De Biazi me tri risi në formacion ndaj Kamerunit
Lila në vend të Dallkut, titullarë edhe Arapi dhe Lilaj.
Trajneri Xhani de Biazi ka menduar një skuadër pa shumë ndryshime në krahasim me ndeshjen e fundit, ku risitë mund të jenë vetëm Arapi e Lilaj nga minuta e parë. Në portë me shumë gjasa do të luajë nga minuta e parë Etrit Berisha. Ky i fundit e bindi me lojën e tij trajnerin e Kombëtares në ndeshjen me Slloveninë, ndaj dhe shihet si titullar përkundrejt Ujkanit edhe ndaj Kamerunit. Gjithsesi, me shumë gjasa mund të ketë edhe disa minuta për portierin e Palermos. Ndërkohë, në mbrojtje Andi Lila ka fituar duelin me Armend Dallkun në krahun e djathtë, ndërsa në qendër do luajë, si gjithnjë, dyshja Cana-Mavraj. Në të majtë, në mungesë të Ansi Agollit, i dëmtuar në nofull, do të luajë për herë të parë me kuqezinjtë Renato Arapi. Mbrojtësi i Skënderbeut shihet si favorit përkundrejt Kristi Vangjelit, i cili sapo është kthyer nga një dëmtim i gjatë, ndaj De Biazi ka menduar që ta aktivizojë vetëm disa minuta në pjesën e dytë. Në dispozicion për mbrojtjen mbetet Tefik Osmani dhe Dallku, pa harruar edhe Debatik Currin, i cili mund të luajë si në qendër të mbrojtjes, por edhe në mesfushë. Për këtë ndeshje, kosovari shihet, gjithsesi, si rezervë, por me shumë gjasa do aktivizohet në mesfushë, dhe jo në mbrojtje. Titullar në krahun e djathtë të mesit të fushës do luajë Odise Roshi. Në qendër do jetë dyshja Sabjen Lilaj-Ervin Bulku, ndërsa Emiljano Vila pritet të luajë në krahun e majtë. Këtu mund të aktivizohet edhe Elis Bakaj, por mbetet ende në dyshim nëse De Biazi do luajë me dy sulmues, pra me Sadikun dhe Çanin, apo vetëm me këtë të fundit si “pykë” i ndihmuar nga Bakaj. Sakaq, në dispozicion të trajnerit italian janë edhe Telushi, Vajushi dhe Bala. Ndërsa te Kameruni do jenë tre lojtarë që mungojnë për shkak dëmtimesh: mbrojtësi i FC Rostov, Benua Angbv (është dëmtuar në sfidën e fundit në kampionat), mesfushori Frenk Song, i cili edhe ky nuk ka udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (luan te Portland Timbers) drejt Zvicrës dhe talenti i Barcelonës, Aleks Song. Ky i fundit konfirmoi të hënën se nuk do të ishte pjesë e skuadrës ndaj Shqipërisë për shkak të një dëmtimi “misterioz” duhet thënë, në ndeshjen Majorka-Barcelona, ku ai nuk luajti asnjë sekondë.
Dëmtohet Meha
Alban Meha nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për ndeshjen ndaj Kamerunit. Mesfushori kuqezi ka pasur një dëmtim gjatë seancës së pardjeshme stërvitore dhe pas konsultimeve me mjekët e skuadrës është larguar dje drejt Gjermanisë, duke u rikthyer në klubin e tij, Paderborn. Kështu, për krahun e majtë të mesfushës, De Biazit i mbetet vetëm një alternativë e sigurt: Elis Bakaj.
Transmetimi
Takimi Shqipëri-Kamerun luhet sonte në orën 20:45 në stadiumin e Gjenevës. Ndeshja për publikun shqiptar do të transmetohet nga paketa me pagesë “Supersport”, duke filluar që nga ora 20:00 me komente dhe intervista, si para dhe pas ndeshjes. Kjo është hera e parë që Shqipëria ndeshet me një skuadër afrikane (kemi luajtur edhe me Algjerinë, por ajo miqësore nuk njihet nga FIFA).
Bastet: Kameruni favorit
Ashtu siç pritej, bastet parashikojnë Kamerunin si favorit për ndeshjen e sotme. Sipas koeficienteve të nxjerra nga analistët e basteve në Europë, fitorja e Shqipërisë kuotohet me 4.50, ndërsa barazimi me 3.40. Fitorja e Kamerunit është vetëm 1.72. Nëse u referohemi kuotimeve për rezultat korrekt, atëherë rezultati me koeficientin më të ulët është 1-1 ose 0-1 (6.50).
Plas te Kameruni, Song “vetëdëmtohet” prej Etosë
Probleme te Kameruni. Të hënën, Federata e këtij vendi është njoftuar me anë të një faksi nga Barcelona se Song nuk mund të udhëtonte drejt Gjenevës për shkak të një dëmtimi. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është se lojtari nuk u aktivizua fare në ndeshjen e fundit ndaj Majorkës në kampionat, por ishte në pankinë, i gatshëm për trajnerin Tito Vilanova. Ndaj nuk kuptohet se ku është dëmtuar Song, duke qenë se nuk ka luajtur asnjë sekondë. Një fakt të tillë e vulos shtypi spanjoll, sipas të cilit, mungesa e Song eviton përplasjen me kapitenin Samuel Eto. Mes sulmuesit të Anzhit (Rusi) dhe lojtarit të Barcelonës ka pasur një përplasje verbale para disa muajsh. Gjithçka nisi kur Aleks Song deklaroi për mediat se ai nuk u grumbullua në përfaqësuese për Botërorin 2010 prej Etosë. Sipas tij, ky i fundit kishte ndërhyrë që Song të mos ishte pjesë e ekipit, duke qenë se e shihte si “armikun” numër 1 për t’i marrë shiritin e kapitenit. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Samuel Etosë: “Nuk mund të ketë konflikt mes dy yjesh futbolli sikundër thoni ju (i drejtohet gazetarit), përderisa është vetëm një i tillë. Unë jam në listën e lojtarëve më të mirë në botë, ndërsa Song nuk është as në listën e lojtarëve më të mirë të Kamerunit”.
LEONARD KARAJ