E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qefalia: Protestat do të largojnë Berishën e Ilirin

26/04/2010 Kundërpërgjigjja e PS për LSI

Partia Socialiste reagoi në mënyrë të menjëhershme pas deklaratave të ardhura nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, në adresë të kupolës rozë. Kështu, pas njohjes me kritikat e ashpra të kreut Meta, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i vendit, PS-ja ka bërë publike kundërpërgjigjen e saj përmes deputetit socialist Xhemal Qefalia. “Ilir Meta është krenar që u bashkua me Saliun, për të grabitur prona e pasuri përmes pushtetit të votës së vjedhur. Ndërsa ne jemi krenarë që jemi bashkë me popullin, për të çliruar votën dhe ekonominë e këtij vendi”, vuri në dukje Qefalia. Njëkohësisht, sipas tij, do të jetë vetë sovrani, ai i cili do të thotë fjalën e tij më 30 prill. “Më 30 prill Saliu dhe Iliri do jenë bashkë për të ruajtur plaçkën e vjedhur nga populli, ndërsa ne do të jemi me popullin për liri politike e të drejta ekonomike, që njerëzit e këtij vendi do t’i fitojnë pikërisht sepse Shqipëria nuk mund të bëhet Kirgistan”, nënvizoi deputeti socialist lidhur më një moment të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›