E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bordi i Kullës

Bordi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës nuk ka më kompetenca në këtë ndërmarrje. Koncesionimi e ka lënë përgjegjës këtë bord vetëm për menaxhimin e kullës për kontrollimin e trafikut ajror. Nga Albulena Maloku më 21 maj 2011 në ora 08:59

Koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” u ka dhënë fund kompetencave dhe funksionit të bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Me ardhjen e koncesionarit turk, Limak de Lion, përgjegjësia për udhëheqjen në këtë aeroport nuk i takon më bordit të deritanishëm.

E, krejt çka i ka mbetur në kompetencë, Bordit, është kulla për kontrollimit të trafikut ajror, e cila nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës gjatë procesit të koncesionimit.

Tani pritet që Ligji për Agjencinë e Navigacionit të shërbimeve ajrore të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës. Një burim i gazetës brenda Qeverisë tregon se tashmë bordi i deritanishëm nuk i ka të gjitha përgjegjësitë dhe funksionet. “Tashmë Bordi i ka përgjegjësitë vetëm për kullën, pjesë e cila ka mbetur nën funksionin e shtetit.

Sepse në pjesën ku e ka marrë koncesionari, bordi nuk ka asnjë funksion”, thotë ky burim. Kryetari i Bordit të ANP’së, Bekim Jashari tha për “Express” se krejt ajo çka janë duke bërë tani si bord, është strukturimi dhe kompletimi i stafit të kullës dhe disa projekteve të tjera, në këtë pjesë e cila tani ka mbetur e shtetit. “Është çështja e radarit dhe disa gjëra të tjera të domosdoshme që po merremi, e kështu që me miratimin e Ligjit për agjencinë e kullës do të jenë të gatshme edhe si kullë edhe si hapësirë ajrore, e gjitha të tjerat”, thotë Jashari. Por sipas tij, mandati i tyre nuk ka përfunduar, pasi që tani ata kanë përgjegjësi në pjesën që ka mbetur pa u koncesionuar. Ai tregon se kanë një bashkëpunim të mirë me koncesionarin, pasi që ata për çdo gjë konsultohen me Bordin.

“Tani ne paguhemi nga buxheti i ANSP-së, e jo nga koncesionari”, thotë ai. Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se Bordi ende ka punë dhe përgjegjësi në pjesën e pakoncesionuar.

Ramadan Sejdiu, drejtor i Njësisë për Mbikëqyrjen e Ndërmarrjeve Publike, tregon se ANP ”Adem Jashari” nuk është koncesionuar në tërësi, pasi që jashtë këtij procesi ka mbetur Kontrolli ajror me kullën. “Andaj, edhe kjo si pjesë e ish-ANP ”Adem Jashari” do te ekzistojë edhe më tutje, por që duhet plotësohet statuti në Agjencinë e regjistrimit të biznesit në MTI, me veprimtari të mbetur, ndërsa Bordi i drejtorëve edhe më tutje mbetet përgjegjës për pjesën e mbetur”, thotë Sejdiu. Përderisa, ka dy muaj që Limak de Lion ka aterruar në Kosovë me investime, ristrukturimin e personelit dhe akomodimin e tyre. Udhëheqësit e Njësisë për Partneritetit Publiko Privat, deri më tani thonë se janë të kënaqur me zbatimin e kontratës së nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe turkut. Këshilltari i kësaj njësie, Ilir Rama tregon se gjatë këtij viti, të hyrat për buxhetin e shtetit, nga ky proces do të jenë 2 milionë euro. ”Kontrata është duke u zbatuar me përpikëri nga partneri privat.

E, të hyrat për Qeverinë, në bazë të Marrëveshjes së PPP-së për ANP’në, dy vitet e para, prej hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, do të paguhet një tarifë fikse e koncesionit prej 2 milionë eurosh. Tarifa për vitin e parë tashmë është transferuar në Buxhetin e Kosovës, në ditën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes”, thotë Rama. Ai tregon se ANSP’ja nuk ka qenë pjesë e Marrëveshjes PPP në ANP, dhe sipas tij, pritet që shumë shpejt të procedohet ligji për këtë agjenci, pasi që shërbimi i navigimit ajror do të kryhet nga një agjenci e pavarur. Departamenti i Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ANS) është përgjegjës për rregullimin, monitorimin, inspektimin, certifikimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të sigurisë së Ofruesve të Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ANSP) brenda Republikës së Kosovës.

Departamenti i ANS-së është përgjegjës për certifikimin dhe mbikëqyrjen e mëvonshme të sigurisë së ANSP-së brenda Republikës së Kosovës. Konsorciumi Limak & Aeroport de Lyon tani ka zgjedhur drejtorin e Aeroportit të Antalias, Ferda Yakar, për të menaxhuar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pas dhënies së këtij të fundit me koncesion për 20 vitet e ardhshme në fillim të muajit prill.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›