E Shtunë, 31 Tetor 2026

N’rrugë për shami

Lëvizja “Bashkohu” sërish do ta nxjerrë në rrugë xhematin, përkundër kundërshtimeve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Fuad Ramiqi me shokë sot do të protestojë vetëm për lejimin e shamisë në institucionet publike. Për çështje tjera, kjo lëvizje do të protestojë kur ta zgjidh çështjen e shamisë. Nga Nexhmije Ahmeti më 23 shtator 2011 në ora 08:07

Do ta vazhdojnë aty ku e lanë. Të premten(sot) do të mbahet protesta për shami para ndërtesës së Qeverisë. Lëvizja “Bashkohu”, që bashkon rreth vetes pjesëtarë të fesë islame, do ta mbajë protestën e anuluar javën që shkoi. Arsyeja e anulimit, sipas drejtuesve të Lëvizjes, ishte situata e krijuar në veriun e vendit për shkak të vendosjes së doganierëve dhe policëve të Kosovës në pikat 1 dhe 31.

Por të enjten, kryetari i “Bashkohut”, Fuad Ramiqi, konfirmoi për Express se protesta do të mbahet këtë të premte, ashtu siç ishte paraparë.

“Protesta do të fillojë në orën 14, pasi paraprakisht do të falet namazi i xhumasë në xhamitë e qytetit. Të premten ajo ishte anuluar për shkak të situatës në veri të vendit”, tha Ramiqi. Lëvizja “Bashkohu” kësaj radhe e ka vetëm një kërkesë e ajo është lejimi i shamisë nëpër institucione publike dhe arsimore. “Kësaj radhe prioritet do ta kemi vetëm lejimin e bartjes së shamisë nëpër institucione arsimore dhe publike”, tha Ramiqi.

Ai sqaroi se kërkesat tjera si ndërtimi i një xhamie të madhe në Prishtinë dhe futja e lëndës për fetë në sistemin arsimor publik, do të lihen për më vonë. Kjo dëshmon, sipas Ramiqit, se myslimanët do të shkojnë hap pas hapi me kërkesat e tyre, për të cilat beson se janë legjitime. “Ne do të vazhdojmë edhe më tutje me kërkesa dhe nuk do të ndalemi deri në fund, por hap pas hapi”, tha Ramiqi për Express.

Besimtarët myslimanë të mbledhur rreth Lëvizjes “Bashkohu”, që kryesohet nga Ramiqi, për disa të premte rresht janë falur në rrugë në shenjë proteste, duke kërkuar ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë. Në njërën nga këto protesta situata kishte eskaluar dhe u desh edhe intervenimi i policisë. Por tash Ramiqi thotë se protesta e së premtes do të jetë paqësore dhe se ajo është lajmëruar në polici. “Ne kemi bashkëpunim të mirë me policinë e Kosovës dhe protesta jonë do të jetë paqësore”, tha ai.

Ramiqin nuk e përkrah institucioni i vetëm fetar që drejton komunitetin islam në vend-Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).

Kryesia e BIK-ut, nëpërmjet një deklarate ka sqaruar besimtarët myslimanë se nuk përkrah asnjë tentativë të organizatave për të protestuar të premten në Prishtinë.

BIK vlerëson se mbajtja e protestave në situatën që gjendet aktualisht Kosova, sidomos pjesa veriore, do të mund të krijonte imazh jo të mirë për Kosovën dhe institucionet e saj.
“Duke pasuar parasysh gjendjen në të cilën gjendet Kosova, sidomos duke pasuar parasysh gjendjen në veri të vendit si dhe angazhimin e lidershipit të Kosovës në Asamblenë e OKB për proceset më madhore të vendit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës nuk përkrah e as nuk mbështet asnjë lloj proteste a manifestimi të paralajmëruar për nesër më 23 shtator, e që mund të ketë ndikim në stabilitetin e institucioneve të vendit dhe që krijon imazh jo të mirë për Kosovën dhe institucionet e saj”, thuhet në deklaratën sqaruese të lëshuar nga Kryesia e BIK-ut.

Më tutje, Kryesia e BIK thekson se mbetet e përkushtuar që në rrugë institucionale e kushtuese, së bashku me mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë, të gjejë zgjidhje për të gjitha çështjet, përfshirë këtu edhe të drejtën e shkollimit të nxënësve që bartin shaminë.

“Besimtarët tanë janë qytetarë të shtetit të Kosovës dhe si të tillë duhet që të gëzojnë të gjitha të drejta që janë të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare, siç janë: e drejta e besimit, e drejta e manifestimit të lirë të besimit, e drejta e shkollimit, e arsimimit, e drejta e punësimit”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Kryesisë së BIK-ut.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës apelon te të gjithë faktorët të jenë në nivel të përgjegjësive që kërkon situata dhe vendi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›