E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inkurajojnë manipuluesit

Gjykatat kosovare kanë shqiptuar dënimet e para për manipuluesit e votave, derisa qindra raste tjera janë lënë në harresë. Një gjykatë e Shtërpcës i dënoi tre pjesëtarë të komunitetit serbë. Në zgjedhjet e fundit, ata kishin votuar deri në njëzeteshtatë herë. E për këtë vepër të rëndë, njëri u dënua me një vit burgim me kusht, e dy tjerë me nga tetë muaj burgim me kusht. Nga Nebih Maxhuni më 21 maj 2011 në ora 08:55

Për herë të parë pas gati dymbëdhjetë vjetësh, janë dënuar për vjedhje dhe manipulim votash në zgjedhjet e kaluara tre serbë nga komuna e Shtërpcës.

Ata të enjten kanë dalë para gjykatësit në Gjykatën Komunale të Ferizajt, e që është edhe me seli në Shtërpcë.

Tre serbët, emrat e dy prej të cilëve ka arritur t`i sigurojë gazeta, Mallden Mosiq si dhe Milosh Stojkovic, janë gjetur fajtorë sipas gjykatës se vetëm në një qendër të votimit në fshatin Bitinje e Epërme , kanë vjedhur e manipuluar me vota.

Mosiq gjatë zgjedhjeve paralmenatre ka qenë kryetar i vendvotimit në këtë fshat, përderisa Stojkovic ka qenë anëtar i Komisionit të Partisë Liberale Serbe që udhëhiqet nga zëvendëskryeministri dhe ministri Pushtetit Lokal, Sllobodan Petrovic.
“Gjykatësi i ka gjetur fajtorë se vetëm në një qendër vendvotimi ata kishin votuar në emër të 27 personave të vdekur”, thotë dëshmitari Matjan Ljubica, i cili ka qenë prezent në seanca.

Ljubica që ka qenë vëzhgues nga Partia Socialdemokrate Serbe e Kosovës, ishte rrahur keq nga kryetari i Komunës së Shtërpcës, bashkë me disa bashkëpunëtorë të tij.
Sipas këtij dëshmitari, gjykata në Shtërpcë e ka dënuar Mlladen Mosiqin me një vit burg me kusht.

“Atij i është shqiptuar kjo masë si dhe është obliguar që t`i paguajë në shumë prej 50 eurosh shpenzimet për gjykatën. Të pranishëm gjatë seancës, kanë qenë edhe dy përfaqësues të EULEX`it”, thotë ai

Përderisa me tetë muaj burgim me kushte dhe shpenzimet në vlerë prej 40 eurosh gjykatës, është dënuar serbi tjetër, Millosh Stojkovic.

“Ata janë dënuar vetëm për këtë qendër vendvotimi, por ka edhe raste të tjera dhe vendvotime të tjera, ku ata kanë bërë kësi veprash, njerëz të SLS`së, parti kjo që ka fituar në Komunën e Shtërpcës”, ka thënë Matjan Ljubica

Nga zyrtarë të partive nga radhët e serbëve që ishin dëmtuar me këtë rast nga vjedhja dhe manipulimi me vota, qysh në afatet e përcaktuara me ligj, ishin bërë shumë ankesa në Komisionin për Ankesa si dhe në Gjykatën Supreme të Kosovës.

“Ne jemi ankuar edhe në Gjykatën Supreme, por na kanë thënë se nuk ka dëshmi për manipulim të procesit. Është për t`u habitur se si Gjykata Supreme kishte refuzuar e tash del që një gjykatë në Shtërpcë të dënojë njerëzit për vjedhje dhe abuzim me vota”, thotë Matjan Ljubica nga partia Socialdemokrate e Serbeve të Kosovës.
Pikërisht ky serb nga Shtërpca ishte rrahur gjatë ditës së votimit nga kryetari i Komunës së Shtërpcës, bashkë me truprojat e tij.

Ai edhe për këtë ka ngritur një kallëzim penal.

“Tashmë dihet se kam bërë një gjë të tillë, por as sot e kësaj dite nuk kamë marr ndonjë përgjigje se deri ku ka shkuar procedura”, thotë ai

Për vjedhje votash nuk janë vetëm këta serbë që janë dënuar. Komisioner dhe anëtar të komisioneve të partive të ndryshme nga radhët e shqiptarëve janë dënuar kohë më parë edhe nga gjykata në Ferizaj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›