E Diel, 1 Nëntor 2026

Inis Gjoni dhe Artan Imami prezantojnë “Miss Shqipëria 2010”

27/06/2010 Konkursi do të mbahet mbrëmjen e 1 korrikut në Kalanë e Gjirokastrës

Nuk kanë mbetur gjatë sekret surprizat e spektaklit “Miss Shqipëria 2010”. Në këtë edicion të 12-të të konkursit të organizuar nga Petri Bozo do të konkurrojnë në Kalanë e Gjirokastrës, mbrëmjen e 1 korrikut, 32 vajza të përzgjedhura nga 450 pretendente të paraqitura në zyrat e “Deliart Association”. Si çdo herë tjetër ato janë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, trevat përreth, por edhe vende të tjera ku jetojnë prej vitesh bashkë me familjet, si Italia, Greqia etj.

Ndërkohë grupi organizator se bashku me pretendentet është vendosur prej ditësh në qytetin e gurtë. Siç dihet tashmë, para konkursit vajzat janë pjesë e një turi, i cili këtë vit ka filluar në Jugun e bukur shqiptar. Por krahas kësaj, stafi ka filluar ngritjen e skenës dhe mbylljen e detajeve të fundit të spektaklit të madh, i cili duket se sivjet do të ketë shumë surpriza, të cilat fillojnë që nga emrat e prezantuesve të mbrëmjes në të cilën do të shpallet mbretëresha e bukurisë për vitin 2010. Kështu këtë vit Petri Bozo ka ftuar dy personazhe interesante, të njohur në këtë fushë, miq të hershëm të “Miss Shqipëria”. Inis Gjoni dhe aktori Artan Imami do të jenë prezantuesit e këtij viti, në një spektakël që parashikohet të jetë jo vetëm i ethshëm për nga niveli i konkurrencës, por edhe i mbushur me të ftuar që do të elektrizojnë mbrëmjen. Përveç këngëtarëve nga Italia dhe Greqia, të ftuar posaçërisht nga Bozo, emra të njohur shqiptarë do ti shtojnë ritmin spektaklit. Eranda Libohova, mike e vjetër e këtij eventi, vëllezërit korçarë gjithashtu, Orinda Huta e Gerta Heta premtojnë të sjellin para publikut, sharmin, elegancën dhe shijen e muzikës së mirë e performancës së zgjedhur. Krahas tyre, performanca e vetë vajzave, të cilat garojnë për të rrëmbyer kurorën që prej një viti e mban bukuroshja korçare Ertemiona Meidani, premtojnë të shënojnë një natë vërtetë të paharrueshme në kalanë e lashtë të Gjirokastrës.

Etnografi

Perati, ekspozitë me stolitë e shqiptareve

Për 23 vite me radhë ka mbledhur stoli të grave shqiptare dhe vetëm disa ditë më parë vendosi ti ekspozojë ato. E quajti thjesht “Stolitë e grave shqiptare”, ekspozitën e cila do të qëndrojë e çelur gjatë gjithë verës në Muzeun Historik Kombëtar.

Janë stoli të hershme me vlera të rralla kulturore, që koleksionisti nga shijaku Lulzim Perati i ka mbledhur në të gjithë zonat e Shqipërisë.

Janë 24 stenda me inventarin e plotë të stolive të përdorura në krahinat e Gjirokastrës, Beratit, Skraparit, Rrajcës, Lezhës, Zadrimës, apo Malësisë së Madhe. Vetëm dy ose tri prej këtyre stendave përmbajnë fragmente stolish, të cilat Perati nuk ka mundur ti plotësojë.

Gjerdanë, vathë, byzylykë, orë, kopsa e breza, të cilat datojnë nga viti 1750 deri 1880 pasqyrojnë më së miri historinë e gruas shqiptare, por një kënd i veçantë i është kushtuar edhe “stolive” të burrave. Dy prej 24 stendave u përkasin pikërisht atyre.

Me një vlerë të madhe etnografike, janë objekte zbukurimi dhe stoli që fillojnë nga veriu e përfundojnë në Çamëri, e u takojnë familjeve shumë të pasura apo të klasës së mesme të Shqipërisë.

Lulzim Perati, pjesë e Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë, e ka nisur punën si koleksionist rreth viteve 88-89. Ishte një rastësi, kur ai, mësues i teknikës, u vu në kërkim të një kryqi të vjetër që ia kishin lënë porosi. Kaq u desh dhe ai u pasionua thellësisht pas stolive të vjetra.

Në Muzeun Historik prej kohësh flitet për organizimin e një muzeu etnografik, i cili ende nuk ekziston. Ekspozita e Peratit, ndonëse për një kohë të shkurtër, duket sikur “plotësoi” një dimension të munguar në këtë hapësirë. Në Shqipëri njihen dy grupime të mëdha etnografike, të konsoliduara që nga mesi i shek. XVIII, e që përfshijnë zonën e Gegërisë në veri të lumit Shkumbin dhe Toskërinë në jug të tij. Gegëria përbëhej nga Gegëria e mirëfilltë, Dukagjini apo Leknia, Malësia dhe Fushat Bregdetare të Veriut, kurse në Toskëri bënin pjesë: Toskëria e mirëfilltë, Myzeqeja, Labëria e Çamëria. Brenda këtyre krahinave etnografike ekzistonin edhe ndarje të tjera më të vogla. Tradita e punimit të argjendit gjendet në lulëzim të plotë në shekujt XVII-XVIII.

Ekspozitë çame për 27 qershorin

Dita e kujtesës së të ashtuquajturës tragjedi çame përkujtohet në një mënyrë të veçantë: përmes gatimeve tipike të zonës apo ekspoze të vlerave kulturore e më tepër të zonës së Çamërisë. Nuk kishte si të mungonin pikërisht këto në ditën e traditës çame.

Janë një varg stendash, që përmes imazheve, por edhe teksteve, japin një histori të përmbledhur të Çamërisë. Ekspozita qëndron e çelur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Aktiviteti i paraprin 27 qershorit, ditës së kujtimit të genocidit grek ndaj popullsisë çame. Ekspozita përfshin elementë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me figura të shquara të krahinës, kontributin që krahina dhe personalitete të saj kanë dhënë në historinë e Shqipërisë. Nuk mungojnë as ritet, traditat dhe veshjet tradicionale. “Dita e trashëgimisë çame”, e realizuar në kuadrin e 27 qershorit do të pasohet edhe me Festivalin e Këngës dhe Valles Çame që nis sot në Sarandë, organizuar nga Shoqata Patriotike “Çamëria”, në bashkëpunim me Unionin Artistik të Kombit Shqiptar. Nata e fundit e këtij festivali përkon me datën e përkujtimit të tragjedisë së popullsisë çame. Po më 27 qershor, shoqata “Çamëria”, organizon për të pestin vit një pelegrinazh nga Saranda drejt Qafë-Botës për të parë varrezat masive ku janë varrosur ata që nuk i shpëtuan dot sëmundjeve, urisë gjatë kalimit nëpër fushat e Konispolit pas shpërnguljes nga shtëpitë e tyre. Në këto varre do të vendosen tufa me lule në kujtim të viktimave.

“Liri a Vdekje”, nën tingujt e Orkestrës Simfonike

Vepra nga Kujtim Laro, uverturë e filmit “Liri a Vdekje”, pjesë nga Avni Mula, koncert për trombin dhe orkestër simfonike, etj., është kjo një pjesë e programit të koncertit që do të vijë mbrëmjen e 28 qershorit në Stinën Koncertore të Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar.

Koncerti vjen nën drejtimin e dirigjentit Alqi Lepuri (Artist i Merituar), ndërsa për publikun do të interpretohen përveç veprave shqiptare edhe pjesë të njohura të autorëve të muzikës botërore, siç është L. Van Beethoven. Këto do të vijnë nën interpretimin e solistit Ismet Keta.

Alqi Lepuri, një prej dirigjentëve më të njohur shqiptarë, ka drejtuar për herë të parë vepra të kompozitorëve si Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Feim Ibrahimi, Nikolla Zoraqi, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci etj.

Solisti Ismet Keta është trombonist i parë në Orkestrën Simfonike të RTSH që nga viti 1985. I pari trombotist që ka luajtur si solist me Orkestrën e Radios nën drejtimin e dirigjentit Ferdinand Deda, që nga viti 1995 është pedagog i trombonit pranë Akademisë së Arteve.

Prishtinë

Mbyllet sonte edicioni i parë i Festivalit Ballkanik Teatror

“Për trupin nga koka”, e regjisores nga Shqipëria Inida Gjata ishte shfaqja e parë e prezantuar në Festivalin Ballkanin Teatror në edicionin e tij të parë.

I çelur prej 21 qershorit në Prishtinë, festivali sjell në garë gjashtë shfaqje nga pesë vende të Ballkanit Perëndimor. Kështu nga Kosova prezantohen dy shfaqje: “Nata e zotëve”, me tekst të Miro Gavranit dhe regji të Fatmir Hysenit, prodhim i Teatrit të qytetit të Ferizajt dhe “Sonte jam vetëm”, me regji të Enver Petrovcit, prodhim i “Teatrit të Babës” të Prishtinës. Nga Maqedonia konkurron shfaqja “Kufomat e gjalla”, e autorit Shkëlzen Halimi me regji të Zijadin Murtezit, ndërsa Mali i Zi prezantohet me “Vise od terapije” (Më shumë se terapi), e autorit Christopher Durang. Në këtë festival merr pjesë edhe një shfaqje nga Serbia e titulluar “Primadona”, me tekst të Zhelko Mijanoviqit.

Një Shqipëri në tranzicion…

“Amnistia”, “Bota” dhe “Udhëkryq”. Janë të tre projektet filmike të përzgjedhura nga bordi artistik i projekteve të filmit artistik dhe dokumentar, që do të financohen nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Janë projektet respektive të tre regjisorëve Bujar Alimani, Iris Elezi dhe Robert Budina, të cilët për të parën herë provojnë në një film me metrazh të gjatë.

Projektet u përzgjodhën nga Këshilli Miratues i Projekteve të Filmit Artistik dhe Dokumentar, i kryesuar nga Teodor Laço dhe me anëtarë Esat Mysliun, Bujar Lakon, Agron Tufën dhe Durim Nezirin. Në konkurrim kanë qenë shtatë projekte: “Amnistia” i Bujar Alimanit, “Hotel Turizmi” i Ermir Ketës, “Udhëkryqi” i Robert Budinës, “Etërit tanë” i Ilir Harxhit, “Teleferik” i Erion Kames, “Bota” i Iris Elezit dhe “Kodi i trëndafilit” i Fahri Hysajt.

Filmi “Amnistia” i Alimanit, i mbështetur nga QKK-ja me shifrën rreth 203 mijë euro, rezultoi fitues i projektit të parë shqiptar në “Eurimages”, tetë muaj pas anëtarësimit të QKK-së në të, ku siguroi një mbështetje financiare prej 120 mijë eurosh. Bujar Alimani, i cili jeton dhe punon në Greqi, ka realizuar më parë filma me metrazh të shkurtër, mes të cilëve filmat “Gaz” apo “Busulla” me të cilët ka fituar edhe disa çmime në festivale ndërkombëtare. Me skenar të shkruar nga vetë ai, “Amnistia” trajton një temë sociale, në të cilën gërshetohen gradualisht edhe linjat e një marrëdhënieje midis dy njerëzve, që jetojnë në Shqipëri, një burri e një gruaje. Mes Pogradecit e Tiranës, dy personazhet që do të interpretohen nga aktorët shqiptarë që jetojnë në Greqi, Karafil Shena dhe Ornela Kapidani, janë karaktere që përpiqen kundër rrjedhës së përgjithshme të gjërave, të krijojnë planetin e tyre me dashuri, erotikë, konflikte, dhimbje. Projekti i dytë fitues, zgjedhur “Bota” i Iris Elezit, me skenar të saj dhe Thomas Logorecit është mbështetur nga qendra me rreth 174 mijë euro. Regjisorja i vendos tre personazhet në kohët e sotme, të përcaktuara qartë nga e shkuara. Regjisorja Elezi shpjegon se ajo çka është perceptuar në Shqipëri si periudhë tranzicioni është vetëm një përkufizim dembel për të përshkruar gjithë kompleksitetet që njerëzit e këtij vendi kanë trashëguar.. E diplomuar në New York University për Film & TV Production, Elezi ka realizuar disa filma artistikë të shkurtër dhe dokumentarë si “Gjethja e fundit”, “Vetëvrasja”, “Rilindja” etj.

“Udhëkryqi” është projekti i tretë fitues i regjisorit Robert Budina, me skenar të tij në bashkëpunim me Karine Blanch, i cili do të mbështetet me rreth 192 mijë euro. Filmi rrëfen historinë e Saimirit 27-vjeçar dhe vëllait të tij të vogël, Vinit, 20 vjeç. Ata janë dy shqiptarë që përpiqen secili me mënyrën e tij për tu integruar dhe përshtatur me jetesën e re në një qytet në veri të Greqisë. Kasti i aktorëve i parashikuar përfshin shqiptarë e të huaj si Asia Argento, Billy Zane, Arta Dobroshi, Allyson Paradis, Eric Cantona etj. Për të tri projektet bordi ka dhënë sugjerime, të cilat duhet të merren parasysh. Financimi sipas QKK-së do të lëvrohet pasi të ketë përfunduar montazhi financiar i bashkëprodhimit të projekteve dhe paraqitja e skenarit të ripunuar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›