori, por kam përshtypjen se edhe nëse do bëhej fjalë për një dramë ose një tragjedi-komedi, fryma e bashkëpunimit na kënaq.

Çfarë ju tërhoqi te kjo shfaqje?

Ajo që më tërhoqi me të vërtetë, është fakti që edhe pse bëhet fjalë për një komedi, unë kam parë aty një klithmë femre, dëshirën e saj të madhe për të jetuar një jetë sa më të mirë, me familje, me instinktin e pashmangshëm të ciklit të riprodhimit dhe të sjelljes në jetë të një fëmije etj. Është një vepër shumë realiste, aktuale, jo vetëm për botën, por edhe për ne në Shqipëri. Jemi afër 8 Marsit dhe kam përshtypjen se këtë lloj revolte, force, femra e ka shpallur përmes kësaj dite. Femrat kanë luftuar shumë, sidomos shekullin e kaluar, për të gjetur vendin e tyre në shoqëri. Por, edhe pse e ka kërkuar këtë lloj force, femra është tradicionale brenda vetes. Ne jo pa qëllim e kemi vendosur shfaqjen premierë pikërisht më 8 Mars, madje pjesa më e madhe e spektatorëve do të jenë femra.

Sa keni dhënë nga vetja në këtë shfaqje?

Nuk mund të bësh një punë, po nuk dhe diçka nga vetja dhe kjo arrihet nëse një vepër të tërheq. Gjithmonë unë punoj me pjesë që më tërheqin ose në të cilat gjej diçka nga vetja. Sigurisht që nga vetja ke shumë për të dhënë, që nga elementët regjisorialë, koncepti, mënyra sesi e sheh, nëse autorja në pjesën më të madhe e sheh si një kritikë që seksi femër i bën seksit mashkull, pasi ne jetojmë në një shekull ku femrat dhe meshkujt po distancohen nga njëri-tjetri, pasi femrat kanë krijuar pavarësi. Unë personalisht këtë pjesë nuk e shoh si autokritikë, në fakt.

Ju jeni shprehur se kjo është një komedi që femrat duhet ta shohin, kurse meshkujt ta studiojnë, pasi shpreh një ide thelbësore të jetës për të dyja gjinitë, apo jo?

Po, “Salla e banjës” është një komedi që çdo femër duhet ta shohë dhe çdo mashkull ta studiojë, ta kuptojë dhe ta shijojë, pasi është shumë interesante. 5 personazhet femra në këtë komedi vuajnë hallin e tyre. Ato, edhe pse përpiqen dhe mundohen të kenë një jetë të pavarur, duke na dhënë përshtypjen se janë të forta, thellë-thellë ëndërrojnë të kenë familje, të gjejnë Princin e tyre të Kaltër, pra janë të brishta dhe duan atë që femra ka kërkuar që në gjenezë, që në fillimet e saj. Ideja e veprës është që vetmia të vret dhe në jetën e çdo njeriu vjen një moment ku ai kupton se nuk duhet të jetë më vetëm, duhet të kesh një njeri përkrah për të ndryshuar jetën. Sado që bota të avancojë, teknologjia të ecë me hapa gjigantë etj., sërish qenia njerëzore kërkon që ta duan dhe gjithashtu do të japë dashuri, pasi kjo është e pashmangshme. Karakteret e veprës janë vajza, të cilat edhe pse në jetët e tyre kanë ngjashmëri, ndahen nga karakteristikat e që ka secila.

Kjo klithma e femrës, për të cilën ju folët më sipër, ka sjellë brenda jush ndonjë shkëndijë dëshire? Po ju, a jeni tradicionale, sikurse është në thelb çdo femër?

Po, po, në mënyrë të pavetëdijshme, njerëzimi kërkon gjërat tradicionale. Normalisht, këtu bëj pjesë edhe unë.

Jashtë shfaqjes, me çfarë është marrë Inisi këto kohë, që pas dramës “Vdekja e Mbretëreshës”?

Është shumë e vështirë që sapo të mbarosh një shfaqje, të nisësh një tjetër. Unë kam pasur mundësi të bëj vetëm një javë e gjysmë pauzë pas ciklit prej 15 shfaqjesh në Teatrin e Metropolit, me “Vdekja e Mbretëreshës”. Më pas, duke nisur që nga fundi i nëntorit, e më pas gjatë dhjetorit, janarit, shkurtit, gjithë kohën e kam pasur në përpjekje dhe në kërkim të veprës më të re që po finalizohet. Ndaj, nuk kam pasur fare mundësi të pushoj.

Megjithatë, duke ju parë nga jashtë, dukeni shumë në formë, aspak e lodhur nga impenjimet e gjata ditore.

Mua më vjen shumë mirë që ma thoni këtë, por brenda vetes e ndjej që jam në rezervat e mia të fundit. Është pa diskutim e lodhshme dhe impenjative puna për vënien në skenë të një vepre artistike, por nga ana tjetër më jep një kënaqësi kaq të madhe saqë nuk do t’ia vlente fare të ankohesha.

Keni provuar shumë në art, që nga baleti, prezantimi, kënga, së fundmi edhe regjia. Në ç’balancë qëndrojnë këto gjini me njëra-tjetrën?

Në mënyrë të padiskutueshme në radhë të parë do të vlerësoja baletin dhe regjinë. Baletin, sepse ka qenë një lodhje shumë e madhe, më është dashur të punoj dhe të ushtrohem shpesh nga dy herë në ditë për 12 vite me radhë. Është një profesion që niset në moshë shumë të vogël dhe më ka marrë malli, do të doja të kërceja, sidomos tani. Dëshira për baletin m’u shkëput për një periudhë kohe, sepse u mora me spektaklin, regjinë dhe nuk ia ndieja mungesën sepse spektaklet ma jepnin mundësinë ta kompensoja këtë pjesë. Te regjia ndjehem më vetvetja, jam më komode, më jep lodhje, por siç e thashë edhe më sipër, edhe shumë kënaqësi njëherazi, duke ma zbehur këtë përpjekje që kanë artistët për të bërë një vepër të mirë. Falënderoj me këtë rast edhe Digitalb, jo vetëm për mbështetjen ndaj punës sime, por edhe për mbështetjen e shumë artistëve të rinj, duke çuar më para artin shqiptar. Po kështu, edhe Telebingo Shqiptare, ku njëherë e një kohë kam qenë prezantuese, kurse tani mbështetem prej tyre.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›