Lista e Barrosos
Kreu i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso ka bërë me dije të premten në Prishtinë se kosovarëve u mbetet shumë punë për të bërë nëse duan ta çojnë vendin në Bashkimin Europian.
Pas takimeve që ka pasur me lidershipin kosovar, zyrtari i lartë europian ka renditur një varg kërkesash që autoritetet kosovare duhet të realizojnë për të siguruar të ashtuquajturën “perspektivë europiane”.
Detyrat që Barroso i ka përmendur para Kryeministrit Hashim Thaçi tashmë janë pjesë e agjendës së institucioneve të vendit, por gjithnjë e më shumë janë edhe pjesë e deklaratave të zyrtarëve të huaj që vizitojnë Prishtinën.
“Realiteti është se e ardhmja e Kosovës në fund të fundit varet nga populli i Kosovës. Ne jemi këtu për përkrahje, por varet nga ju, nga populli i Kosovës që të bëjë reformat e nevojshme, të konsolidoni demokracinë, të luftoni korrupsionin, krimin e organizuar, të provoni të keni raporte të mira me fqinjët... Këtë ua kam thënë edhe partnerëve tuaj. Kjo varet nga ju, ne mund të japim përkrahje, por vendimi më i rëndësishëm duhet të merret nga populli i Kosovës dhe nga përfaqësuesit e zgjedhur. Besoj se Kosova do të demonstrojë lidershipin e nevojshëm për progres gjatë kësaj rruge”, ka thënë kreu i Komisionit Europian.
Barroso ka ardhur të premten në Prishtinë, pas një vizite që i ka bërë Beogradit.
Ai është shoqëruar nga Komisionieri i BE’së për Zgjerim, Stefan Fule.
Institucionet e vendit janë shfaqur mikpritëse për mysafirin europian duke i rezervuar atij një parakalim para gardës ceremoniale të FSK’së, në aeroportin e Prishtinës.
Barroso ka takuar Presidenten Atifete Jahjaga dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, me të cilin gjatë ditës ka vënë edhe gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Graçanicës.
Në takimet me lidershipin e vendit, Barroso është shfaqur i drejtpërdrejtë duke treguar se ardhmja europiane e vendit mbetet një mision i vështirë për t’u realizuar.
“Natyrisht, perspektiva europiane do të mund të jetë mjaft konkrete nëse shpejtohen këto reforma dhe ky është mesazhi im sot për ju. Ne jemi me ju në këto reforma dhe se ne besojmë se ju keni perspektivë europiane dhe se ne do të punojmë me ju për këtë qëllim. Komisioni Europian do të vazhdojë të forcojë raportet e veta me Kosovën dhe do të vazhdojë përkrahjen. Ia kam thënë këtë Presidentit, Kryeministrit dhe kabinetit të tij sot”, ka thënë Barroso, pasi ka dalë para gazetarëve bashkë me Kryeministrin Thaçi.
Barroso është larguar me shpejtësi pasi ka përfunduar deklaratën duke mos pranuar pyetjet e gazetarëve.
Ai ka thënë se me Thaçin ka pasur një takim konstruktiv dhe të hapur duke treguar se ka biseduar me të edhe për çështje të ndjeshme, të cilat nuk i ka zbuluar para gazetarëve.
“Unë pata një takim mjaft të mirë, konstruktiv dhe të hapur me Kryeministrin, ku i kemi adresuar të gjitha çështjet duke përfshirë edhe disa çështje sensitive dhe dua t’u falënderoj për këtë”.
Portugezi pastaj ka vazhduar sërish me kërkesat për institucionet e vendit.
“Kosova mund dhe duhet t’i ndihmojë vetes, në mënyrë që të bëjë progres drejt synimit të saj për anëtarësim në BE. Kosova duhet të bëjë reforma me vendosmëri dhe përgjegjësi në frymë kompromisi, më shumë punë duhet për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike. Po ashtu, ju duhet një program i fuqishëm ekonomik dhe e kam inkurajuar Qeverinë që të punojë së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar në lidhje me këtë”, ka thënë ai.
Kryetari i Komisionit Europian ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur edhe për këtë çështje një kërkesë.
“I bëj thirrje Kosovës që të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun me Beogradin. Ka pasur një takim konstruktiv këtë javë, është koha për politikanët në të dyja anët që të punojnë së bashku dhe të gjejnë zgjidhje për shumë çështje, për shumë vështirësi praktike, me të cilat kosovarët dhe serbët ballafaqohen në jetën e përditshme”, ka thënë ai.
“Provoni të keni raporte të mira me fqinjët, këtë ua kam thënë edhe partnerëve tuaj”.
Çështja e liberalizimit të vizave është përmendur vetëm përciptazi nga komisionari i BE’së, i cili ka lënë të kuptohet se kosovarët mund të udhëtojnë lirshëm vetëm pasi të plotësohen kriteret.
Më pas, ai ka shpjeguar dedikimin europian për vendin.
“Ne kemi ofruar një ndihmë substanciale financiare gjatë dekadës së fundit dhe do të vazhdojmë t’ju përkrahim. Sot Kosova është pranuesi më i madh për kokë banori i asistencës europiane në tërë botën”, ka thënë ai.
Zyrtari europian ka kërkuar nga pala kosovare që të punojë edhe me EULEX’in.
“Kosova duhet të vazhdojë reformat e saj, të punojë në forcimin e sundimit të ligjit, t’i japë shtysë zhvillimit shoqëror dhe ekonomik dhe të zhvillojë raporte të mira fqinjësore. Ajo mund ta bëjë këtë duke punuar ngushtë me EULEX-in, duke zbatuar politika të shëndosha dhe të qëndrueshme makroekonomike, duke treguar kujdes fiskal dhe duke qenë konstruktivë, pragmatikë dhe kreativë në dialogun me Serbinë. Kosova mund të mbështetet në Bashkimin Evropian dhe mund të mbështetet në Komisionin Europian”, ka thënë ai.
Pala kosovare, po ashtu, ka pasur kërkesat e saj për Komisionerin e BE’së.
Kryeministri Thaçi i ka adresuar ato në emër të palës kosovare, përderisa Presidentja Jahjaga ka vazhduar traditën e saj për të mos dalë në konferenca për media.
“Kosova kërkon dhe meriton me të drejtë të jetë pjesë e integrimit europian, pret formalizimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Kosovës, pret avancimin në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, marrëdhënie tregtare dhe dimensione të tjera integruese. Qytetarët e Kosovës janë europianët e rinj që punojnë dhe angazhohen që sa më parë të jemi pjesë e familjes europiane”, ka thënë Thaçi.
“Në të njëjtën kohë, dëshiroj të theksoj se ne do të vazhdojmë me qeverisjen e mirë, qeverisje efikase për ndërtimin e Kosovës demokratike dhe shumetnike, në sundimin e ligjit dhe luftës së pakompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative”, ka shtuar ai.