Injorohet Murinjo, Mesi e Guardiola, më të mirët
Liga profesioniste e futbollit në Spanjë i ka dhënë titullin e trajnerit më të mirë Pep Guardiolës për sezonin 2011-2012, duke shmangur Zhoze Murinjon, edhe pse ky fitoi titullin kampion me Realin e Madridit. Një goditje e rëndë kjo për teknikun portugez, i cili ka humbur një tjetër betejë me rivalin katalanas, që edhe pse momentalisht pa punë, vazhdon ta torturojë Zhozenë. Çmimet janë dhënë nga Liga Profesioniste e Futbollit (LFP) edhe për lojtarët më të mirë në kampionatit në kategoritë inferiore. Pjesën më të madhe të trofeve i kanë marrë Barcelona dhe Reali i Madridit. Por duhet përmendur këtu Isko i Malagas, që mori çmimin “Futbollisti zbulim i kampionatit”. Çmimi si lojtari më i mirë i La Ligas i takoi Leo Mesit. Argjentinasi u shpall sulmuesi më i mirë i kampionatit, një votim i bërë nga trajnerët. Kështu, “Pleshti” fitoi një tjetër betejë ndaj rivalit të tij portugez, Kristiano Ronaldo. Argjentinasi vazhdon të vendosë në raft të tjerë trofe për këtë vit, pas çmimit të golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar. Portieri më i mirë, sipas LFP-së, u shpall Iker Kasijasi, kapiteni i Realit të Madridit. Ndërkohë që galaktikët kanë edhe mbrojtësin më të mirë, që për sezonin e kaluar u zgjodh Serxho Ramos. Në mesfushë, njeriu që u dallua më shumë nga të tjerët në qendër të repartit ishte Ksabi Alonso. Për Barcelonën, një tjetër lojtar mori një trofe, ai është kapiteni Karlos Pujol, që u vlerësua për sjelljen e tij “fair play’ në fushë dhe Iniesta si mesfushori më i mirë.