Insistimi i Blushit: “Ndryshimet statutore do ti diskutojmë në Kongres”
Pavarësisht se kërkesat e tyre morën një goditje të rëndë nga Kryesia e Partisë Socialiste, deputeti Blushi dhe mbështetësit e tij shprehen të vendosur që të fusin në diskutim çështjen e ndryshimeve statutore në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së, që do të zhvillohet ditën e nesërme. Ky vendim është marrë gjatë takimit që Blushi dhe kritikë të tjerë të kreut të PS-së, Edi Rama, kanë zhvilluar në mjediset e Kryesisë së Kuvendit. Siç u bë e ditur, të pranishmit kanë rënë dakord që propozimi për ndryshimet statutore të futet në rendin e ditës në punimet e Kongresit të së shtunës. Këto propozime synojnë mohimin e së drejtës së rikandidimit për kreun e PS-së, Edi Rama. Ndërkohë, edhe pse është tërhequr nga gara për postin e kryetarit të Partisë Socialiste, Blushi, pas takimit të djeshëm, nuk i ka kursyer sulmet në drejtim të Ramës. Sipas tij, Partia Socialiste i humbi zgjedhjet e 28 qershorit pasi kryetari i saj Edi Rama nuk kandidoi, duke mos dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës. Ai renditi gjithashtu ndër arsyet kryesore edhe mungesën e programit të PS-së në fushatën elektorale. Blushi dhe mbështetës të tij prej kohësh kanë ngritur pretendimin për diskutimin e ndryshimeve statutore, sipas të cilave, kreu i PS-së që humb zgjedhjet nuk duhet të rikandidojë. Por këto propozime u rrëzuan nga Asambleja Kombëtare e PS-së dhe nga Kryesia e kësaj partie. “Kryesia e Partisë Socialiste është pro ndryshimeve statutore, por ato duhen bërë në kohën e duhur. Nuk mund të vendoset një platformë ndryshimesh dhe më pas të miratohet në Kongres. Kjo duhet bërë në një proces gjithëpërfshirës, që kërkon rreth gjashtë muaj kohë. Për më tepër, Kryesia nuk mund të vendosë për të ndryshuar axhendën e Kongresit. Ajo është miratuar në Asamblenë Kombëtare dhe vetëm ky institucion mund të bëjë ndryshime”, - thuhet në vendimin e marrë nga Kryesia e PS-së dy ditë më parë.
28 Gusht 2009